Jeta në art, dhe një punë prej 44 vitesh mbyllen këtu, nga piktori Abaz Hado. Është ekspozita që ka hapur pak ditë më parë në Galerinë Kombëtare të Arteve, por ka pohuar se do t’iu kushtohet punëve më të rëndësishme, duke e lënë në këtë ekspozitë komunikimin e tij me publikun në artet pamore. Hado ka paraqitur katër periudha kohore në 123 vepra arti
Jeta në art, dhe një punë prej 44 vitesh mbyllen këtu, nga piktori Abaz Hado. Është ekspozita që ka hapur pak ditë më parë në Galerinë Kombëtare të Arteve, por ka pohuar se do t’iu kushtohet punëve më të rëndësishme, duke e lënë në këtë ekspozitë komunikimin e tij me publikun në artet pamore. Hado ka paraqitur katër periudha kohore në 123 vepra arti.
Në këtë ekspozitë retrospektive dimensioni i grafistit matet me shqetësimet njerëzore, tema sociale dhe aktuale, ku në qendër të tablove qëndron figura dhe jeta e njeriut shqiptar.
“Për herë të parë unë hap një ekspozitë në Galerinë Kombëtare, duke menduar që është vërtet momenti i duhur, janë 123 punime që janë me motive të ndryshme, që pasqyrojnë një rrugëtim timin në 44 vitesh në grafikën shqiptare. Unë do të veçoja këtu disa portrete, do të veçoja gjithashtu disa trajtime të fshesarëve, të lypësve, gjithashtu do të theksoja me forcë atë ndjesi që unë përjetova kur ndodhën ngjarjet e 11 shtatorit, të cilat unë i kam hedhur në një cikël që janë prej 4 fletësh të mëdha. Sidomos më përzemër kam shiun që unë e kam trajtuar rreth 20 fletë grafike, madje me të kam bërë dhe një ekspozitë në Stamboll”, është shprehur piktori.
Punët e Hados janë kuruar nga artistja turke Beste Gursi. Titulluar “Abagraphy” ekspozita ka natyrë kronologjike, që vijnë sipas cikleve dhe periudhave krijuese të artistit.
“Jam modest me njerëzit dhe mendoj se secili nga ne duhet të bëjë më shumë për këtë vend. Për shkak të impenjimeve të shumta njeriu ndonjëherë harron fillin e punës dhe ishte Beste që më riktheu besimin për të ekspozuar në këtë mënyrë. Për këtë vend do të bëj edhe në qoftë se do më duhet të bëj kritikun. Unë jam shumë serioz me punën time në zhanret e ndryshme të artit si krijues, kritik apo shkrues. Unë përjetoj në mënyrën time të brendshme, dhe mund të punoj deri në 18 orë duke pritur i lumtur rezultatin që do të dalë. Falënderoj Beste që zbuloi ato pika të krijimtarisë sime e më rikthyen besimin.” u shpreh Hado.
Punimet grafike të Hados janë kryesisht monokrome të realizuara në linoleum, një teknikë të cilën ai vazhdon ta përdorë edhe aktualisht. Në punimet e tij grafike ndihet fuqishëm ekspresiviteti dhe lëvizja. Ai preferon të realizojë kompozime shumëfigurëshe të cilat i organizon sipas një “kodi” të caktuar. Në grafika piktori i kushtohet figurës kryesore, duke tërhequr vëmendjen në kompozimet e tij tek karakteri. “Hado është një artist i njohur, grafist dhe menaxher arti. Pas përfundimit të shkollës për pikturë monumentale ai ju kushtua kritikës së artit dhe artit të grafikës. Ai është pjesëmarrës në shumë ekspozita brenda e jashtë vendit. Në këtë ekspozitë retrospektive ai vjen me një individualitet absolut, ku të bie në sy energjia dhe lëvizja. Këto punë vijnë në teknikën e linoleumit, ashtu si edhe në fillimet e tij. Përmes cikleve të tij si ai i shiut, i familjeve apo qyteteve tregohet dashuria e tij e madhe për punën dhe artin e grafikës në veçanti”, do të shprehej historiani i artit, Ylli Drishti. Për kuratoren Beste Gursu kjo ekspozitë vjen me linja të forta, dhe nga viti 1972 janë 44 vite të paraqitura në 4 periudha kohore. “Siç mund të perceptojmë edhe nga titulli I kësaj ekspozite, në këtë disiplinë autori ka krijuar një terren krejt të tijin. Do të shikoni plot 123 punë dhe në përfundim të ekspozitës dolëm në përfundimin se në këto 44 vite, ai ka vizatuar më tepër se 1 milion vija përmes grafikave të tij. Besoj se dr. Hado zë një vend të rëndësishëm në artet pamore shqiptare dhe jashtë saj”, u shpreh ajo.
Piktor, grafist, studiues dhe menaxher arti, Hado lindi në Shijak në 1957. Ai kreu studimet në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë për Pikturë Monumentale dhe u specializua si kritik arti. Punimet e artistit Hado ndodhen në GKA, Tiranë dhe në mjaft koleksione private në Itali, Japoni, Austri, SHBA, Norvegji, Gjermani, Greqi, Angli.