Në emisionin e djeshëm të Zululandit, drejtuar nga Mustafa Nano ishte i ftuar Nasho Jorgaqi, me të cilin bisedoi lidhur mbi polemikën që ka shkaktuar një letër e Gjergj Fishtës dërguar në vitin 1939 një koloneli të ushtrisë italiane, të cilën ka qenë Jorgaqi që e ka publikuar, dhe e ka komentuar.
Në shkrimin e tij, Jorgaqi thoshte në thelb se kjo letër është në provë tjetër e qëndrimit mirëkuptues me fashizmin që ka pasur Gjergj Fishta.
Dhe me këtë rast përmendte edhe faktin që Fishta ka pranuar të bëhet anëtar i Akademisë italiane të kohës së fashizmit.
Në bisedën në studio, Jorgaqi mbajti të njëjtin qëndrim.
Për të, kisha katolike shqiptare është dalluar për bashkëpunimin me fashizmin, dhe një pjesë e anëtarëve të elitës kulturore e politike të kohës kanë bërë akte të mëdha antikombëtare duke bashkëpunuar me fashizmin.
Ai tha mes të tjerash se e çmonte më shumë Mjedën se sa Fishtën në planin artistik e gjuhësor.
Ndërsa Mustafa Krujën e çmonte si intelektual dhe si njeri të kulturës, por e konsideronte toskofob.
Ndërsa ishte Romeo Gurakuqi që pak ditë më parë, në shkrimin e tij, e kish quajtur Nasho Jorgaqin gegofob.
“Unë jam gegë vetë, jam nga Elbasani, gruan e kam gjithashtu gege, si mund të jem unë gegofob?”, tha ai mes të tjerash.
Kur Nano i kërkoi të thoshte se cili ishte personaliteti më i madh i kulturës së Shqipërisë, ai u përgjigj: Fan Noli e Faik Konica.
“Që të dy toskë”, tha Nano me shaka.
“Do të gjejnë shkak për t’ju quajtur gegofob”.
“Janë që të dy shqiptarë”, tha Jorgaqi.
Ndërkohë, në një postim në FB, profesor Romeo Gurakuqi thotë se ky është një sulm politik, jo debat shkencor.
“Sulmet e riperteritura ndaj Eterve te Kombit, Elites Intelektuale Tradicionale; perpjekja per te ngurtesuar, amortizuar dhe shkrire pergjithmone nga tekstet shkollore, mesimi i femijeve ne shkolla, i veprave te Shkrimtareve Shqiptare, Letersise, Kultures dhe Kontributeve te Tradites, jane sulme politike, perpjekje qe duhet te ndalen, permes Reagimit dhe Veprimit konkret, Nderhyrjes deklarative per mbajtje qendrimi nga ana e Ministrise se Arsimit dhe Sporteve, Ministrise se Kultures, pse jo edhe te Qeverise Shqiptare.
Nuk kemi te bejme me ceshtje debati shkencor, por nje ceshtje politike, lidhur me sulme qe vijne nga skutat e enverizmit dhe komunizmit, me te cilat nje qeveri e nje vendi anetar te NATO-s, duhet te ndahet. Ka nje interes nacional per mbrojtjen e kultures dhe riintegrimit ne sistemin e dijes se nxenesve dhe studenteve shqiptare, per gjithperfshirjen kulturore dhe mbi te gjitha, njohjen e bazamentit te vertet nga eshte nisur Shkolla shqiptare, dhe Kultura shqiptare, mbrojtja e te drejtave te popullit shqiptare kudo ndodhet.
Nderkohe e njejta thirrje per mbajtje qendrimi i adresohet edhe ndaj Opozites Shqiptare, partive politike te Shqiperise Tradicionale, te cilat duhet te thojne zerin e vet te ekspertizes, ne mbrojtje te Shqiperise qe vuajti nga persekutoret e ringjallur!” shkruan Gurakuqi.