Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all 1708 articles
Browse latest View live

Besimtarët ortodoksë po ia kthejnë shpinën Janullatosit, e djallosi me grekët

$
0
0

janullatosNga Arben Llalla

A mund të sjellë ndokush ndërmend kur ka qenë hera e fundit që Kryepeshkop Anastas Janullatosi i ka dhënë intervistë ndonjë televizioni shqiptar? Ky mendim më erdhi, kur po ndiqja për arsye studimore, pasi kam detyrë t’i them të vërtetat e mia popullit tim, intervistën e fundit, të dhënë shumë shpejt pas asaj të parafundit, a thua se Janullatosi po përpiqet të kalojë në ajër disa mesazhe të qëllimshme dhe se e ndjen që po i mbaron koha. Bëhet fjalë për intervistën në versionin online të CNN Greek, e cila pasoi për pak javë intervistën që ai dha për ERT1, për festat e fundvitit 2015.

Pse Janullatosi nuk preferon të japë intervista për televizionet shqiptare? Vetëm sepse nuk do ndjehej komod me pyetje të tipit të gazetarëve grekë, që më shumë duket e venerojnë sesa e intervistojnë? Apo lidhet me faktin që Anastasi e di, se tek populli shqiptar është parë me dyshim që ditën e parë që u fronëzua si Kryepeshkop dhe se nuk mund të na krijojë ne mahnitjen që u krijon grekëve? Apo nga që e di se sponsorët e veprës së tij i gjen vetëm në Greqi dhe askund tjetër?

Fakti është që me një kërkim të thjeshtë mund të gjesh me dhjetëra intervista dhënë për çdo kanal grek, ku Janullatosi përsërit të njëjtat mite të jetës së tij, dhe kohët e fundit i ka shpeshtuar këto dalje publike në Greqi, si për të treguar merakun, që jetën e tij duhet ta shkruajnë sipas versionit që ai dikton, dhe jo sipas fakteve dhe dokumentave. Por këtë nder, ne nuk ia bëjmë dot, ndaj do merremi me çmontimin e çdo miti të tij, sa herë që ai del dhe tenton të na indoktrinojë.

Argumenti që Janullatosi predikon greqisht, pasi nuk e di mirë shqipen dhe ka hall se mos gabon në përcjelljen e dogmave të larta ortodokse, bie akoma më poshtë, kur Janullatosi as nuk preferon të flasë për publikun shqiptar, shqip as që bëhet fjalë, por të paktën të dalë nëpër ekranet e këtij populli, që e bariton si Primat. Ndaj, mediat tona që duan të kapin ndonjë mesazh prej tij, do të duhet thjesht të përkthejnë intervistat e tij që ai jep në Greqi, vendit të cilit i shërbeu gjithë jetën, dhe se ortodoksët shqiptarë do kenë qasje me bariun e tyre, vetëm nëpërmjet përkthyesit, pasi bariu, nuk ua preferon as gjuhën, as televizionet dhe as gazetarët.

Sigurisht, edhe në këtë intervistë, Anastas Janullatosi përsëriti disa prej miteve të tij, që dëshiron shumë të ngelen edhe pas ikjes së tij në qiell, dhe madje në këtë intervistë, ai e shpall që në qiell do ikë, dhe si shenjtor madje, mit që do ta shpjegojmë në mbyllje të shkrimit.

Nuk e di nëse publiku e percepton, por në këto intervista të fundit, kapen disa delire madhështie dhe vetëadhurimi që Janullatosi, ndoshta ngaqë mosha e thyer nuk po e ndihmon më, apo ndoshta nga që ka arritur në faza të avancuara të tundimit më të madh njerëzor, atë të rënies në megallomani, ka nisur dhe po thotë hapur gjëra që në botën kristiane (që predikon përulësi ekstreme), por edhe në atë akademike, apo artistike, askush nuk guxon t’i artikulojë, edhe pse njerëzit mund të besojnë madhështira për veten, të paktën ata janë aq të logjikshëm sa t’i mbajnë këto ngrefosje vetëm në mendimet e tyre, gjë që në rastin e kryepeshkop Anastasit nuk ndodh.

Së pari, ai hiqet si filozofi apo mendimtari iluminist, duke i dhënë këshilla Europës sesi të përballet me rrezikun e Islamit, të cilin e sulmon sërish egër, siç bëri edhe për Krishtlindje, kur referoi dhe vargje kuranore për dhunën dhe aludoi për profetin Muhamed opinione jo fort të përshtatshme për klimën e bashkëjetesës fetare. Me një fjalë thotë që Europa luftoi krishtërimin dhe vakumin që u krijua po e mbush Islami. Por Anastasi harron të thotë, se ç‘bëri ai me krishtërimin në Shqipëri, me ortodoksët që i gjeti 20% dhe i uli nën 7%, në minimume ekstreme historike.

Atyre që besojnë historinë se censusi i fundit zyrtar ishte i manipuluar, u them të vizitojnë cilëndo kishë ortodokse, përfshirë dhe Katedralen e re që meshon vetë kryepeshkop Anastasi dhe të shohin pjesëmarrjen e besimtarëve. Do gjejnë vetëm personelin e punësuar, i cili është i detyruar të jetë prezent. Nga burimet e mia, kam me qindra dëshmi ortodoksësh që deklarojnë se nuk shkelin më në kishë, ngaqë nuk e ndjejnë më veten të përfaqësuar dhe se ndihen të fyer nga praktika e Janullatosit që kishën shqiptare e sakrifikoi në altarin e helenizmit. Janullatosi nuk na thotë, se ky vakum i rëndë që ai krijoi në Shqipëri, si dhe nga kush do mbushet? Përpara se Janullatosi t’i japë mend Europës, le të shohë dëmin e pariparueshëm që ai vetë i ka krijuar ortodoksisë shqiptare. Të ngresh një kishë, nuk do të thotë të hedhësh lekë e të bësh ndërtesa, të bukura nga jashtë, por bosh dhe të ftohta nga brenda.

Më pas, Janullatosi bën profetin dhe thotë se ka filluar lufta e tretë botërore, por ne këtë e dinim, se më përpara dhe në mënyrë të përsëritur e ka thënë Papa i Romës, dhe Janullatosi, si shkencëtar që është, të paktën të referojë mendime të njëjta që janë thënë përpara tij, që të mos bjerë në kurthin e plagjiaturës. Më interesant bëhet diskursi i tij, kur deklaron se qendra pushteti politik edhe ekonomik, kanë përqendruar kapitalin në dorën e tyre dhe se popujt po i çojnë në varfëri ekstreme, duke instaluar kështu një diktaturë të re. Nuk dua të referoj këtu listën e filozofëve që flasin për diktaturën e tregut, dhe të kompanive shumëkombëshe, pasi edhe këtu Janullatosi nuk po iluminon askënd, ai po shet sërish si të tijat mendimet e të tjerëve, por po shkojmë sërish te praktika e tij, që të shohim se teoria e tij është thjesht propagandë.

Çfarë bën Janullatosi me ata që ka nën vete? Sa e lufton ai varfërinë të paktën tek ajo pjesë e njerëzve që varen prej tij? Sa njerëz ka nxjerrë ai nga varfëria në Shqipëri? Sërish, si historian, në vizitën e fundit në Shqipëri, intervistova një numër të konsiderueshëm të punësuarish në KOASH, dhe dëshmitë e tyre më shokuan. Nga klerikët dëgjova që u mungojnë edhe gjërat më elementare të jetesës, me rroga qesharake, nën minimumin jetik, madje, Janullatosi u paguan shumën minimale ligjore në bankë, dhe pjesën tjetër, që të mos taksohet, ua jep me zarfe nën dorë, duke konsumuar kështu edhe evazion fiskal. Një klerik në Shqipëri paguhet rreth 300 dollarë, sa rroga e një banakieri, apo punonjësi higjiene nëpër institucione. Madje edhe kur të dalin në pension ata do të kenë pagesa minimale, sepse edhe siguracionet u janë paguar në minimumin e lejuar, duke i lënë kështu gjithë jetën të varfër, nën diktaturën ekonomike të Janullatosit, të njëjtë dhe më të egër, nga ajo që ai akuzon nëpër intervista.

Më të dhimbshme ishin dëshmitë e punonjësve laikë, katekistëve, të cilët paguheshin me shuma nën 250 dollarë, punojnë pa kontrata dhe shumë prej tyre edhe pa sigurim jetësor dhe shëndetësor, pa diskutuar shkurtimet pa paralajmërim nga puna, apo sjelljen arrogante të ndonjë peshkopi të konvertuar me ta. Nuk dua të zgjatem këtu, se do e kemi fokus të veçantë në të ardhmen, por gjendja ishte alarmante. Shumica e të punësuarve në KOASH, ishte në varfëri të skajshme dhe më e keqja ishte se nuk dilnin dot prej saj. Pyetjes sime, se pse nuk gjeni një punë tjetër, klerikët u përgjigjën se ishte e pamundur, pas periudhës së gjatë me veladonë dhe mjekër, askush nuk do t’i punësonte më, por dhe ata do ndiheshin me keq se tani. Ndërsa laikët thanë se ata kishin vetëm shkollim teologjik dhe se nuk do mund të gjenin një pagesë më të mirë nga kjo që merrnin se tregu do i konsideronte ekstremisht të pakualifikuar. Shumë prej tyre po bënin shkolla të tjera nga dëshpërimi dhe përpjekja për t’u shkëputur nga ky realitet.

Sërish këmbëngula me klerikët, ngaqë nuk u besoja veshëve, kur e dinin këtë gjendje, veshën rrobën e zezë? Ata m’u përgjigjën se vitet e para Janullatosi u premtoi se do t’i trajtonte me pagesën e një mësuesi gjimnazi, gjë që e mbajti vetëm për pak vite, por sot, ai e ka shkelur premtimin e tij, pasi rroga e një mësuesi gjimnazi me mbi 20 vjet përvojë i kalon të 500 dollarët. Sigurisht Anastas Janullatosi e kishte të lehtë ta shkelte premtimin, por klerikët nuk e kanë tashmë të lehtë të ikin prej kontratës së rrobës klerike, e cila është gati e përjetshme.

Kryepeshkop Anastasi Janulla duhet të shpjegojë përse ai i trajton kështu klerikët e vet? Nëse ka vështirësi ekonomike, gjë që nuk duket nga milionat që investohen, përse nuk i çliron të paktën nga veshja dhe pamja e dallueshme e tyre që ata të gjejnë punë të tjera? E thjeshtë, sepse do t’i mbajë të varfër, që t’i kontrollojë më kollaj dhe të kënaqë instiktet e veta diktatoriale. Ndaj, hirësi, mirë që na bën teori, por sot nuk e ke më luksin që gjërat e shtëpisë tënde të mos merren vesh, njerëzit e tu që vuajnë nga varfëria e kanë ngritur zërin dhe ti duhet ta dish, se diktaturat rrëzohen një ditë, qoftë edhe me vdekjen e diktatorit.

Nga ana tjetër, Janullatosi nuk hezitoi të bëjë viktimën, strategji e vjetër kjo, sa herë që ai ndjehet nën trysni. Ai tha se ka kaluar shumë zhgënjime e dhimbje në jetë, ka patur braktisje dhe tradhëti, edhe nga rrethi i ngushtë i bashkëpunëtorëve. Nuk e dimë nëse e ka me peshkopët e konvertuar, të cilët duket se e kanë braktisur dhe nuk po e mbështesin më në gafat që bën, se ata janë përgjegjësi dhe zgjedhje e tij. Nëse ky zhgënjim është kronik, dy janë arsyet hirësi, ose ti nuk di të zgjedhësh bashkëpunëtorët e tu, i zgjedh ata vetëm nga niveli i adhurimit që ushqejnë për ty, dhe pastaj kur u bien maskat e hipokrizisë, ti mbetesh keq, si në rastin e ndonjë kabllogrami që të ka zbuluar tradhti të rënda në oborr. Ose je ti ai, që me sjelljen tënde arrogante, shkeljen që u bën në dinjitet, varfërinë që u imponon, apo edhe ndonjë arsye tjetër të errët, i detyron të të braktisin dhe e ke më të lehtë të qahesh sesa të pranosh pjesën tënde të fajit dhe të përgjegjësisë.

Janullatosi sërish qarkullon edhe në këtë intervistë mitin e atentatit që i kanë bërë për ta vrarë dhe plumbin e ngelur në dritaren e tij. Është qesharake të mendohet se dikush ka patur përqëllim ti bënte atentat atij, por ai dritare është qëlluar ndonjë plumb qorr të 97-s ose rikoshet. Nga ata plumba që kanë rënë në dritaret e dhjetëra shqiptarëve, dhe Anastasi na e shet për të disatën herë si atentat. Ish-oficeri i DEA-s Anastas Gjerasimos Jnaullatosi e di fare mirë se plumbin e një snajperi, nuk e ndalon dot kurrë xhami i një dritareje, por nëse ai ndjehet mirë me këtë mit, kjo është punë për e tij dhe për trashëgiminë që po lë në ato broçkulla që thotë.

Së fundi, Janullatosi shpërthen në delirin e madhështisë të shprehur në besimin e tij, se tani ai është tashmë një shenjt, dhe se shqiptarët duhet ta ngrenë kultin që ai ka një jetë që kuron, në nivele hyjnizimi. Ndaj legjitimohen edhe ikonat që ai ka porositur në katedralen e re dhe që e paraqesin si shenjt dhe mrekullibërës. Ai thotë: “Mjerë njerëzit që nuk kanë nderë dhimbje, ajo tëçon në një pjekuri të bredshme dhe do të guxoja të thosha në shenjtëri”. Ndaj, dhimbjet, zhgënjimet dhe tradhëtitë, na e kanë bërë punën e tyre, e kanë çuar Anastas Janullatosin në shenjtëri. Ajo çka tashmë na duhet të bëjmë, është ta adhurojmë e t’i falemi.

Ai këtë përjetim, të arritjes së niveleve të shenjtorëve e ka të sigurt brenda tij, fakti që me mani, po porosit vendin ku do prehet dhe po e zbukuron me afrekse, e tregon më së miri këtë gjë. Mbetet ta kuptojnë vetëm shqiptarët, që duhet ta kenë për nder që kanë një shenjtor të gjallë mes tyre dhe nuk e paskan kuptuar. Por, pjesa që nuk sugjestionohet prej shenjtorëve të vetëshpallur të ditëve të sotme, do vazhdojë të thellojë kërkimin mbi historinë e kishës shqiptare, se është një pjesë shumë e rëndësishme e historisë së kombit tonë. Ne, shumë shpejt do të sjellim fakte se si u ngjit Janullatosi në hierarkinë e kishës greke, pjesë e cilave organizatave parakishtare ishte, dhe se si u shkarkua nga funksionet e larta që mbante, duke marrë rrugën e mërgimit, së pari në Afrikë dhe më pas në Shqipëri dhe ç‘lidhje kishte ai me Jeronimin e Parë, (jo me të sotmin), Kryepeshkopin e juntës ushtarake greke.

Nëse Janullatosi na fton ta besojmë se është shenjtor, atëherë do të duhet të bëjmë një kërkim dhe hetim të plotë të jetës dhe bëmave të tij, ashtu siç është edhe praktika kishtare në këto raste. Sigurisht, që deri më sot, Janullatosi është shenjtori i parë që e ka shpallur përpara vdekjes shenjtërinë e tij, pasi kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e krishtërimit, por nëse nga kërkimi na del, që ajo që thotë ai qëndron, do vijë dita që edhe ne do ndezim një qiri përpara ikonës që ai ka urdhëruar të pikturojë në kishën e re, ikonografi grek Kristos Papanikolau.


Ja ç’i ka bërë injoranca dhe neglizhenca e Shtetit këtij afresku në Voskopojë!

$
0
0

VoskopojeKjo eshte pjesa e brendshme e Kishes se Shen Athanasit ne Voskopoje ndertuar ne vitet 1721-1724.

Shikoni sesi keto piktura qe jane pasuri kombetare, te realizuara nga mjeshterit me te medhenj shqiptare te shekullit 18, jane zhgarravitur nga njerez te papergjegjshem, sikur te ishin mure burgu…

Përgjegjësi për këtë ka edhe shteti, që nuk i ruan dhe monitoron objekte të tilla…

Ja 92 projektet e mbështetura nga Ministria e Kulturës për 2016–ën

$
0
0

kulturaNga 212 projekte, të cilat iu përgjigjen thirrjes për projekt propozime në fushën e artit dhe kulturës, për 2016–ën, Kolegjiumi i Ministrisë së Kulturës ka përzgjedhur 92 projekte fituese, që do të mbështeten financiarisht nga kjo ministri.

Nga 212 projekte, të cilat iu përgjigjen thirrjes për projekt propozime në fushën e artit dhe kulturës, për 2016–ën, Kolegjiumi i Ministrisë së Kulturës ka përzgjedhur 92 projekte fituese, që do të mbështeten financiarisht nga kjo ministri, ku 16 projekte janë nga teatri, 27 nga muzika, 17 në art pamor, 8 për kinematografinë, 17 për letërsinë dhe 7 për trashëgiminë.

Në njoftimin për mediet, Ministria e Kulturës ka theksuar rritjen e interesit nga aplikantë të rinj, si subjekte, organizata a shoqata kulturore. Kriteret për vlerësimin e projekteve të paraqitura, kanë qenë zhvillimi i krijimtarisë kombëtare, ide novatore, projekte edukimi që nxisin leximin, aftësitë krijuese dhe zhvillojnë audiencën, gjallërim të skenës artistike e kulturore në Shqipëri, respektim të së drejtës së autorit, përkrahjen e të rinjve – duke filluar nga potenciali i tyre krijues e deri te punësimi i tyre. Mes 92 projekteve fituese, 20 i përkasin artistëve të rinj, që propozojnë proces kërkimor teatror në zhvillimin skenik, festivale muzikore, edukim arti, trashëgimisë përmes teknologjisë, duke besuar në rritjen e audiencave dhe kultivimin e publikut të ri në moshë. Janë vlerësuar fitues projekt-propozimet që përputhen me kriteret e shpallura në udhëzuesin që shoqëroi thirrjen që shprehin qëndrueshmëri dhe vazhdimësi në realizim, shtrirjen gjeografike dhe kohore, si dhe aftësia për të thithur fonde nga burime të tjera. Bëhet e ditur se projektet e përzgjedhura do të mbështeten në mënyrë të pjesshme nga Ministria e Kulturës.

TEATËR

Në fushën e teatrit, fitues janë Festivali ndërkombëtar i monodramës “Albamono”, pjesë e Shoqatës Kulturore Artistike ‘Iliria’, Festivali i 14–të ndërkombëtar i teatrit “Butrint 2000” e Qendrës Kombëtare të Teatrit Mesdhetar, Tiranë, teatri “Don Kishoti” si projekt për zhvillimin skenik e nga Shoqata artistike “Klaus’Film”, Teatri “Familja Tot” nga Artlink, teatri dhe laboratori eksperimental “Marta” nga Shoqata Globart, “Tradhtitë”, teatër nga Ermela Ruri, Kujtesa e ujit”, teatër nga Rozina Kostani, festivali i teatrit “Verë në Epidamn” nga Shoqata Kulturore “Eja në Teatër”, Festivali teatror “Ballkan Teatër Tirana Fest, “Aty ku dielli nuk perëndon” -teatër nga Saimir Gongu, teatri alternativ “Këngët e Pafajësisë William Blake” nga Armela Demaj, teatri “Na t’birtë e shekullit të ri” me produksion të Alma Hotit, aktivitet në kuadër të teatrit alternativ “New Energy” nga Shoqata Europiane e Teatrit Bashkëkohor Shqiptar ATK, teatri “Një jetë me ty” e regjisorit Erion Kame , aktorja Olda Daku është shpallur gjithashtu fituese me monodramën “Shirli Valentine”, festivali i teatrit dhe muzikës “Shkodra Fest” nga Elsamed Senaj ka fituar gjithashtu. Aktiviteti për edukim artistik dhe zhvillim i aftësive artistike–kulturore “Pjeri dhe Ujku” nga Shoqata Radio.

ART PAMOR

Në art pamor ata që përfitojnë mbështetjen e ministrisë për këtë vit, janë shtëpia e artistit Adrian Paci “Art House”, në kuadër të krijimtarisë dhe edukimit përmes artit si dhe kërkim gjuhësor, ekspozitë e 12 piktorëve të peizazhit shqiptar nga Plener Art, kolonia e artit “POGRADECI ‘16”, organizuar nga Shoqata “ANTIK”, ekspozitë e kulturës rome nga Art Folk, Ekspozitë e Artit Kontemporan në Galerinë Zeta, Festivali i 2-të ndërkombëtar i akuarelit , i cili organizohet nga Shoqata kulturore Vizart, Ekspozita në MIZA Art Gallery, Ekspozita dhe aktivitete në Universitetin Polis si “Javët e Arkitekturës në Tiranë 2016: Në mes të Amerikave dhe Azisë”, si edhe “Arkitektura pas globalizmit”, aktiviteti në kuadër të terapisë përmes artit “Fotografia e 21-të”, organizuar nga Qendra shqiptare për Shërbime Psikologjike dhe Terapeutike, ekspozita “Lugina e qendrës” nga Instituti i Studimeve Politike, Ekspozita fotografike “Të jetosh me 47 kromozome” nga shoqata Down Syndrome Albania, Programi i Rezidencave AIR-LAB nga Instituti i Artit Bashkëkohor Tiranë, TICA, aktiviteti “Skulptura e parkut 2016 “ nga Genti Tavanxhiu, Rezidenca e artit bashkëkohor “The first solo show” nga Tirana Art Lab.

LETËRSI

Në sferën e letërsisë dhe botimeve të reja, fitues janë shpallur Gëzim Qendro me botimin “Kinostudioja “Shqipëria e vjetër”, Revista letrare “Saras”, botimi i librit “Tollumbaci i lumtur në barkun tim” nga Jolian Nole, fjalori “Fjalor rromisht –shqip-rromisht”, e shoqatës, Rromani Baxt Albania RBA, aktiviteti për edukim dhe zhvillimit të audiencave në fushën e letërsisë “Frymëzime nga pena e Kadaresë” nga Open doors, aktivitetit “Laborator i diskursit kritik shqip” organizuar nga Elona Pira, Botimi “Në kujtim të Ardian Klosit” nga Shtëpia Botuese “Fjala”, Organizimi i edicionit të dytë të festivalit letrar për të rinj “Tiranë 2016” nga shtëpia botuese “Toena”. Po kështu merr financim nga Ministria edhe Panairi i XIX i librit “Tirana 2016”, një aktivitet i përvitshëm, i cili organizohet nga Shoqata e botuesve shqiptarë, edhe Shoqata Poeteka është shpallur fituese me projektet e saj për vitin 2016, ku botime të reja letrare, revista e përtremuajshme “Poeteka” dhe Rezidenca e Shkrimtarëve dhe Përkthyesve Letrarë “Tirana in between”. Edhe Revista “Aleph”, pjesë e shoqatës “Klub Aleph” ka marrë mbështetje për botim. Admira Poçi është shpallur fituese me projektin e saj letrar “Rrëfimi i legjendave”, e po ashtu Luljeta Lleshanaku me Sabbat 2016, “Punëtori mbi mjeshtërinë e shkrimit në prozë dhe poezi”, mbështetje për seksionin art dhe kulturë të revistës “Europa” të Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare, aktiviteti edukues “Të lexojmë qytetin nga Shtëpia Botuese “Albas’, aktiviteti nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë “Tirana Lexon”. Ndër aktivitetet e leximeve, fitues është edhe projekti i shtëpisë botuese “Pegi” “T’u lexojmë që të lexojnë”.

MUZIKË

Në fushën e muzikës fitues janë Festivali “Flauti magjik” , “Këngët e Tokës” nga Adriana Dizdari, Festivali i artit kontemporan që ndërthur muzikë dhe dance “My name is Balkan” nga Fondacioni MAM, Albania Dance Meeting Festival –Festival ndërkombëtar i dancit kontemporan, organizuar nga Shoqata “Durrës Beauty”, “Balkan Contemporary music festival’ nga shoqata e kompozitorëve shqiptarë, Festivali i muzikës së dhomës “ Different Trains Festival” , Festivali i 13-të mbarëkombëtar i instrumentistëve të vegjël popullo në Fushë–Arrëz nga Shoqata Eko-turistike Pukë, Festivali i 54-t mbarëkombëtar i këngës për fëmijë Shkodër 2016” – nga Shoqata Shpirti Artistik i Shkodrës. Edhe edicioni i këtij viti i Festivalit Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja” organizuar nga Shoqata “Kulturë – Media – Art” ka marrë mbështetje nga Ministria e Kulturës, duke u ndjekur nga Edicioni 4 i Festivalit Ndërkombëtar të Kitarës së Tiranës, nga fondacioni i kitarës së Shqipërisë dhe festivali Aulona Interfolk Festival i Qendrës Kulturore “Aulona”, Vlorë, Festivali Ndërkombëtar i muzikës së dhomës, i cili organizohet në Durrës nga Shoqata kulturore “Arti dhe kultura Italo Shqiptare”, Edicioni i 5 –të i Festivalit Ndërkombëtar “JAZZ in Albania & World Music” nga Shoqata “Syri blu”, Festivali Ndërkombëtar Brass, i shoqatës “Artistët interpretë”, Festivali “Kaba 2.0” nga Rek Remont Kapital, koncerti për piano dhe orkestër Cesar Frank nga Milen Nikolla, spektakli kabare “Laurette de Paname” nga Aleanca Franceze e Tiranës, Edicioni i 6 –të i Maratonës së muzikës violinistike, nga Shoqata “Bota e Artit”, Muzika e dhomës dhe krijimtaria e saj nga

Shoqata Kulturore “Skampa”, Koncerti ‘Rrënjë të largëta” nga Gjenerata e re, koncerti rrok simfoni nga Fondacioni i Olimpit, “Rock Stock Festival” nga Youth 4 Society, Festivali dhe koncerte “Romanca shqiptare” nga Haig Zacharian dhe Endri Sina, “Festivali i muzikës së dhomës “Trillet e Mozartit” nga Boom Boom events, edicioni i 3-të i festivalit “Vox Baroque”.

KINEMA

Në fushën e kinematografisë projektet që kanë përfituar mbështetje financiare janë shkolla verore e filmit “Arkivat në Lëvizje” nga Open Mind, Festivali i filmit ballkanik dhe artit kulinar nga shoqata “Art- Im- Pulse”, Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Dea open air” nga Multimedia Studio, Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar “Doku TIF” nga Albanian Art Institute, Festivali ndërkombëtar i filmit për fëmijë dhe për adoleshentë nga Shoqata “Anifest”

Festivali i 11-të ndërkombëtar i filmit për të drejtat e njeriut në Shqipëri, nga ‘OraFilm’ dhe ‘Marubi’, Festivali Ndërkombëtar i Filmit për Studentë “First Step Film Fest #3” nga Shtëpia filmike ‘d’ART’, Festivali “Tirana 48 hour Film Project” nga Shoqata për zhvillimin e turizmit kulturor. Mbështetje merr edhe spektakli i “Çmimet Kult”, i cili si çdo vit organizohet nga Akademia Kult.

TRASHËGIMI

Në fushën e trashëgimisë kulturore janë “Bunkerplis” e propozuar nga Fation Murati, Ciceroni virtual nga “Metroresearch” , Festivali Multikulturor” nga shoqata “Njerëz dhe Ide” “Kronikë në Dropull” nismë e Connext SHPK, Qendra Kulturore e Peshkopisë me Oda Dibrane , aktiviteti muzikor “ Përmeti multikulturor 2016”, Qilimat me motive autentike shqiptare nga Shoqata e Stilistëve Shqiptarë, Rrugëtim virtual i GKA, MK dhe Kalasë së Krujës nga Cross Culture, Tinguj dhe Monumente nga Gëzim Belegu.

 

Shifra

92 projekte fituese

16 Teatër

27 Muzikë

17 Art Pamor

8 Kinema

17 Letërsi

7 Trashëgimi

 

Shaban Sinani: Formulimet e ligjit të copy right, si në Kanun

$
0
0

booksNjë situatë groteske në formulimin e ligjit për të drejtat e autorit. Akademikët kanë tërhequr vërejtjen se 80% e tij është formuluar me pasaktësi gjuhësore, duke na sjellë një ligj “premtues” dhe jo “detyrues”, si dhe formulime të kohës së shkuar, që ngjajnë me të drejtën tradicionale të ndeshur në Kanun. Akademiku Shaban Sinani, është ndalur në të drejtën e autorit, mes veprës origjinale dhe përshtatjes, si dhe qëndrimet e autorëve për vepra të konsumit masiv, siç mund të jetë letërsia e filmi

Mbi 80% e draftit të ligjit për të drejtën e autorit, që pritet të kalojë së shpejti në Kuvend, është formuluar jashtë terminologjisë gjuhësore, me paqartësi dhe pasaktësi. Debatet që kanë përfshirë këto ditë mbi të drejtën e autorit, nuk janë aq të hapura sa pretendohen, aq më tepër duke marrë vërejtje se janë lënë jashtë, institucione si Akademia e Shkencave. Një ditë më parë në komisionin e Edukimit, studiuesi Shaban Sinani, në cilësinë e sekretarit shkencor të seksionit të shkencave shoqërore, ka relatuar me vërejtje mbi ligjin e ri të së drejtës së autorit. Sinani, ashtu si edhe Vaso Tole, kanë ndarë të njëjtat qëndrime, duke qenë se burojnë prej së njëjtës palë institucionale. Por në veçanti, Sinani është ndalur në anën formale të këtij ligji, që lidhet me formulimin e tij, duke parë me ironi, pasaktësi gramatikore. Kështu studiuesi përmend se ligji në tërësi, pothuaj i gjithë është formuluar në kohën e ardhme, i cili kuptimin e ka në perceptimin premtues dhe detyrues. Janë vërejtje për kohën e foljes, që nuk dihet vijnë prej një përkthimi automatik apo lapsus të vetë juristëve, që megjithatë Sinani ka vërejtur për “juristët” se, “gjuha e ligjit nuk është gjithë e premtimit”

Por ironia më e madhe, ashtu siç e cilëson dhe studiuesi, një çudi më vete formulimi në të shkuarën. Konkretisht për nenin 44, Sinani thotë se në të shkuarën janë formulime në të cilën gjenden në të drejtën tradicionale, në Kanun.

Nuk është një rast i parë që ligjet tona në formulimet e tyre, vuajnë në paqartësitë dhe pasaktësi në terminologji, por dhe në ndërtimet gjuhësore, siç është konkretisht edhe ky ligj. Megjithatë, Sinani ka selektuar në vërejtjet e tij, bashkuar kolegut të tij, akademikut Vaso Tole, për të përfshirë në ligjin e të drejtave të autorit, punën dhe kërkimin shkencor, deri tani të lëna jashtë këtij sistemi.

Në veçanti, studiuesi ka reflektuar mbi nenin 9, në të cilin barazohen në status veprat e prejardhura me vepra të autorësisë së shkallës së parë, dhe sipas tij ky përkufizim që gjendet të në këtë nen, mund të thellojë një përvojë të keqe në traditën e botimeve në Shqipëri.

Për këtë është dhënë shembulli i botimit të De Radës, i cili ka ardhur këtë vit për herë të parë pas 180 vjetësh në formën siç e ka botuar vetë autori, De Rada. Por nga ana tjetër, ka më shumë se një shekull që kjo vepër ka ekzistuar në formën e veprës së prejardhur, të përshtatjeve në mbi katër herë. Kjo “traditë” sipas studiuesit, mund të vazhdojë më tej duke ndjerë rrezikun e barazimit të një vepre të prejardhur me veprën origjinale. “Kjo situatë mund të çojë edhe në shfrytëzim të autorësisë së veprës shkencore. Një shkencëtari mund t’i duhet një vit, ose një jetë e tërë për të shkruar një monografi për Skënderbeun apo mesjetën, ndërsa një admiruesi të historisë, i mjafton vetëm një vit për të bërë një përshtatje që u drejtohet lexuesve të mesëm apo për të bërë një divulgim të veprës shkencore”, ka thënë Sinani. Sipas tij, ky barazim do të dëmtonte autorësinë e parë, siç do ta dëmtonte vepra e prejardhur në formën e ekranizimit apo skenarizimit prej letërsisë.

Me këtë drejtë, studiuesi pra, lidh edhe rastin e raportit të shfrytëzimit midis letërsisë dhe formave të tjera të artit, siç është edhe kinemaja. Dihet se konsumi masiv i një vepre, është shumë më intensiv se konsumi i një vepre individuale prej leximit. Për këtë thotë Sinani, mjafton të përmendet raporti i leximit dhe audienca e filmit në rastin e romanit “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur” të I. Kadaresë. Sinani thotë se në këtë rast, vepra me pronësi të prejardhur, është e mbifavorizuar. I njëjti shqetësim është për nenin 15, ku barazohet autorësia e parë me përgatitësin. Përgatitësi është një term tjetër, kuratori. Përgatitësi punon me vepra të gatshme të të tjerëve dhe Sinani tërheq vëmendjen se nuk mund të jetë e barabartë me autorësinë e tij, me autorësinë e shkallës së parë.

Vërejtje për nenin 67, ku vepra e porositur, që do të thotë vepra e paguar qoftë dhe e garantuar me pagesë, barazohet në status me veprën origjinale. E krijuar pa kushte. Qoftë dhe në pikëpamje etike, Sinani thotë se ky barazim nuk shkon, që po ta përkthehet fjalë për fjalë, praktikisht vepra e parapaguar është vepra e propagandës.

Shqetësimin e shprehur edhe një ditë më parë nga akademiku Vaso Tole, për nenin 76, që i njeh autorit të drejtën për të refuzuar citimin e veprës së tij në një vepër tjetër. Do të duhej të ndodhte krejtësisht e kundërta, thotë Sinani. “Në ligj mungojnë dy terma të rëndësishëm që do të duhej të saktësohej detyrimi për dy Konventa më të njohura ndërkombëtare, të sistemit të referencave të Harvardit ose të sistemit të Oksfordit, që është sot më i përdorur në Evropë, ose së paku njërën prej tyre. Nëse mbetet kështu, që autori ka të drejtën për të refuzuar citimin e një vepre tjetre, atëherë do të inkurajohej plagjiatura, kopjimi i pjesshëm, perifrazimi, manipulimi etj. Sidomos manipulimi, është rreziku më i madh sepse përmes manipulimit me referencat, mund të krijohen vepra të rreme”.

Rezultatet që sjell neni 55, përbën një tjetër vërejtje të rëndësishme për akademikët, duke u konsideruar një lloj nënçmimi, sa i takon të drejtës së autorit të botimeve në periodikë. Ky parashikim thotë studiuesi, është në kundërthënie për ligjin e Arsimit të Lartë, siç ka qenë me ligjin për arsimin e lartë dhe kërkimit shkencor deri sot, i cili, pikërisht këtë formë të punës shkencore ka si përparësi. Madje, shton studiuesi, si një përparësi edhe në dëm të monografisë. “Nëse njëri ligj e mbivlerëson një produkt të një tipologjie të veprës shkencore, ligji tjetër nuk do të ishte mirë që ta dekurajonte”.

V.Murati

Ky është himni shqiptar i Arbëneshëve të Zarës në Kroaci

$
0
0

himni……

Pjesë të shpërndara të një populli heronjsh,

Një familje e madhe jemi tani,

Shqiptarë ndjehemi edhe ne,

Mbështjellë me dritë dhe diell.

Po, me gjak shqiptar jemi dhe ne,

……

Këto janë disa vargje të himnit shqiptar të krijuara në Arbanas të Zarës në vitin 1913, vetëm pak kohë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Këto vargje të ndjera janë një mesazh homazhi dhe solidariteti i Arbëneshëve të Zarës me rastin e kësaj ngjarje të shënuar për gjithë kombin shqiptar.

Jo vetëm ky himn, i cili vjen si gjetje befasuese, por edhe një shkrim i sinqertë dhe emocionues mbi shqiptarët e Zarës – Arbanasit, vjen në librin e Paolo Muner ”Jo vetëm Hymni i Flamurit”. Autori përshkruan në këtë shkrim, udhëtimin e tij në Arbanas, ku historia dhe e tashmja vijnë kaq të ndyshme dhe befasuese.

Përurimi i librit ”Jo vetëm Hymni i Flamurit”, u bë nga vetë autori, Paolo Muner, një oficer i Marinës Detare italiane dhe me një lidhje të vecantë me shqiptarët, si dhe nga poetja Leonora Buçinca, në një aktivitet festiv të organizuar në Zagreb nga Shoqata Teatrale ”Mërgimtari”, Kroaci dhe Shoqata Iliria e Koperit, Slloveni, në kuadër të festimeve për 8 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Teatri Kombëtar pret zbutësit e kryeneçes

$
0
0

zbutesitPas dramës “Tri Motrat”, në skenën e Teatrit Kombëtar vjen komedia shekspiriane “Zbutja e Kryeneçes”, të cilën regjisorja Elma Doresi, e sjell premierë në fillim të marsit, pas plot 27 vitesh, e cila premton një lojë të fortë dhe të vërtetë të aktorëve në skenë

Si zbutet një kryeneçe? Këtë mund ta rrëfejë fare mirë fisniku nga Verona, Petruçioja, mëtuesi i Katerinës, vajzës së fisnikut nga Padova, interpretuar nga aktorët shqiptarë: Helidon Fino dhe Gladiola Harizaj, të cilët nga dashuria çehoviane e Rusisë së 1900–ës, në dramën “Tri motrat”, sjellin për publikun dashurinë shekspiriane të “Zbutja e Kryeneçes”, e cila vjen premierë javën e parë të marsit, nën regjinë e Elma Doresit.

Po vjen… Është e bukur. Është e vërtetë. Është e fortë. Është komedi. Është Shekspir. Është “Zbutja e Kryeneçes”, njofton në profilin e saj të Facebook-ut, regjisorja, e cila sjell pas 27 vitesh në Teatrin Kombëtar, këtë komedi.

Regjisorja u ka besuar për këtë shfaqje, aktorëve: Helidon Fino, Gladiola Harizaj, Neritan Liçaj, Lulzim Zeqja, Vangjel Toçe, Sokol Angjeli, Klodian Hoxha, Devis Muka e Klea Huta, e cila vjen në rolin e motrës së kryeneçes.

Disa prej aktorëve, janë pjesë e kastës së dramës “Tri motrat”, vënë në skenë me regji të Hervin Çulit, shfaqje e cila e hapi me sukses sezonin e ri të teatrit, me shitje rekord biletash.

Edhe kjo komedi, e cila do të vijë e konceptuar nga regjisorja Doresi, me skenografi të Genc Shkodranit dhe kostumet e Berina Kokonës- kostumografja e cila ka sjellë atmosferën e epokës së Rusisë së fundshekullit të 19–të – premton të jetë një tjetër sukses për Teatrin Kombëtar.

Doresi vjen me këtë shfaqje, pas vënies në skenë të disa shfaqjeve, si: “Karnavalet e Korçës”, “14 vjeç dhëndër”,“Nuse në thes”, “Tri mendje në ankand” etj.

“Zbutja e Kryeneçes” është komedia që besohet se Uilliam Shekspir e shkroi rreth viteve 1590- ’92.

Subjekti sillet rreth mëtimit që Pretuçioja i bën Katerinës, kryeneçes kokëfortë e të ngurtë. Fillimisht Katerina është pjesëmarrëse pa entuziazëm në marrëdhënie, por Petruçioja e kalit me një sërë mundimesh psikologjike, që bëjnë procesin e zbutjes, derisa ajo shndërrohet në një nuse të bindur dhe të urtë.

Linja e dytë rrëfen garën mes mëtuesve të motrës më të dëshirueshme të Katerinës, Biankës. elementët në dukje mizogjinë të shfaqjes, janë bërë shpesh subjekt i shumë debateve me sidomos mes akademikëve modernë.

“Zbutja e Kryeneçes” është përshtatur shumë herë për skenë, ekran, opera, balet dhe muzikal; ndoshta nga adaptimet më të famshme janë “Kiss me, Kate” ” nga Cole Porter dhe filmi i vitit 1967, ku interpretojnë yjet e Hollivudit: Elizabeth Taylor dhe Richard Burton. Komedia me adoleshentë, e vitit 1999 “10 gjërat që urrej nga ty”, bazohet vagullt te shfaqja, një pjesë nga ky film Doresi e ka cituar në Facebook-un e saj, që lë të kuptohet ndoshta që regjisorja shqiptare e ka përshtatur duke e sjellë edhe më afër në kohë. Mbetet që publiku ta zbulojë në sallën e Teatrit Kombëtar, sesi Petruçioja ia del ta zbutë kryeneçen Katerinë.

S.B

A ka strategji? Gjirokastra po shembet

$
0
0

gjirokastra e sakteDorëzohen edhe vetë monumentet. Pak ditë më parë, DRKK Gjirokastër, që kujdeset për to, ka deklaruar se 20 banesa rezultojnë në fillim të vitit 2016, në rrezik shembjeje, përveç atyre që janë shembur ndërkohë. Duket se rrënimet në këtë qytet, nuk do mbarojnë derisa muzeu të mbetet veçse një “kufomë” e lagjes së dikurshme. Mediat po japin raportime të shpeshta të dëmeve, ndërsa sensibilizon mbi këtë situatë, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë, shprehet se Gjirokastra është në limitet e emergjencës

Dorëzohen edhe vetë monumentet. Pak ditë më parë, DRKK Gjirokastër, që kujdeset për to, ka deklaruar se 20 banesa rezultojnë në fillim të vitit 2016, në rrezik shembjeje, përveç atyre që janë shembur ndërkohë. Duket se rrënimet në këtë qytet nuk do mbarojnë, derisa muzeu të mbetet veçse një “kufomë” e lagjes së dikurshme. Mediat po japin raportime të shpeshta të dëmeve, ndërsa sensibilizon mbi këtë situatë, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë, shprehet se Gjirokastra është në limitet e emergjencës.

Çfarë po ndodh në Gjirokastër? Është hera e parë që për qytetin e mbrojtur nga UNESCO, thuhet se “asnjëherë si tani rreziku i shembjeve nuk ka qenë më i madh. Kronika që vijnë përditë nga të tëra televizionet, janë të tmerrshme”. Njoftimi i fundit lidhet me rrëzimin fatal të një shtëpie 200-vjeçare. Shtëpitë që shemben, mbajnë vlera unikale, me tavane të rralla dhe afreske. Pamjet tmerruese të shembjeve janë dhënë vazhdimisht, gjendja e të cilave rrezikon edhe banesat pranë. Specialistët e DRKK për Gjirokastrën, paralajmërojnë një gjendje kolapsi për 20 monumentet që rrezikojnë, për të cilat kërkohet ndërhyrje emergjente. Së paku, një fond prej 80 mijë euro, kërkon një banesë për t’i zgjatur jetën, është një mendim, që si duket vjen nga përvojat e mëparshme të restaurimit nga ky qytet. Megjithatë, pas kësaj shume të konsiderueshme, jo pak herë është vërejtur abuzimi financiar.

Por askush deri tani nuk është denoncuar ose shkuar para ligjit, për shkatërrimin e shtëpive pas restaurimit.

Por një nga arkitektët e njohur, Arben Biçoku, në Forumin e Mbrojtjes së Trashëgimisë, është shprehur se, së pari Gjirokastra duhet parë me vizion tjetër: “Këto banesa, që ndoshta dikur mund të klasifikoheshin si krenari arkitektonike, sot kanë humbur jetën. Ato janë braktisur nga pronarët e tyre të ligjshëm. Dhe braktisja, largimi i jetës nga to, dora-dorës, patjetër që sjell rrënimin. Këto banesa, nuk mund të konservohen dhe ruhen të boshatisura, nuk do t’i vlenin të tilla, si muze, askujt. Nëse ato nuk jetohen, fati i tyre është rrënimi.

Ndaj ndërhyrja në to duhet të jetë komplekse, jo thjesht një ndërhyrje fizike restauruese. Pamjet që paraqesin kronikat, janë vërtet të tmerrshme. Por ky nuk është një shkatërrim i ndodhur në një ditë, apo në një mandat. Kjo është mënyra se si po rrënojmë vlerat, përditë, të gjithë së bashku”.

Ndonëse janë me statusin e mbrojtur nga shteti, ato kanë nevojë për restaurime emergjente, të menjëhershme. Por deri tani, si në shumë raste të tjera denoncuese, Ministria ende nuk e ka thënë fjalën e saj, çfarë strategjie do të ndjekë për rijetëzimin e Gjirokastrës, si e vetmja premisë që mund ta shpëtojë qytetin muze.

Në fakt, kjo është një ide e hedhur prej kohësh, por nga asnjë qeverisje nuk ka ndërmarrë hapa drejt “banorëzimit” të lagjes muze. Kjo mbetet një nga çështjet më të mprehta pas ndërhyrjes emergjente, fizike, në banesa. Shtëpitë e boshatisura, shpesh janë zëra për t’i lënë ato të bien më tej, të shemben.

Ndryshim radikal: Ja si do votohet tani në Eurovision

$
0
0

Ndryshon rregullorja e votimit për Festivalin Europian të Këngës.

Eurovision Song Contest bëri të ditur të enjten se rregullat e reja përbëjnë ndryshimin më të madh për këtë festival që prej vitit 1975.

Në të shkuarën, vota e publikut dhe vota e jurisë kombinoheshin së bashku për të nxjerrë rezultatin e dhënë nga çdo vend.

Një përfaqësues i çdo vendi europian më pas lexonte rezultatet.

Por tani përfaqësuesi i çdo vendi do të lexojë vetëm votën e dhënë nga juria, e cila bëhet publike.

Pasi të jepen rezultatet e jurisë profesionale, shtohen votat e publikut.

Prezantuesi i festivalit nis të lexojë më pas shumën totale që ka marrë çdo këngëtar ose grup, duke nisur nga ai që ka marrë më pak pikë deri tek fituesi.

Kjo garanton që fituesi nuk do mësohet deri në momentin final, duke i dhënë më shumë tension garës.

Jo vetëm kaq, por tanimë nuk do kemi mundësi të mësojmë se cili shtet na ka dhënë më pak pikë ose më shumë.

Shqipëria përfaqësohet në festivalin e radhës nga Eneda Tarifa.

Këtë vit festivali mbahet në Stokholm më 14 maj.


Video: Erosi i Ali Pashës

$
0
0

the-pashas-favouriteNdoshta askush nuk e kishte menduar që pas diplomatit dhe një burri shteti hijerëndë siç ishte Ali Pashë Tepelena, të fshiheshin dëshira të zjarrta dhe erotike.

Çfarë ka ndodhur në haremin e luanit të Pashallëkut të Janinës, rreth dy shekuj më parë, piktores Natasha Bega i është dashur një vit për ta sjellë për publikun në telajo përmes ekspozites së çelur ne Muzeun Historik Kombëtar.

“Kësaj here nuk u mora me politikanin, diplomatin dhe atë luftëtarin rebel dhe mizor, u mora me Aliun njeri. Zbulova pikat e dobëta të tij, se çfarë i kishte ndodhur dhe përse ai tragjedinë e tij të përdhunimit të nënës dhe motrës e ktheu në eros”, u shpreh piktorja Bega.

Në shpirtin e Ali Pashës fshiheshin ndjenja të ndrydhura, ndjenja të cilat Natasha Bego i shpreh në kuadrot e saj.

“Aliu kërkonte ekulibret sepse ishte ç’ekulibruar qendra e tij si njeri. Ai është i struktur në dashurinë e tij. Koka e Ali Pashës është e nderur në prehërin e Vasiliçis që është ikona e dashurisë e Ali Pashës”, vijoi Bega.

Një nga pikturat e ekspozitës ka ngjallur më shumë interesin e vizitorëve dhe për këtë arsye Bego ka vendosur të shpallë një ankand për shitjen e saj./TCH/

Erotizmi “pushton” galeritë, provokojnë artistet femra (+16)

$
0
0

Ato kanë pushtuar galeritë e kryeqytetit.

Erotizëm edhe me figurat historike, nudo që lundrojnë në ngjyra apo thjesht bardh e zi janë ekspozohen këtë javë kryeqytet.

Të gjitha komunikojnë me publikun me telajot e artisteve femra.

E para, ishte Lumturi Blloshmi e cila edhe pse e grishi publikun me punimet që rrëfenin politikanët shqiptarë në një këndvështrim tjetër, nuk shpëtoi pa e tërhequr publikun në këndin e nudove.  Mes tablove plot ngjyra, Blloshmi nuk denjoi të përcillte edhe një vepër ku në qendër ishte vetë ajo.

Debati i javës, edhe për më skeptikët do të vinte nga një artiste e re, Meri File, e cila rrëfente përmes një nudoje me ferexhe një shoqëri të ndrydhur seksualisht si ajo shqiptare.

E ekspozuar mes punimeve të 19 artistëve të tjerë në muze, vajza me ferexhe arriti të tërheqë menjëherë vëmendjen e të gjithëve. Ajo që nuk pritej nga grafistja e parë shqiptare do të vinte në Galerinë Kombëtare të arteve pak ditë më vonë.

Artistja Dhrami nuk kishte ekspozuar kurrë më parë pasi veprat e saj të mbetura në Poloni ku kishte studiuar nuk u njohën asnjëherë nga shqiptarët.

Nudot bardh e zi, por edhe ato me ngjyra u ciëlsuan nga kritikët dhe kuratorët si tablotë që do të hynin në historinë e artit shqiptar.

Dhe më e fundit, por jo më pak e rëndësishmja është erotizmi i Ali Pashë Tepelenës.

Ai zhvishet nga mizoria, hakmarrja dhe dëshira për të sunduar.

Sepse në telajot e Natasha Begës ai shkrihet bukur me vajza haremi, sigurisht pa harruar edhe të bukurën Frosinë të Janinës, siç preferonte ta quante vetë Ali Pashë Tepelena./Vizion Plus

ME POSHTE DISA PUNIME NGA MERI FILE

Laguna e Karavastasë mbledh koloninë e piktorëve

$
0
0

kolonia piktoreveKolonia e piktorëve të peizazhit, organizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit, mblidhen në Lagunën e Karavastasë. Për katër ditë, nga sot e deri më 23 shkurt, 30 artistë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, do të realizojnë punime, frymëzuar nga peizazhi piktoresk i kësaj zone.

Projekti që nisi pranverën e vitit 2014, ka bërë të mundur realizimin e më se 30 kolonive të piktorëve të peizazhit, që kanë shëtitur për të hedhur në telajo territore piktoreske të ndryshme të Shqipërisë dhe të rajonit të Ballkanit, madje edhe të përtej Adriatikut, duke nisur me Vlorën e rrethinat e saj, bregdetin e Dhërmiut e Himarës, duke zbritur në Sarandë e Delvinë, në Ksamil e në fshatrat përreth, duke u ndalur në Fier, në Shkodër, në Ulqin të Malit të Zi, në Plavë e Guci të Malit të Zi, në Vermosh, Valbonë, Bogë të Kosovës, Kukës, te arbëreshët e Italisë, te shqiptarët e Shkupit, në Janinë të Greqisë, e në shumë vende të tjera. Si rrjedhojë e natyrshme e këtyre kolonive, janë realizuar më shumë se 35 ekspozita vetjake dhe të përbashkëta, brenda e jashtë vendit.

Ky aktivitet synon në të gjitha rastet, para së gjithash, mbështetjen e veprimtarisë së artistëve figurativë, nëpërmjet krijimit të kushteve optimale për krijimin e kontaktit të tyre të gjallë me bukuritë e natyrës dhe vlerat arkitektonike të krijuara ndër breza, si edhe mundësinë e shkëmbimit të përvojave dhe diskutimit spontan, rreth përdorimit të teknikave të ndryshme në realizimin e tablove; pasqyrimin në mënyrë artistike të vlerave autentike të natyrës sonë, për të bërë në mënyrë origjinale një promocion të shkëlqyer në shërbim të nxitjes së turizmit; gjallërimin e jetës artistike kudo ku kolonia zhvendoset e vendos të punojë; bashkëpunimin me artistët figurativë të vendeve që vizitojmë dhe i bëjmë objekt të punimeve të tyre dhe krijimin e kontaktit të drejtpërdrejtë të artistit me artdashësit e shumtë, që jo domosdoshmërisht jetojnë në kryeqytet.

Programi i realizimit të kolonisë së Divjakës e Karavastasë, përfshin si seanca pune në natyrë, ashtu edhe seanca pune në mjedise të mbyllura, me modele të veshura me kostume popullore të zonës. Në të do të marrin pjesë mbi 30 artistë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Në mbrëmjen e datës 22 shkurt, do të realizohet edhe ekspozita përmbyllëse e kësaj kolonie, ku do të përfshihen punët e realizuara nga piktorët pjesëmarrës, gjatë katër ditëve që do të zgjasë ky aktivitet.

Trotuari zhduk këtë mrekulli arkeologjike në Durrës

$
0
0

trotuariArkeologia e njohur, Lira Miraj, ka postuar këtë foto në FB.

Sipas saj, një mozaik brilant, një nga zbulimet më të mrekullueshme në fushën e mozaikëve në Mesdhe, është ‘zhdukur’ nga trotuari në Durrës.

“Mozaiku me motive marine, që datohet në shek. I p. Kr., u zbulua në vitin 1947 gjatë disa punimeve për infrastrukturën e qytetit dhe gërmimet u kryen nga Vangjel Toçi. Mozaiku u gërmua në tërësinë e tij në 50 m2. Mozaku u rizbulua dhe u dokumentua ne vizatim te detajuar, në fund të viteve ’80 e fillim të viteve ’90, nga Moikom Zeqo dhe gjatë kësaj rihapje u morën masa për mbulimin e tij me masa mbrojtjeje”, shkruan arkeologia Lida Miraj, ndërsa pyet “Po sot? Mozaiku është akoma aty, ndën një trotuar dhe pret që të rihapet, për të treguar trashëgiminë e pasur kulturore të Durrësit, si një nga qendrat më të rëndësishme të Mesdheut!”

Kumbaro: Qytetet historike nuk i mirëmban dot vetëm shteti

$
0
0

mirela kumbaroMinistrja e Kulturës Mirela Kumbaro, në një intervistë për “Mapo”, jep përgjigje se çfarë po ndodh me monumentet e rrezikuara; mohon limitet e emergjencës në Gjirokastër, pavarësisht alarmit të specialistëve në krye të këtij viti, se 20 shtëpi po shemben, ndërsa për herë të parë thotë se Ministria do të organizojë “dëgjesë” me specialistë e grupe interesi për lagjen-muze, ndonëse duket se është vonë për të reflektuar mbi rrënimin, Kumbaro vazhdon ta kalojë fajin te paraardhësit

Intervistoi: Violeta Murati

Ka një sensibilitet kohëve të fundit, duke rikthyer sërish në vëmendje të ditës, trashëgiminë kulturore. Denoncime që po vijnë pothuaj çdo ditë mbi shkatërrimet, rrënimet dhe mungesa e investimit nga Ministria e Kulturës. A mund të na thoni së pari, nëse e ndiqni këtë situatë, dhe meqë janë bërë publike projektet artistike ku përfshihet dhe trashëgimia, për ç’fond bëhet fjalë për 2016, dhe ku janë të orientuara ato?

Duke falenderuar për pyetjen, më lejoni t’ju sjell në vëmendje se sensibiliteti nuk është i ditëve të fundit, por si nga ana e MK, ashtu edhe nga ana e opinionit publik, ai ka qenë i fortë që ditën e parë që kam marrë detyrën e deri sot. Dhe kjo ndodh jo sepse ka “shkatërrime”, por se ka kantiere sa s’ka patur asnjëherë në 25 vite. E gjetëm në një derexhe trashëgiminë, sa s’ka fjalë ta tregojë. Jo vetëm s’ishte vënë dorë në tërësinë e monumenteve në 25 vjet, po as nuk dinim ku i kishim e ku s’i kishim pasuritë tona kulturore. Për të parën herë që nga vitet ’80, u përditësua inventari i plotë me koordinata të sakta, me kartelë dhe fisha teknike për çdo monument, pasi u verifikua, ekzistenca, gjendja, rrezikshmëria, tipologjia për secilin prej tyre. Paralelisht u ndërtuan platformat digjitale të vendndodhjes së tyre, çka u mundëson të gjithë aktorëve zhvillues apo politikëbërës në vend, të planifikojnë projektet para se të ndërhyjnë në territor. Kemi sot 1892 monumente kulture, ndërsa 600 të tjera janë në proces verifikimi. Janë rreth 138 të tjera që nuk ekzistojnë më dhe figuronin të papërditësuara në lista, krejt jashtë realitetit. Objekte plotësisht të shkatërruara, kemi shifrën prej 112 objektesh. Pas viteve të tëra vakuumi në informacion, jemi njohur me situatën dhe gjendjen fizike të çdo monumenti. Me dhjetëra projekte mirëmbajtjeje dhe ndërhyrje emergjente, janë kryer gjatë dy viteve në monumentet. Mjafton të vizitoni faqet e drejtorive rajonale, për të kuptuar ditët e mbushura me punim mirëmbajtjeje.

Nga ana tjetër, përcaktuam kësisoj listën e emergjencave dhe të prioriteteve dhe filluam menjëherë me hartimin e projekteve restauruese dhe sot kemi mbi 30 projekte të gatshme që presin të financohen, përfshi dhe kishën e Mesopotamit, organizuam operacionet e shpëtimit në monumentet më të rrezikuara, siç janë restaurimi i afreskut të Kishës së Valshit në Elbasan, që u dhunua barbarisht në 2013, shpëtimi i Kishës së Ristozit në Mborje, Kisha e Shën Evangjelizmoit në Berat, Kisha e Shën Spiridhonit në Vuno, Banesa me pronarë Babameto – e njohur si shtëpia e Çabejt në Gjirokastër, Banesa Reso në Gjirokastër, Kisha e Karavastasë, Kisha e Shën Mërisë dhe Trapezaria ne Apolloni, Termat romakë ne Durrës, Amfiteatri i Durrësit, Teatri Migjeni në Shkodër- monument kulture, Kalaja e Gjirokastrës, Kullat 5,6,7,8 në Kalanë e Beratit, Xhamia e Plumbit në Shkodër, Xhamia Mbret në Berat, ndërtesa e Muzeut Etnografik në Elbasan, Muret rrethuese jugore te Kalasë së Lezhës, Muret rrethuese të Kalasë së Janinës, Pazari i Krujës, Pazari i Korçës, kisha e Shën Pjetrit në Vithkuq, Kisha e Shën Thanasit në Karavasta etj. Ndërkohë, që prej dy vitesh, janë ndalur gërmimet klandestine, vjedhjet dhe grabitjet e kishave, dhunimet e monumenteve nga keqbërësit, ndërtimet pa leje. Lista është edhe më e gjatë, por mund ta gjeni të plotë në faqen e internetit të IMK dhe të MK. Projektet artistike për vitin 2016 që përmendet, s’kanë lidhje me mirëmbajtjen e monumenteve, por më së shumti me promovimin e tyre, si dhe me jetën dhe kalendarin artistik të vendit, që ndërtohet përmes skenës së pavarur. Nëse këto quhen shkatërrime, rrënime e mungesë vëmendje dhe investimesh, atëherë kemi kuptime të ndryshme për fjalët.

Shqetësimi i parë dhe më i rëndësishëm, lidhet me Gjirokastrën. Në këtë fillim viti, raportohet për një situatë të jashtëzakonshme duke numëruar, deri tani mbi 20 shtëpi të kategorisë së parë të shkatërruara, a është në dijeni Ministria për Gjirokastrën e rrezikuar?!

Më lejoni të saktësoj dhe të sjell në vëmendjen e publikut, faktin se nuk raportohet një situatë e jashtëzakonshme në këtë fillim viti. Por në vjeshtë të 2013-s, qeveria shqiptare ka vënë alarmin për gjendjen e rëndë në të cilën e gjeti Gjirokastrën, dhe jo vetëm, mungesën totale të vëmendjes, rëndimin e situatës me ndërtime të paligjshme, aq sa UNESCO kishte vënë këmbanat e alarmit. Kjo ishte arsyeja pse vendosëm menjëherë moratoriumin për pezullimin e ndërtimeve në zonat e trashëgimisë dhe specifikisht në Gjirokastër. Rivendosëm menjëherë urat e këputura me UNESCO dhe organizuam forcat e punës, për të përballuar emergjencën, duke u përpjekur të shpëtojmë banesat e shumta (mbi 700) shekullore, të braktisura nga pronarët, të pambajtura prej banorëve, të pakujdesura nga shteti për 25 vjet, të abuzuara financiarisht. Amortizimi i tyre, nuk ndodh as në një vit e as në dy, por në dhjetëra vite harrese. Pasi frenuam të gjitha ndërhyrjet e paligjshme, përmirësuam kuadrin ligjor me rregulloren e re të administrimit të Qendrës Historike, ndërtuam planin e ndërhyrjes mirëmbajtëse në bashkëpunim me UNESCO, dhe për të gjitha këto morëm një vlerësim shumë pozitiv nga Komiteti Botëror për Trashëgiminë, i cili në mbledhjen e fundit në 2 korrik 2015 në Bon, e nxori Gjirokastrën nga gjendja e rrezikut dhe përgëzoi qeverinë shqiptare për ecurinë e lavdërueshme në reformat e sistemit të trashëgimisë. Po ruajmë nga shembja pjesën dërrmuese të banesave, siç vepruam me ndërtesën gjashtëkëndore te Qafa e Pazarit, me shtëpinë e ashtuquajtur e Çabejt, me banesën Papadhopudhi, me banesën Demiri, në banesën Koçi, Beqiri, Zeko, e kështu me radhë.

Por ky është objektivi minimal, dhe nuk mund të jetë afatgjatë, sepse siç e kanë treguar edhe periudhat e reshjeve të forta, kur u rrëzua një pjesë e murit të banesës së braktisur Lolomani.

Gjirokastra ka nevojë për një operacion frontal dhe të organizuar në nivel të lartë dhe një fond të fuqishëm investimi. Kjo është arsyeja pse pas analizave dhe përgatitjes së fishave teknike shtëpi më shtëpi, pas shumë shkëmbimeve me donatorë potencialë, në fund të vitit 2015 është ndërtuar e filluar tashmë plani strategjik, i cili përfshin disa partnerë:

– Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Fondacionin Amerikano-Shqiptar të Zhvillimit, kanë nisur tashmë punën për projektin e restaurimit të Qafës së Pazarit dhe të një numër banesash, projekt që do të jetë gati në fund të pranverës për të vijuar më pas me kantierin e restaurimit.

– Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Atelier Albania dhe financim të qeverisë shqiptare, organizuan konkursin ndërkombëtar për unazën e Qendrës Historike, me qëllim që pas restaurimit ajo të kthehet në këmbësore, projekti do të përfundojë në të njëjtën kohë me projektin e restaurimit, dhe kantieret do të ecin paralel.

– Ministria e Kulturës ka filluar bashkëpunimin që prej më shumë se një viti me agjencinë turke TIKA për rilevimin dhe përgatitjen e projekteve të kalldrëmeve të tjera të Gjirokastrës dhe të Kalasë, projekti ka mbaruar, pritet që agjencia turke të fillojë punimet.

– Ndërkohë Ministria e Kulturës, siç dhe e bëri të njohur Kryeministri gjatë ceremonisë së hapjes së Shtëpisë Kadare, ka filluar punën për projektet e restaurimit të 12 banesave, më të rrënuarat e më të rrezikuarat, monumente të kategorisë së parë, të braktisura nga pronarët, për t’i rijetëzuar në një rrjet shtëpish me funksion social kulturor e hotelier dhe për të krijuar kështu një tjetër guidë të qytetit të gurtë. As Roma s’u ndërtua në një ditë, por e rëndësishme është që MK, IMK dhe DRKK punojnë çdo ditë.

  1. A keni “vizituar” pas sinjalit të dhënë nga media, për këtë situatë, qytetin?

Po të ndjekim raportimet e Ministrisë së Kulturës, të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe të Drejtorive Rajonale, kuptohet fare mirë itinerari dhe kalendari i inspektimeve, jo vetëm të specialistëve, po edhe të miat personalisht. Unë vetë kam qenë 4 herë në Gjirokastër, që kur ka filluar ky vit. Ju siguroj që inspektojmë sitet e trashëgimisë çdo ditë dhe nuk presim sinjalizimet e medias, se përndryshe do të ishte tepër vonë. Por nga ana tjetër, pohoj me kënaqësi se çdo sinjalizim në rrjetet sociale, edhe kur është i pasaktë, edhe kur është i rremë, është një zile alarmi me vlerë, që tregon se ka vëmendje dhe se nga ana tjetër mirëmbajtja e monumenteve, nuk është vetëm detyrë e specialistëve, por e gjithë shoqërisë.

Kur do ta ketë fjalën e saj Ministria e Kulturës për të ndërhyrë në zonën muzeale, projekt konkret?

Besoj e dhashë këtë përgjigje më sipër.

Në fakt, banesat e Gjirokastrës sot, janë braktisur nga pronarët, duke e lënë lagjen-muze, pa jetë. Në këtë rast, specialistët flasin për një ndërhyrje më komplekse, jo thjesht si ndërhyrje fizike restauruese. Ky qytet e ka rrënimin prej vitesh, dhe jo tani, shpesh është folur sidomos prag fushatash politike për rijetëzim të tij, por asgjë. Ja ku jemi dhe kërkojmë një përgjigje nga ju, nëse ekziston në Ministri një vizion, strategji shpëtimi; pse asnjëherë nuk është organizuar një debat për këtë temë, me aktorët dhe të interesuarit, meqë ju nuk ia dilni dot vetë, si Ministri (siç po e tregon koha)? Alarmi është: Janë limitet e emergjencës.

Edhe kësaj pyetjeje iu përgjigja më sipër. Por po shtoj gjithashtu se jemi në bashkëpunim të ngushtë me bashkinë e Gjirokastrës. Jemi në kontakt edhe me komunitetin. Unë vetë kam shkuar dy herë në Gjirokastër për takime të tilla, në njërin prej tyre, së bashku me Kryeministrin Rama. Dhe sërish jam kthyer në komunikime me banorët, gjatë organizimit të konkursit të unazës së Qendrës Historike për të prezantuar idetë e sipërpërmendura. Ndërkohë për të prezantuar projektet konkrete, kemi parashikuar dëgjesa me grupe të ndryshme të interesit dhe me publikun.

Është shumë e rëndësishme të kuptohet që qytetet historike nuk mund të mirëmbahen vetëm nga shteti. Kurrsesi. Duhet një pjesëmarrje e gjerë nga banorët, biznesi, shoqëria. Indiferenca e shkatërron monumentit më shumë se sa mungesa e investimeve. Nuk mund t’ia falim pronarit të banesës gjashtëkëndore te Qafa e Pazarit, që në katin përdhes jep mjedise me qira dhe një kat më sipër, nuk hedh asnjë qindarkë për mirëmbajtje, duke menduar se do vijë shteti t’ia mirëmbajë. Kjo qasje më duket mizore dhe duhet të ndryshojë. Prandaj do bëjmë dëgjesa publike.

Një situatë e ngjashme është dhe shtëpia e Flamurit në Korçë, kur para tri viteve, Ministria pati premtuar se do ta rindërtojë. Gjendja vazhdon, dhe pak ditë më parë Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë, e ka bërë kauzë kryesore për 2016, ndërsa pritet reagimi i zyrtarëve të lartë të qeverisë, të cilët nuk po guxojnë të shprehen, pse? A do të keni sërish fjalë premtuese? Konkretisht!?

– Jemi angazhuar qysh në fillim, se pavarësisht se qeveria pararendëse jo vetëm s’u kujdes, por edhe kontribuoi në shkatërrimin e monumenteve, siç është rasti i Shtëpisë së Flamurit në Korçë, ne do merrnim masat që ajo të rindërtohet. Ky natyrisht nuk është më restaurim, por rindërtim i një kopjeje të ndërtesës së parë. Për këtë përgatitëm në IMK, projektin e plotë të rikonstruksionit, si një model identik të shtëpisë origjinale. Filluam negociata shumë të gjata me pronarët e truallit, të cilët u angazhuan dhe premtuan se do e rindërtonin duke e rijetëzuar ndërtesën.

Tashmë ne jemi të mendimit se pronarët kanë gënjyer dhe kanë hequr zvarrë premtimin për rindërtim të shtëpisë. Kjo është arsyeja pse Ministria e Kulturës ka filluar prej disa kohësh procedurën e shpronësimit të truallit, procedurë e cila do marrë kohën e vet prej disa javësh. Në fund të saj, shteti do të marrë përsipër ndërtimin si një muze të Flamurit, siç edhe ka qenë para disa dekadash.

Kisha e Dervenit në Fushë-Krujë, kisha në Malin e Robit, dhe mjaft raste të tjera, po paraqesin probleme degradimi, si nga koha, natyra ashtu dhe indiferenca institucionale për t’i mbajtur e konservuar. A ka menduar Ministria, çfarë do të bëjë me këto raste?

Kisha e Dervenit, e cila ka një pozicion delikat, sepse është në nivel shumë të ulët dhe mbledh ujë, sidomos në periudhë reshjesh, është rasti tipik që tregon se sa keq është administruar trashëgimia kulturore në vite. Pa asnjë koordinim, Instituti i Arkeologjisë ka kryer gërmime në vitet 2006-2008, pa kryer konservim, pa u organizuar me IMK ose MK për të planifikuar buxhetet përkatëse, pa asnjë plan drenazhimi, dhe ca më keq asnjëherë Ministria e atëhershme e Kulturës nuk pat ndërhyrë për ta parandaluar këtë gjë. Drejtoria Rajonale Durrës, ka ndërhyrë, me pompë po bën tharjen e vendndodhjes, drenazhimin, pastrimin, si dhe riparimin e strehës mbrojtëse.

Më tej kjo do të ndiqet nga një projekt restaurimi.

Sa herë bëhen denoncime, që vijnë nga specialistë dhe forume të ngritura së fundi për mbrojtjen e trashëgimisë, është vënë re se ju nuk keni ndjeshmërinë për t’u përgjigjur së paku përmes njoftimeve për shtyp për fatin e tyre, pse  nuk reagoni në kohë reale për këto situata?

Nuk ndaj aspak të njëjtin mendim. Ministria e Kulturës, dhe unë personalisht, u përgjigjemi brenda ditës të gjitha pyetjeve, kërkesave për intervista apo për informim që vijnë qoftë nga mediat, qoftë nga qytetarët apo subjekte të ndryshme të interesuar. U përgjigjemi të gjitha mesazheve që vijnë individualisht apo formalisht, personalisht apo publikisht dhe falënderojmë çdo qytetar që na sinjalizon çdo merak. Janë po ashtu të shumtë specialistët që na kontaktojnë ose na shkruajnë dhe me të cilët jemi rregullisht në komunikim.

Nga ana tjetër, në faqet tona zyrtare dhe në rrjetet sociale, ka çdo ditë informacion të bollshëm për të gjitha punët që kryejmë, si për ato rutinë, si për kantieret e planifikuara, ashtu edhe për ndërhyrjet e emergjencës. Edhe për pyetjet që ju bëni në këtë intervistë dhe që i gjej me shumë interes, po të kërkoni në faqet tona do t’i gjeni edhe më shumë informacion nga sa thashë më lart, ndërsa mbetemi të hapur për çdo temë tjetër.

Dua të theksoj se është në interes të trashëgimisë kulturore, që e gjithë shoqëria të jetë e sensibilizuar dhe të komunikojë me realizëm dhe dëshirë për të bashkëpunuar. Natyrisht, çka nuk është bërë në 25 vjet nuk ndreqet në dy vjet e gjysmë, por asnjëherë nuk është punuar me këtë intensitet dhe vizion prioritetesh. Jemi gjithashtu në fazën finale të hartimit të ligjit të ri për trashëgiminë, i cili do të sjellë ndryshime themelore në sistem dhe kushte të favorshme për një mbrojtje dhe vlerësim më cilësor dhe të qëndrueshëm të trashëgimisë.

Si po funksionojnë aktualisht hallkat e monumenteve, atelietë, drejtoritë rajonale, pasi një arsye vjen prej tyre për shkak të nivelit të diskutueshëm të restaurimit. Çfarë do të bëhet në këtë drejtim, do të vazhdojnë t’u jepen leje firmave që bëjnë llaç e beton dhe jo punë restauruese, dhe të pambikëqyrur?

Së pari, duhet saktësuar se asnjë punim në këto dy vite, nuk kryhet pa mbikëqyrje të specialistëve tanë. As edhe një. Dhe në asnjë raport teknik apo inspektim nuk rezultojnë të tilla citime.

Së dyti, le të lexojmë ligjin për prokurimin publik dhe ligjin për trashëgiminë kulturore, se ka një kornizë ligjore që përcakton qartësisht rregullat dhe kriteret e prokurimit publik në përzgjedhjen e ndërmarrjeve, të cilat duhet të jenë të pajisura me licenca restaurimi.

Së treti, MK ka rishikuar dhe forcuar rregullat e dhënies së licencave në fushën e restaurimit.

Së katërti, konstatojmë me keqardhje që në 25 vjet nuk është bërë asnjë investim në formimin as të vazhduar dhe as fillestar në fushën e restaurimit.  Kjo ka sjellë pasojat e veta, duke krijuar një boshllëk në brezat e njëpasnjëshëm të restauratorëve, dhe bash për këtë ne vazhdojmë të ruajmë me fanatizëm marrëdhëniet me vullnetmirët e restauratorëve të brezit të pjekur, si: Piro Thomo, Emin Riza, Mustafa Arapi, Aleksandër Meksi etj., me të cilët këshillohemi.

Ndërkohë përfitoj nga kjo intervistë për të ndarë me ju një tjetër front pune që sapo e kemi hapur: Kemi filluar tashmë punën për hartimin e një programi intensiv formimi, për të gjallëruar qendrën e trajnimeve në IMK. Jemi në bashkëpunim me Universitetin Politeknik, për të harmonizuar formimin e vazhduar me atë fillestar për Restaurimin. Natyrisht ky është një kantier afatgjatë dhe do t’i japë frytet e veta në vitet në vijim. Ndërkohë kemi dy vjet që organizojmë kurse trajnimi për sektorë të ndryshëm të restaurimit, me punonjësit që ndodhen në sistemin e trashëgimisë, por edhe për pjesëmarrës nga rajoni, në bashkëpunim me UNESCO dhe me Institucione homologe ndërkombëtare. E sigurt është që ka filluar kthesa e madhe në administrimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

Ndahet nga jeta shkrimtarja Harper Lee: Zogu përqeshës dhe jeta larg famës

$
0
0

harper leeeShkrimtarja, romani i  së cilës “To kill a mockingbird” – përkthyer në shqip “Të vrasësh  zogun përqeshës”  u bë një tekst përkufizues për letërsinë e shekullit XX dhe për shqetësimet racore në jugun e ShBA-së,  është ndarë nga jeta ditën e djeshme në Monroeville të  Alabama –s.

Lee apo Nelle  siç njihej prej njerëzve të afërt,  prej vitesh jetonte në një azil pak kilometra nga shtëpia ku ajo ishte rritur në Monroeville të Alabama -s, mjedisi për Maycomb-in imagjinar të  librit të saj të famshëm.  Vdekjen e autores e ka konfirmuar Kryebashkiaku Mike Kennedy.

Deri vitin e shkuar, Lee-ja kish qenë një lloj mrekullie letrare prej një libri. “Të vrasësh zogun përqeshës”  shkruar në vitin 1961, narrativa epike rreth betejës së  një avokati të një qyteti të vogël  Atticus Finch –it, për të shpëtuar jetën  e një banori të zi kërcënuar nga një gangster racist, shiti më shumë se  40 milionë kopje në të gjithë botën dhe i dha asaj një çmim “Pulitzer”.  George Bush –i e nderoi me medaljen  presidenciale të lirisë më  2007-ën.

Por që nga momenti që “Zogu përqeshës…”  u botua  ndaj suksesit thuajse të menjëhershëm autorja në mënyrë  të vazhdueshme shmangu vëmendjen publike dhe ngulmoi se nuk kishte për qëllim të botonte vepra të tjera. Kjo perde e vetë-imponuar përfundoi kur mes debateve të konsiderueshme ,  një vit më parë u bë e ditur  një roman i dytë i zbuluar se ish botuar  si “Go Set a Watchman”  në korrik të vitit 2015.

Shtëpia ku Lee-ja kishte jetuar për vite me të motrën, Alice-n , u zbraz dhe ra në qetësi të premten. Brendia e shtëpisë dukej e pandryshuar nga koha kur ajo jetoi atje- mobiliet antike të mbushura me libra, kaseta audio dhe shporta me dhurata.

Fqinja e saj për  40 vjet, Sue Sellers-i,  është shprehur se Lee-ja do ta vlerësonte qetësinë. “Ajo ishte njeri shumë privat” – ka thënë ajo. “Gjithçka që donte ishte privatësia, por nuk pati shumë. Ishte gjithnjë dikush që e ndiqte”.

Vitet e fundit shëndeti i saj u përkeqësua. Seller-i ka thënë se  herën e fundit që  e takoi Lee-në ishte një mëngjes në restorant. “Gjatë kthimit në shtëpi ajo ngau makinën e saj të madhe në korsinë e kthimit. Nuk mund të shihte. U frikësova për vdekje”.

Herën e fundit që e pa Lee-në ishte disa muaj më parë në  azilin e Meadoës-it. Sellers-i  i çoi lule. “Ajo thërriti:  Nuk mund të shoh dhe nuk mund të dëgjoj!”, është shprehur Sellers-i, duke shtuar “Kështu që i thashë thjesht mirupafshim”.

Lee  u lind  në  Monroeville më 1926 –ën dhe u rrit nën tensionin e izolimit. Si fëmijë ajo e  kalonte verën me një tjetër shkrimtar aspirant,  Truman Capote, i cili çdo vit vinte të jetonte në shtëpinë ngjitur me të sajën dhe që më vonë e ftoi Lee-në ta shoqëronte në Holcomb të  Kansas-it, për ta ndihmuar  në kërkimin për librin e tij të vitit 1966 “In cold Blood” . Figurën  e djalit të vogël Dill në Mockingbird ,  Lee e kish modeluar sipas shokut të saj të fëmijërisë, Capote-së.

Lee-ja ishte më e vogla e fëmijëve të avokatit  Amasa Coleman Lee dhe Frances Finch Lee.

I ati i shërbeu si model për  Atticus Finch –in  dinjiteti i të cilit tek lufton në sallën e  gjyqit në përfaqësimin e një njeriu  të zi,  Tom Robinson, i akuzuar se kishte përdhunuar një grua të bardhë  përbën  shtyllën etike të romanit.

Botimi i vitit të kaluar  “Go Set a Watchman”  i detyroi admiruesit e romanit të rivlerësonin personazhin e Finch-it.   Në atë roman, i cili ishte në fakt skica e parë e “Zogut përqeshës…” që ishte refuzuar  nga botuesi i saj , Finch-i  ishte portretizuar si një mbështetës i  ligjeve të Jugut të Jim Croë-t,  ndërsa thoshte: “A i do Negrot nëpër automjete në shkollat tona, në kisha dhe teatro?

Agjenti i saj letrar Andreë Nurnberg është shprehur në një deklaratë “ Kemi humbur një  shkrimtare të madhe, një mike të madhe dhe një  fener të integritetit” , ndërsa ka shtuar “ Duke e njohur Nelle-in vitet e fundit ka qenë jo vetëm kënaqësi por një privilegj i jashtëzakonshëm. Kur e pashë gjashtë javë më parë, ajo ishte plot jetë, mendja  e saj dhe zgjuarsia  ishin më të mprehta se kurrë. Ajo po citonte   Thomas More –in  dhe më çoi drejt e në historinë e Tudor-ëve”

Michael Morrison,  botuesi i saj në HarperCollins US, ka thënë: “ bota e njeh Harper Lee-në si një shkrimtare brilante por  çka shumë njerëz nuk dinë është se ajo ishte një grua e jashtëzakonshme  me një gëzim të madhërishëm,  përulësi dhe mirësi. Ajo e jetoi jetën në mënyrën që deshi- në privatësi- rrethuar nga libra dhe njerëz që e deshën”.

Në shtetin e Lee-së , Alabama, një epiqendër e  përmbysjeve të dhunshme mbi të drejtat civile që menjëherë i paraprinë botimit të “ Të vrasësh zogun përqeshës” ekspertët letrarë kanë reflektuar mbi fuqinë e romanit për të ndryshuar hamendësimet e ingranuara të alabamasve të bardhë.  Jacqueline Trimble, presidente e Forumit të Shkrimtarëve të Alabama-s  që  akordon çmimin e përvitshëm  “Harper   Lee “  për ekselencë  letrare  ka thënë se libri ka një ndikim të thellë në  qytetarët e bardhë të këtij shteti.  “Ajo ishte e aftë të merrte politikat e  epokës së të drejtave civile dhe t’i bënte ato njerëzore. Ajo u tregoi njerëzve se kjo ishte rreth fqinjëve të saj, miqve, dikujt që njihte, jo vetëm rreth çështjeve”- është shprehur Trimble.

“Tim Cook,  CEO –ja i   Apple,  shkruante në rrjetin social Twitter një citim nga libri “Të vrasësh zogun përqeshës” : “E vetmja gjë që nuk pajtohet me rregullat e shumicës është ndërgjegjja e një njeriu”.

 

 

Ndahet nga jeta shkrimtari i njohur italian Umberto Eco

$
0
0

umbertoBota humbet një nga shkrimtarët dhe filozofët më të rëndësishëm bashkëkohorë. Umberto Eco, i njohur për lexuesin ndërkombëtar me romanin “Emri i trëndafilit”, është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare. Lajmin e dha në mbrëmje vonë familja e tij për gazetën “La Repubblica”.

Umberto Eco ishte një nga filozofët, kritikët letrarë dhe novelistët më të shquar të kulturës italiane dhe ndërkombëtare. Librat e tij janë të përkthyer në shumë gjuhë të huaja.

Eco ishte gjithashtu president i Universitetit të Bolonjës dhe person nderi në Universitetin e Oksfordit. Ai ka shkruar tekste akademike, libra për fëmije dhe shumë ese./TCH


Artistët protestojnë te Rama: Por ç’do të thotë ‘feshizëm’

$
0
0

artistetPërmes një performance artistike, pjesëtarë të shoqërisë civile kritikuan qasjen e mbyllur të Qendrës për Hapje dhe Dialog, një institucion i krijuar për të promovuar artin dhe shkencën, nën varësinë e kryeministrit.

Nga Ivana Dervishi, BIRN

Artisti Ergin Zaloshnja dhe pjesëtarë të shoqërisë civile organizuan përpara Kryeministrisë një performancë artistike të titulluar “Feshizëm” për të kritikuar mungesën e transparencës së Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD).

“Qendra për Hapje dhe Dialog nuk po funksionon si mjedisi i mendimit kritik që duhej të krijonte dialog mbi artin, por në fakt si një sallon elitar i artistëve të përzgjedhur në linjën artistike të kryeministrit Rama,” tha për BIRN, Ergin Zaloshnja, artisti organizator.

“E quaj të nevojshme që arti të jetë i hapur ndaj mendimit kritik të njerëzve, por COD ka treguar se është i mbyllur për mendimin ndryshe, përkundër synimit të krijimit të tij”, shtoi ai.

Në korrik të vitit 2015 Këshilli i Ministrave miratoi krijimin e Agjencisë së Menaxhimit të Qendrave për Hapje dhe Dialog, AMQHD, e cila ka mision mbështetjen e projekteve e të programeve për një shoqëri të hapur dhe institucione më pranë qytetarëve, shoqërisë civile dhe aktorëve të ndryshëm të fushës së shkencës e të artit.

Agjencia është një institucion juridik publik i propozuar dhe në varësi të kryeministrit.

Edhe pse vetë një artist, kryeministri Rama është kritikuar shpesh për promovimin e vetes gjatë mbajtjes së pozicionit publik.

“Logoja ‘Feshizëm’ nënkupton qasjen e modës që kryeministri Rama ka bërë ndaj prezantimit të reformave të tij dhe investimet në fasadën e politikave,” sqaroi Zaloshnja.

“Nga ana tjetër inkorporohet me Fashizmin, pasi mjedisi ku ka selinë Qendra për Hapje dhe Dialog është vepër e një arkitekti fashist, por lidhet indirekt edhe me etikën e politikës që kryeministri po ndjek,” shtoi ai.

Kjo ishte e para nga performancat “protestë”, të titulluara “Midis Artit dhe Politikës”.

Letër e hapur profesor Rexhep Qoses

$
0
0

maikom-zeqoNga Moikom Zeqo

I nderuar Rexhep,

Ju përshëndes dhe ju përqafoj.

Mos u tut bacë! Goditja gurin e çau, drurin e thau, por njeriu e mban!

Shpifja e vetëkënaqur është bërë një kimerë publike. Ajo zgjat kthetrat, ulërin triumfuese, zotëron dhunshëm skenën shqiptare, helmon vetëdijen tonë, dehumanizon dhe terrorizon gjithçka.

Përballë kësaj kafshe heraldike të dhunës në shekuj rri njeriu i thjeshtë, që është esencialisht Njeri. Sulmi është jashtëzakonisht i egër.

Shpifja shpreson në iluzionin e fitores përfundimtare mbi njeriun e pambrojtur, sundon mbi masakrën e saj, dinake dhe e pabesë, lëpin gjakun e shenjtë të viktimave, po pikërisht, ky gja është helmi më i tmerrshëm për atë vetë. Kjo s’ka asnjë dyshim.

Rexhep Qosja! Emri juaj i ndritur është emri i nderit!

Shpifja dhe kur ka emra është përherë anonime. Emrat e turpit njeriu fisnik do t’i harrojë.

Po, megjithatë sckpta manent.

Historia është një kujtesë e tërëfuqishme dhe supreme.

Njeriu ndruhet nga Historia, po jo nga Shpifja.

Vdekja është e pranueshme për njeriun, por nuk është e pranueshme të mos jesh Njeri.

I lindur shqiptar në gjysmën e parë të shekullit, guxojnë të mos ju quajnë shqiptar në fundin e shekullit.

Po pse vallë?

“Sharjet janë arsyet e mëdha për ata që s’kanë arsye” (Servantes).

Jeta juaj krijuese dhe intelektuale e pashembullt është përherë më shumë, se sa, mosha juaj.

Në fillim të mijëvjeçarit të tretë ankthi i Shqipërisë është dhe ankthi juaj.

Juve, ithtar i patrembur i Shpresës, ju mohojnë dhe identitetin. Kështu, për paradoks, ju u gjendët befas midis dy anatemave të tmerrshme, polifemike.

Dhe mua m’u kujtua sadizmi i përshkruar në “Kopshtin e torturave” të Mirbosë, si dhe thënia e paharruar e këtij shkrimtari: “preferoj të jem një luan i vdekur se sa një qen i gjallë”.

Anatema e parë

A është shpirti i kombit shqiptar Pema e Ndaluar? (“Ndalohet t’i provosh frutat nga ajo pemë. Përndryshe aty për aty do dënohesh me vdekje”, Gjeneza, 2,17)

Shpirti i kombit për ju është gjithçka, si për çdo shqiptar të vërtetë.

Shpirti i kombit është tepër i lashtë, më e rëndësishme për të është, jo të themi ishte dhe është, po edhe do të jetë. E tashmja ndërmjetëson të kaluarën dhe të ardhmen. Po çdo e ardhme bëhet e tashme dhe e kaluara, pra, në këtë triumvirat të kohës përjetohen gjithmonë atributet e së ardhmes.

Koha është potencialisht vetëm e ardhme.

Nga kjo pikëpamje më shumë se para historisë aktuale jemi përgjegjës para historisë që vjen. Ky është determinizmi madhështor i historisë, filozofia e saj, e pashlyeshme.

Ju i dashur Qosja, e keni kuptuar në thelb këtë gjë. Shpirti i kombit është tek ju dhe ju zotëron në të gjitha indet. Vetëkuptohet, që Ju, do t’i prisni të tëra dënimet publike, të mundshme dhe bile, edhe të paparashikueshme. Së pari, këtë gjë do ta bëjnë, ashtu siç e kanë bërë, armiqtë e kombit shqiptar. Ata kanë sulmuar në kryqëzatë të pabesueshme kombin tonë, për ta mohuar tërësisht. Ky mohim është bërë me të gjitha mënyrat dhe mjetet, aq sa, në Martirologun e Njerëzimit kombi shqiptar jo thjesht se i fillon emri me germën e parë të rendit alfabetik shquhet që në fillim. Kjo është historia jonë, e cila, është tepër e dhimbshme, por dhe tepër krenare, sepse ne kemi mbijetuar, jo thjesht, se kemi marrë frymë.

Nuk di, për asnjë komb tjetër të botës, që të ekzistojë një teori e mohimit dhe e shkatërrimit deri në fund.

Shovinistët e huaj, midis të cilëve dallohet shovinizmi serb, kanë botuar libra, elaborate, studime akademike, etj. me të cilat kanë përvijuar teorinë e shkatërrimit të kombit shqiptar, në formën e një albanofobie të çuditshme dhe të një platforme konceptuale, të denjë, për kanibalët kundër shqiptarëve. Të mos harrojmë, se një mitologji e tillë e egër, pseudoshkencore dhe politike, ka rënduar mbi mendësitë edhe mbi vetëdijen e popujve ballkanikë e europianë, duke përhapur paragjykime e teza nga më absurdet. Kjo gjë në kohën tonë është tepër e rëndë. Por pikërisht në këtë kohë intelektualë më të mëdhenj të kombit shqiptar kanë luftuar me një dinjitet të veçantë, për të afirmuar të drejtën natyrore historike dhe kulturore të kombit shqiptar, duke rrëzuar çdo teori të shkatërrimit, apo të vetëshkatërrimit për shqiptarët. Sepse kombi është Guliveri, në këmbët e të cilit, liliputët hedhin rrufetë e tyre liliputiane… Duke vlerësuar lart librat, që keni shkruar ju, shoh, se si, përpëliten inkuizitorët antishqiptarë, shoh si thërrmohen e bëhen copë e çikë formulat groteske të skllavërimit të kombit tonë. Në këtë luftë, nga më të habitshmet e historisë moderne të kontinentit tonë të vjetër, Ju Profesor, keni triumfuar sepse, keni qenë me kombin dhe kombi është me Ju, deri në fund. Armiqtë e kombit janë armiqtë tuaj më të tërbuar. Pikërisht, shovinistët serbë kanë bërë anatemën më të madhe më të pabesueshme kundrejt jush. Mijëra artikuj, një gjenocid mendor kundër jush, cilësime nga më të skajshmet, sintetizuar, në togfjalëshin “armiku më i madh i Serbisë së Madhe” formulojnë Anatemën e Parë dhe të shumëfishtë ndaj jush. Kjo gjë dihet. Nuk duhet pritur gjë tjetër. Kjo ju nderon dhe është prova juaj historike.

Lum kush e ka këtë provë dhe mjerë ai, që nuk e ka. Kjo është prova e dinjitetit dhe e logjikës, prova e njeriut të lirë kundër skllavërisë fizike dhe mendore.

Dosja Qose është një dosje e hapur për të gjithë.

Si një refleks e bile binjakëri, sozie e Anatemës së Parë këto kohët e fundit për një paradoks të dhimbshëm u shfaq mizorisht dhe…

Anatema e dytë

Duke mbrojtur idenë e kombit të bashkuar, Ju i nderuar Profesor, mbrojtët të vërtetën. Ju keni vetëm një armë, atë të fjalës, atë “të forcës së tmerrshme të arsyes”, siç thoshte filozofi Sokrat.

Ju nuk keni as kobure, as TV, as gazeta dhe as mjete të administratës shtetërore. Ju keni vetëm librat tuaj, por kjo mjafton. Nuk është asnjëherë pak të kesh libra si tuajat. Ato janë të vërteta testamentale dhe jo lojra burleske të alibive të çastit.

Duke qenë i shqiptarëve Ju i jeni drejtuar përherë shqiptarëve. Edhe kur keni polemizuar me të huajt Ju e keni konsideruar këtë përsëri si dialog me shqiptarët e tu. Shqiptarët e ndershëm të kanë kuptuar.

Kombi shqiptar rrëzoi diktaturën totalitare dhe në ekuinoksin e demokracisë, që në ditët e para mbante portretet tuaja, duke treguar kështu respektin dhe dashurinë. Kështu ka ndodhur para dy vjetësh. Kronika nuk mund të përgënjeshtrohet nga askush. Po tani?

Adam ubi es?

Simbolet e vetëshpallura të demokracisë dhe demokracia nuk përputhen, nuk janë e njëjta gjë. Dikush përfitoi me emrin tuaj, për ta rrëzuar atë, kur nuk i hynte më në punë. Kjo është sa e turpshme, aq edhe ndjellakeqëse.

Në një konferencë shtypi Presidenti Berisha Ju quajti “romantik” dhe jo “realist”. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Presidenti ka të drejtë të thotë publikisht mendimin e tij, ashtu siç ka të drejtë çdo shqiptar i thjeshtë dhe të jetë i lirë në mendim.

Po cilësimi presidencial qe eufemizëm!

Në letrën e hapur për Presidentin Berisha Ju mbrojtët tri koncepte kryesore, që lidhen me çështjen kombëtare shqiptare. Kjo është e drejta juaj. Si në një metamorfozë kafkiane “romantizmin” tuaj e përkthyer në “armik” “aventurier”.

Nga një burrë i madh i kombit ju u bëtë Herostrat!?

Në hapësirën informative papritur u bë “një prishje moti”, u ndjenë bubullima e vetëtima sulfurike. Kabineti i Presidentit ju përgjigj (çfarë fleshi jupiterian!) ndërmjet një zëdhënësi anonim. Berisha nuk e quajti të udhës dhe normë dinjiteti t’ju përgjigjej vetë Juve, dmth drejtpërdrejt Qoses. Pse? Zëdhënësi komenton, se Qosja sugjeron “… akte të terrorizmit, duke evokuar lëvizjet e quajtura revolucionare, që zhvillojnë veprimtari terroriste dhe të bazuara në platforma marksiste-leniniste në zona të ndryshme të Europës… metoda terroriste që përdoren në lëvizjet baske, irlandeze apo korsikane, etj.”, “shpresojmë se ky ka qenë një moment dëshpërimi për zotin Qosja”, etj.

Fill mbas këtij leksioni shkollor publik e shpërfillës në shtypin e PD e në fletushka të tjera të “Yelloë press” u shkruan me shpejtësi e me një ligësi të ethshme artikuj derivatë nga më të pështirët dhe nga më të ndyrët, duke lëvizur në mekanizmin e shtypshkronjave mekanizmin e gijotinës.

Factotumi i sklerizuar i komunizmit dhe njëkohësisht i antikomunizmit, alias “krijesa frankeshtajne”, Bujar Hoxha, “farkëtoi” Anatemën e Dytë, tinëzisht dhe në mënyrë spekulative.

Po citoj vetëm cilësimet, fjalorin kobëzi të sharjeve: “Rexhep Qosja avokat dhe profet i aventurës”, “donkishot në politikë, donkishotizmi i Qoses është më i keqi se është donkishotizëm i kuq”, “spekulator i detyruar të interpretojë sipas skemave, që i serviren nga padronët (serbët dhe Milosheviçi)”, “qytetar i lirë (pa atdhe dhe komb) me ambicie karrieriste të pashtershme, që nuk arriti të përfaqësojë një forcë politike “marksiste leniniste” (RD 20 janar 1993), si dhe “aventurier”, “dëmtues i interesave jetësore të popullit tonë”, “egocentrik megaloman, paranoik, hakmarrës i paparimtë, “përçarës i kombit nga të dy anët e kufirit”, “ambicioz i paskrupullt, mendjemadh i pandreqshëm, hakmarrës sipas thënies “për inat të sime vjehrre fle me mullixhinë”, si dhe “historian” (dmth pseudohistorian), “me botëkuptim stalinisto-titoist-enverian”, “armik i shpalljes së Republikës së Kosovës”, “nismëtar i një opozite antidemokratike në Republikën e Kosovës”, “aleat i kamufluar i forcave antikombëtare, antishqiptare e antidemokratike”, e më në fund si sensacioni më i madh i këtij fundshekulli “Rexhep Qosja është Rexhep Qosiq” (RD 21 janar 1993, autor i shkrimit B.H.).

Në mënyrë të pandershme Televizioni shqiptar nuk e transmetoi letrën Tuaj drejtuar Berishës dhe në të kundërt, transmetoi vetëm përgjigjen e zëdhënësit anonim të kabinetit presidencial. Kjo ishte një flakje e dorezës në fytyrë, që një i një rangu më “të lartë” i bën një tjetri të rangut “më të ulët”. Po ana konvencionale e epiteteve “i lartë” dhe “i ulët” kuptohet fare lehtë, pa asnjë mundim. Televizioni është kryemjeti i informacionit, i pazëvendësueshëm nga askush. Edhe gazeta me tirazh më të madh është e pafuqishme në raport me televizionin. Kështu që jam i bindur, se opinioni shqiptar nuk u informua dot në mënyrë të lirë e të paanshme për atë, që u quajt debati, ose skandali Berisha-Qosja.

Ndoshta edhe një “lapsus” kishte një kuptim të caktuar, sikur letra tuaj u botua për herë të parë në ZP, gati e shkruar posaçërisht për të.

Jo! Letra u botua së pari në gazetën “Zëri” të Kosovës. Mbas këtij fakti publik çdo gazetë, ose mjet informimi mund, ose jo, ta riprodhojë.

Qëllimi ishte të të shpallnin “agjent” të Partisë Socialiste, kur dihet nga të gjithë, që Ju, nuk i përkisni asnjë partie politike. Ju s’bëni lojën e asnjë partie dhe keni të drejtë për pozicionin Tuaj, sepse kështu e keni menduar.

Kush mund t’jua mohojë këtë të drejtë elementare?

Mos ndoshta duhet të jeni “ndihmës partiak”?

Intelektualin e vërtetë nuk e instrumentalizojnë partitë. Ai paktin e vet e bën me kombin.

“Servilizmi është shërbëtori i tiranisë”, ka thënë Sami Frashëri në fundin e shekullit të kaluar.

“Heretizmi” Juaj jo partiak u ndëshkua, duke dashur t’ju mbërthejnë me “këmishën e forcës” të gazetave partiake, që tani shikojnë te Ju kryearmikun, të çmendurin.

Linçimi publik i figurës tuaj u bë! Amin!

Djalli i bekoftë të gjithë!

Kjo gjë tronditi rëndë vetëdijen e shqiptarëve dhe të krejt kombit. Askush nuk ka të drejtë të jetë indiferent dhe të heshtë përpara kësaj katrahure, të amplifikuar nga mas media, askush nuk mund të mbetet i paanshëm.

Historia do të na gjykojë jo vetëm ahere, kur folëm, por edhe ahere, kur heshtëm.

Duke ju ofenduar Juve kaq rëndë, anatemuesit tuaj groteskë ofenduan çdo njeri dhe intelektual të ndershëm, që shikon tek Ju mbrojtësin e të Vërtetës.

Sulmi ndaj Jush nuk është aspak i rastit.

Intelektualofobia është sot në rendin e ditës. Në asnjë komb të Europës, ose edhe të Botës nuk ka patur në një kohë kaq të shkurtër sharje dhe hedhje balte mbi intelektualët e mëdhenj, siç ka ndodhur te ne në Shqipëri. Dihet që, intelektualët e mëdhenj nuk bëhen as me dekrete dhe as me gradime oborri. Ata janë të tillë, sepse u bënë të tillë, ata janë të veçantë sepse u ngritën mbi mediokritetin, u shquan, u vunë në reliev me anë të një pune dhe vullneti të pazakontë me anë të talentit të jashtëzakonshëm.

Një popull, që nuk i nderon intelektualët ai ka vetëvrarë të ardhmen e vet.

Intelektualët e mëdhenj nuk janë mbinjerëz, ata identifikohen pikërisht si njerëz të vërtetë, synojnë të arrijnë në brendësinë e njeriut dhe jo të dalin jashtë saj.

Ata janë kombi i personalizuar me vetvetet e tyre.

Tani për Ju, i nderuar Qosja, përsëritet i njëjti rit arkaik dhe kanibalesk i anatemës.

Në kohën kur ideja e Europës së Bashkuar është një triumf i demokracisë humaniste befas gëluan në të naziskinët. Por ata nuk janë asgjë përpara naziskinëve shqiptarë, që duan të shqyejnë, të terrorizojnë intelektualët më të mëdhenj të kombit.

Jam i sigurtë se në këtë moment inkuizicionist kombi do të jetë me intelektualët e vet dhe intelektualët do të jenë me kombin. Nuk ka sesi të ndodhë ndryshe. (“Askush nga ne nuk vdes pavarësisht nga të tjerët” shën Pali, Romakëve, 14.7.).

Por kush janë ata që ju sulmojnë juve?

Kush është B.H.?

Sipas parimit primitiv patriarkal të hakmarrjes ju sulmoi in extremis. Unë mendoj, se nuk ia vlen të replikosh me të.

Më e tmerrshme është filozofia e sulmit të tij, se sa, vetë sulmi!

Kombi është subjekt i papjesëtueshëm

Duke dalë nga kllapat (prangat) e dy anatemave Ju Profesor, argumentoni me qartësi idetë tuaja.

Çështja kombëtare është në fokus të vëmendjes të të gjithëve.

Nuk do të zgjidhet kurrë drejt kjo çështje, nëse nuk gjykojmë saktë dhe si duhet për të.

Kombi shqiptar është një subjekt i papjesëtueshëm.

Kush ka fuqi për ta mohuar këtë të vërtetë?

Shqiptarët janë një komb unik, me individualitet të veçantë, me tragjedi të mëdha, çka e bën historinë e tyre nga më heroikët. Ky komb unik, i ftillëzuar, që në kohërat më të lashta, sot përjeton një krizë të identitetit, më tepër nga të tjerët, të cilët, padrejtësisht nuk ja marrin parasysh këtë identitet.

Kriza e identitetit është e kundërta e kombit unik.

Historia në mënyrë të pamëshirshme e ka vënë kombin shqiptar në shtratin e Prokustit.

Ky komb i papjesëtueshëm në thelbin e vet etnik sot ekziston i pjesëtueshëm në rrafshin shtetëror.

Vetëm gjysma e kombit jeton brenda kufijve, të sotëm politikë, gjysma tjetër jashtë këtyre kufijve është pjesëtuar nga kufijtë politikë të Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Ky pjesëtim i dhunshëm dhe i padrejtë historikisht, është në kundërshtim me logjikën e kombit unik shqiptar.

Ose do të pranojmë, se kombi unik nuk ekziston, ose do të pranojmë, se copëtimi i tij është fatalisht i përjetshëm.

Pra, kontradikta e kombit de facto me kombin de jure është kontradikta e koncepteve dhe e kundërthënies, të mendimeve të ndryshme politike për një çështje të vetme.

Ju i dashur Qosja, duke mbrojtur konceptin e kombit unik, me të drejtë, keni shkruar për një program unik kombëtar, për një strategji të bashkimit kombëtar. E gjitha kjo, ka qenë e argumentuar dhe me një logjikë të pakundërshtueshme. Ky bashkim kombëtar, vërtet, nuk është aspak një çështje ditësh dhe nuk do të jetë aq e lehtë, por në vizion në atë, që ne e quajmë të ardhme, kombi, duke mos qenë i pjesëtueshëm nga të tjerët, është i barazvlefshëm vetëm me vetveten.

Asnjë teori e së drejtës ndërkombëtare, asnjë teori e humanizmit dhe e ekzistencës njerëzore nuk mund ta mohojë dot kombin shqiptar. Është e pamundur, sepse ai, ekziston prej shekujsh dhe ndonëse në shekuj ka patur fatin e keq të jetë nën struktura politike dhe shtetërore të huaja dhe kozmopolite prap se prapë, ka mundur të mos shpërbëhet, të mos denatyrohet, të mos zhduket.

Ky ligj i mbijetesës për të kaluarën vlen edhe për të ardhmen.

Nuk duhen fetishizuar kurrë kompozimet politike dhe shtetërore aktuale në Ballkan.

Kanë ndodhur gjëra të pabesueshme, u shkatërrua perandoria sllavo-komuniste e BS, u shpërbë Jugosllavia e Dytë. A nuk qenë dikur këto struktura shtetërore gati tabu?

Aherë pse ne, shqiptarët, do t’i quajmë të përjetshme ndarjet e pjesëve të trupit të kombit nga shtetet e tjerë etnikisht të huaj? Nga kjo pikëpamje kombi unik shqiptar do të triumfojë një ditë.

Në Ballkan çështja shqiptare është thelb i gjërave. Në kushtet jashtëzakonisht të rrezikshme të fashistoidëve serbë, që kanë ndezur flakën e luftës në rajon, çështja kombëtare shqiptare ka tërhequr vëmendjen e mbarë botës. Ajo është ndërkombëtarizuar si kurrë ndonjëherë. Dhe pikërisht në këto çaste ka njerëz, që e humbin shpresën në të, që nuk kanë besim dhe madje e quajnë si një çështje romantike të tejkaluar.

Ju, i nderuar Qose, keni bërë apelin e kohës.

Kush nuk ka veshë le të mos dëgjojë, kush nuk ka sy le të mos shikojë.

Po çdo të thotë komb i papjesëtueshëm?

Duhet barazuar me togfjalëshin e bujshëm e spekulativ “Shqipëria e Madhe”?

E kam thënë shumë herë, se ky është një apelacion absurd, që huton diletantët e injorantët.

Ballkani është rajoni, për exsellence, i apelacioneve, që në vetvete janë programe politike.

Shovinizmi serb në apelacionin “Serbia e Madhe” kupton jo territorin e tokave të serbëve etnikë, po edhe të shqiptarëve e etnive të tjera. Koncepti perandorak i Stefan Dushanit është arketipi i Serbisë së Madhe.

Apelacioni i “Megali idesë” i shovinizmit grek tingëllon, siç ka shkruar vetë De Rada një shekull më parë, si rilindja e perandorisë bizantine, e ka në thelb aneksimin e tokave të tjera jo greke.

Këto dy apelacione janë të dështuara, po kjo s’do të thotë se nuk janë ende të rrezikshme.

Shqiptarët asnjëherë nuk janë shprehur për veten “Shqipëria e Madhe”, po vetëm për Shqipëri etnike, natyrore. Brenda kufijve të saj etnikë nuk aneksohen toka të tjerëve, përkundrazi. Copëtimi i kombit tonë është i pashembullt në histori.

Kur flasin për bashkim shqiptarët kuptojnë atë, që u përket dhe jo për atë, që nuk u përket, për atë që është e tyrja, dhe jo për atë, që është e të tjerëve.

Ky është një ndryshim kolosal i pakontestueshëm në raport me apelacionet e koduara të shovinistëve ballkanikë.

I dashur Qosja!

Ju, keni të drejtë, që këmbëngulni, që çështja shqiptare të shtrohet në mënyrë paqësore e demokratike si një e tërë, unike, duke mos e injoruar faktin historik, që ajo, është edhe një çështje e përbërë.

moikom qosjaKombi shqiptar në erën e demokracisë bëri gjeste të mrekullueshme, çka e bën popullin tonë të jetë në lartësinë e duhur të qytetërimit.

Vetëm një popull fisnik, i emancipuar, i shpall të drejtat e tij në rrugë paqësore, duke ju shmangur primitivizmit ballkanik, grackave të shovinizmit shqiptarofag, si dhe alibive të një lufte, që do të qe një katastrofë e tmerrshme. Padyshim kjo është një përparësi. Padyshim ky është një dinjitet.

Po në përfundim të kësaj historie, një mëngjes, shqiptarët me të drejtë do të pyesin: “Luftuam dhe sakrifikuam për Kosovën Republikë”? A qe një ëndërr, një republikë mitike? Qeveria dhe Presidenti Rugova janë shpikje e fantazisë dhe makinës publicistike? Çfarë fituan shqiptarët në Maqedoni e në Mal të Zi? Mos vallë ka dhe një Shqipëri mitike, të paqenë?”.

Jam i prirë që të besoj të kundërtën! Nuk do të ndodhë kështu!

Le të marrim formulën e trumbetuar “të autonomisë maksimale” për Kosovën.

Ç’kuptim tjetër të autonomisë në aspektin etimologjik ka përveç lirisë së vërtetë, vetëvendosjes, që e konfirmon qartë Karta e Helsinkit?

Nëse do të krijohej paradoksi i një autonomie “maksimale” e njëkohësisht të “kufizuar” a nuk do të përjetonim një absurd juridik, po edhe të logjikës njerëzore më elementare? Madje edhe të vetë formulës?

Po formulat diplomatike nuk janë gjithçka. Nuk janë të përjetshme.

Zgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare nuk është vetëm shansi i shqiptarëve, por edhe shansi i Europës së Re. Nuk mund të ketë Europë të lirë, nëse një pjese të saj do t’i mungojë liria. Nuk mund të ketë institucionalizim universal të lirisë, nëse ky institucionalizim ngrihet mbi zgjidhje e formula juridike të përkohshme, kontradiktore, e jo të barazvlefëshme për të tëra subjektet etnike të Europës. E drejta e vetëvendosjes është gjithçka.

Juve ju intereson kjo vetëvendosje si një triumf i vërtetë i demokracisë dhe humanizmit, çka i bën të dyshimta e retorike shpifjet ndaj Jush për aventurizmin anarkoterrorist, për ndryshim kufijsh, me dhunë, për projektimin e një vetëvrasje kombëtare, për agjent sekret, Sherlok Holms, i gjallë i Gjeorgjeviçit e Çubroloviçit të vdekur, mercenar i fshehtë elite e tejet special i Milosheviçit e Dobrica Qosiqit etj. etj.

Ky “kalim” pitagorian i shpirtit të mohuesve të kombit shqiptar te Ju, që e afirmuat pa frikë këtë komb, është loja e prestixhiatorëve, e të marrëve, e atyre, që do të përgjigjen përpara historisë për çdo truk dhe për mungesën e pafalshme të vetëdijes ndaj fatit të kombit shqiptar.

Serbët ju kanë quajtur “izdajnik” (tradhtar) dhe shqiptarët “përçarës”.

Dy anatemat janë në fakt një anatemë!

Seig heil! Gebëlsi ka thënë se kur dëgjonte fjalën “intelektual” i shkonte dora te koburja.

Nuk duhet harruar se nobelisti Martin Luter Kingu, nga figurat më të shkëlqyera të këtij shekulli, predikonte jo dhunën dhe e pësoi nga dhuna.

Ajo, që më çudit më tepër e më trishton, është reagimi ndaj ideve tuaja, që janë jo të papritura, me një fjalë, Ju nuk keni reflektuar një ndryshim, apo tjetërsim idesh për çështjen kombëtare.

Në librat “Populli i ndaluar” dhe “Strategjia e bashkimit kombëtar”, me një nivel europian e frymë të shkëlqyer intelektuale, Ju i keni shtjelluar tri idetë kryesore, që argumentojnë papjesëtueshmërinë e kombit.

Në shumë intervista, shkrime keni bërë shoshitje karteziane të këtyre ideve.

Deri në çastin, kur Ju, nuk i bëtë Letrën e Hapur Presidentit Berisha vepronte ndaj jush Anatema e Parë.

Fill mbas guximit kur Ju i kundërshtuat mendimet e Berishës në shtyp ndaj jush Anatema e Dytë qe e jashtëzakonshme.

Numri NJË, i shtetit të Shqipërisë, ka të drejtë të debatojë, po jo t’ju nënvleftësojë. Kritikën e parë publike ndaj Jush e nisi pa u menduar thellë vetë Berisha. Nuk dua t’ju gjykoj, se a duhet, apo jo t’i shkruanit urbi et orbi.

Intelektual nuk rri “sus”, intelektuali nuk përcaktohet nga hierarkia e pushtetit, po nga hierarkia e mendjes.

Presidenti ynë karizmatik ka përgjegjësi, se të paktën e kishte plotësisht në dorë, për ta anuluar fushatën e egër kundër Jush në Shqipëri, sidomos në gazetën partiake, që për ironi të fatit e keni pagëzuar Ju e që sot përjeton tjetërsimin e brendshëm semantik të vetë emrit të saj.

Unë kam respekt të veçantë ndaj institucionit të lartë të Presidentit, por para së gjithash vetë Presidenti duhet të identifikohet me të.

E them haptas se kjo grindje nuk më gëzon aspak, nuk e kam dëshiruar dhe nuk e dëshiroj as në të ardhmen, sidomos në klimën e marrëzishme politike të sotme, kur Shqipëria është në udhëkryqin e historisë, në një rebus kombëtar e ndërkombëtar. Intoleranca e primusit të pushtetit është një përgjegjësi më e madhe, se ajo e njeriut pa pushtet. Ai duhet të luftojë me arsye arsyen dhe jo me dhunë verbale oponencat intelektuale.

Monopolin e të vërtetës nuk e ka askush.

Po ju nuk u bindët. Përgatituni për në Kanosa!

Po a nuk thonte një filozof i vjetër, se “i interesonte më shumë e vërteta se sa froni i artë i mbretit të Persisë”?

Zoti President, autorin e librit “Populli i ndaluar” këndej e tutje do ta mbiquajmë “Qosja i ndaluar”? Shtetrrethimi intelektual?

Zoti Berisha! Guxoj t’ju pyes: është apo nuk është armik i kombit shqiptar Rexhep Qosja? O është, ose nuk është!

TERTIUM NON DATUR. (Rrugë të tretë nuk ka).

Pyes: pse Berisha nuk inicion një tryezë të partive politike dhe të intelektualëve të pavarur për alternativën e opinionit e pranueshme në politikë për çështjen kombëtare?

Ç’e pengon?

Pyes: pse Berisha nuk i tubon tërë përfaqësuesit eminentë shqiptarë për të diskutuar për të ardhmen e kombit?

Pyes: pse Berisha nuk ngrihet mbi gladiatorizmin e partive për të shmangur segregacionin e kombin, ta vërë mbi partitë dhe jo PD mbi kombin?

Pyes: pse nuk e afron Berisha mendimin e kualifikuar intelektual shqiptar për çështjen kombëtare dhe për situatën sociale të ndërlikuar?

A nuk është ai i vetmuar nga intelektualët?

Më shumë se fatkeqësi për atë vetë, kjo është fatkeqësi për kombin!

Pyes: a është demokracia tolerancë dhe mirëkuptim, apo intolerancë dhe politikë diferencimi? Mos vallë përfaqësuesit e partisë shtet janë qytetarë të klasit të parë dhe përfaqësuesit e opozitës qytetarë të klasit të dytë?

Pyes: mos vallë gjysma e Shqipërisë ndahet, kualifikohet, etiketohet në berishianë dhe gjysma tjetër në miloshevianë?

A nuk janë që të gjithë shqiptarë?

Pyes: a e di Berisha se të qenët President është një mandat i përkohshëm, kurse të qenët intelektual i madh është një mandat i përjetshëm?

Pyes: a është e mençur dhe e domosdoshme të krijosh kualifikime të tilla si “kriptokomunistë”, “mafia e kuqe”, “megahajdutë”, apo të predikosh pajtimin kombëtar, dashurinë, karitasin, shpirtmadhësinë, prudencën, largpamësinë, paqen sociale, mirëkuptimin, unitetin?

Pyes: a e di Berisha, se një njeri i vetëm nuk e modelon dot historinë e se historinë e bëjnë, papërjashtim, që të gjithë?

Pyes: mbas skandalit me Qosen a do të ketë skandale të tjera?

A nuk duhet të marrin fund njëherë e përgjithmonë stërmundime të tilla, strese anormale për tërë popullin?

Parandiej, si më rrethon një uragan zemërimesh, klithma “si guxon të pyesësh, kush je ti, ç’të duhet të ndërhysh në punët, që nuk të takojnë, qenke tepër naiv, a nuk e kupton, se kështu rrezikohesh, se emri yt, do të thithë rrufe hakmarrjeje?”

Po, e di, ç’është shpifja, çfarë s’më kanë sharë.

Institucionalizimi i shpifjes është diçka kolosale, përballë njeriut, që ka veç nderin e tij.

Jeniçerët e shtypit i kanë gati artikujt, përderisa nuk pati asnjë skrupull moral për të mos goditur emra shumë të nderuar, ahere nuk ka asnjë pengesë, që kuklusklanasit e penës ta kryejnë ritin e tyre deri në fund, edhe ndaj meje.

Unë mund të bëj vetëm atë, që është në dorën time, po jo atë, që është në dorën e të tjerëve.

Unë mund të jepja dhe jetën për të vërtetën, kur atë e mbron dhe Presidenti, po jo të kundërtën.

I ndershmi Qose,

Të gjitha këto tronditje janë një shpenzim, një luks tepër i kushtueshëm, në një kohë, kur forcat mendore na duhen për ta rimëkëmbur kombin.

Përpara secilit nga ne, papërjashtim, është bërë e pranishme një çështje ekzistenciale; spastrimi i vetvetes.

Kemi një purgator të domosdoshëm që është:

Ekzorcizmi

Nuk mund të ecim para, pa bërë ekzorcizmin individual dhe ekzorcizmin kolektiv.

Nuk duhet të kemi turp për të pranuar dhe shmangur gabimet tona, është një guxim i madh, i veçantë, për t’u purifikuar nga mendësitë e vjetra, nga bagazhi i rëndë i patriarkalizmit, nga mungesa e llahtarshme e tolerancës.

Më i kulturuari fal më shumë, ai në këtë mënyrë nuk humb po vetëm fiton.

Ekzorcizmi i tjetrit është dhe ekzorcizmi i secilit, se ekzorcizmi nuk mund të jetë vetëm individual, po patjetër dhe kolektiv.

Për fat të keq, në traditën tonë shekullore, nuk kemi shembuj të eksorcizmit publik. Shumë intelektualë të mëdhenj të këtij populli nuk e kanë bërë këtë gjë. Ndoshta kanë menduar se alibitë janë më shumë se sa pranimi i gabimeve, ndoshta kulti i pagabueshmërisë është dhe tabuja e sedrës së tyre.

Nuk ecet më në këtë mënyrë.

Kemi një shembull autokritik të pamëshirshëm ndaj vetes: Fan Nolin.

Në shënimet e tij për gabimet e bëra në jetën politike të 1924 Noli shprehet për Nolin ashpërsisht, përballë vetvetes ai kritikon, duke e hedhur tutje sedrën, çdo lloj narcizizmi, apo kompleksi madhështie dhe me këtë akt ekzorcizmi ai jep një provë të vërtetë, shumë domethënëse.

Ne kemi nevojë të gjithë për njëri-tjetrin.

Çfarë pengon që Kadareja dhe Ju, po edhe Presidenti Berisha dhe Presidenti Rugova të jenë tok, t’i kapërceni mëritë, populli t’ju shohë në çdo hap sëbashku, që t’i ngjallet shpresa, t’i largojë dilemat, që lumpenshtypi të marrë fund, që lumpenpsikologjia të fashitet, që lumpenmediokriteti të mos na shtypë në thundrat e tij?

Në shembullin tuaj të eksorcizmit moral të fitojë autoritet Nderi dhe Drejtësia. Jeni njerëz historikë, që i duheni shumë këtij populli martir, që mund t’ia lehtësoni vuajtjet e mëdha.

Sado të rëndësishëm jeni të veçuar, do të jeni akoma më shumë të tillë, por të jeni të bashkuar.

S’ka rëndësi se kush do të jetë më i madh midis jush, kjo është një gjë e vogël përpara përballimit të tragjedisë, që e ka sfilitur për vdekje këtë komb.

Nuk jam predikator as moralist, Jo!

Po përçarja na ka kushtuar dhe po na kushton shumë në histori.

Kishte të drejtë Migjeni i pavdekshëm kur thonte “nuk i duam humbjet prore”.

Ekzorcizmi është filozofi e jetës, është klemence kombëtare, largpamësi, rilindje, është një Mastriht shpirtëror.

Ekzorcizmi është kundër diversitetit si konflikt, kundër filozofisë arkaike të luftës pa kompromis, kundër historisë alibike për një histori të vërtetë.

Ekzorcizmi nuk është diçka fetare, një epifenomen, as nuk arrihet si me anë të gurit filozofal, nuk është as spektakël, e as parukë, as ballo maskash e sidomos nuk është hipokrizi. Është jashtëzakonisht i vështirë dhe i ndërlikuar, kërkon forcë morale, mençuri dhe kurajë.

U takon sidomos intelektualëve të vërtetë t’i japin tolerancës edhe në kombin shqiptar një status universal, që mirëkuptimi të mbizotërojë gjithçka!

Po purgatori shqiptar është me sa duket, për fat të keq, i gjatë!

Në kohëra më të lumtura kujtimet e këqija do të na duken shumë më të largëta, se sa mosha e tyre!

Dështimet tona sizifiane do të rreshtin një ditë, marrëzitë tona do të mërgohen.

Sepse, mea culpa, nuk i përket vetëm njëri, po edhe tjetrit.

Sepse, jeta është e shkurtër dhe korrigjimet më të mira janë parandalimet.

Kështu kritika ndaj të keqes s’do të jetë kurrë më e vogël, po përkundrazi.

Sepse, jemi që të gjithë shqiptarë, që do të thotë,s e s’jemi medoemos e fatalisht kundërshtarë.

Se, mençuria e qetë është shumë më afatgjatë, se sa inati më i fuqishëm.

“Bashkimi, ka shkruar Konica, që në 1902, s’është të unjim kryet përpara njëri tjetrit, po të merremi vesh njerëzisht e të punojmë të lirë të gjithë për një qëllim”.

Vetëm njerëzit e bashkuar e bëjnë kombin e bashkuar.

Me një respekt të vërtetë për veprën tuaj titanike Ju uroj nga zemra jetë të gjatë, që me energjitë tuaja të pashtershme të lartësoheni më tepër, i paepur dhe krenar, për kombin shqiptar.

Juaji deri në fund

Moikom Zeqo

Tiranë, 22 janar 1993

******

POST SCRIPTUM

Po ribotoj mbas 23 vjtesh nje Leter te Hapur per Rexhep Qosen, per aresye substanciale te sulmeve te egra nga jeniceret e Berishes kunder ketij personaliteti te shquar te letrave shqipe dhe te mendimtarit te madh te Ceshtjes Kombetare.Une mora pjese ne polemike- besoj se edhe per lexuesin e sotem ka rendesi njohja e problematikes tragjike te asaj kohe qe ende rri si nje atavizem paradoksal mbi opinionin publik shqiptar.

Letra ime eshte botuar ne librin tim “Rexhep Qosja dhe Ceshtja Kombetare Shqiptare“, botuar ne 1994.

Viti 2016 eshte edhe viti i 80 vjetorit te lindjes se Rexhep Qoses dhe eshte e vetekuptueshme dhe dinjitoze qe te festohet sic i takon.

Fola dhe shpetova shpirtin tim!

Vdekja e mësuesit

$
0
0

ecoPo të më duhej ta përmblidhja me një fjalë, atë çfarë ishte Umberto Eco-ja për mua, do të thoja pa ngurrim: mësuesi.

Mësuesi ka diçka nga babai, sikurse ka diçka nga prifti dhe shamani dhe guru-ja; ti ia beson fjalën, sepse ia beson zërin – por pastaj e bën atë fjalë tënden dhe ia kupton forcën dhe ashtu e verifikon, në ballafaqim me botën.

Veprat e Eco-s i kam pothuajse të gjitha; që prej vitit 1987, kur ia bleva librin e parë në një tezgë në Romë dhe deri më sot, ma ka orientuar mendimin dhe ma ka mbështetur etikën intelektuale, hap pas hapi.

Edhe mbrëmë u hodha një sy shpinave të atyre vëllimeve në bibliotekën time: disa prej tyre të blera dy-tre herë, pse i pata humbur më parë, nga Italia në Shqipëri, pastaj në Itali sërish dhe më pas në anën tjetër të Atlantikut.

Asgjë nuk kish ndryshuar; titujt të njëjtë dhe paragrafët të renditur njëlloj – por vetëm muzika në sfond kish marrë një tonalitet funebër.

Dhe këtu njeriu nis të pyesë se çfarë do të thotë vdekja e një intelektuali publik, filozofi dhe shkrimtari si Eco-ja, për dikë që e ka njohur veç për së largu, nëpërmjet dijes që ai ka sjellë në botë; ose si intentio auctoris.

Sikurse vazhdon të pyesë, pas pak, se çfarë do të thotë që një intelektual publik, filozof dhe shkrimtar i admiruar është ende gjallë.

Për figura të tilla, që shkruajnë dhe mishërojnë historinë intelektuale të shekullit, të jesh gjallë është shumë më vështirë se të kesh vdekur.

Eco-n disa e njohin si autorin e Il nome della rosa, të tjerë për ndërhyrjet e panumërta në shtyp; ca të tjerë si historian erudit të estetikës mesjetare; të tjerë akoma si semiolog dhe si teoricien letrar; me siguri do të ketë edhe ndonjë që ta njohë si pamfletist, mjeshtër të lodrave gjuhësore, parodist dhe hokatar.

Arritja më heroike, e një intelektuali kaq poliedrik, është ndoshta aftësia për t’i bërë ballë, sa është akoma gjallë, peshës së papërballueshme të veprës që ka krijuar tashmë; dhe jo vetëm t’i bëjë ballë, por edhe të mos e lërë veten të skllavërohet prej saj dhe të jetë në gjendje të na befasojë sërish.

Si babai në përkufizimin e famshëm prej Lacan-it, Eco-ja arrinte të na habiste (épater) me fjalën e tij rishtas; duke mbetur deri në fund autoritar por jo autoritet; magnetik por jo robërues.

Në një bisedë të paradokohshme, pat folur për “mallkimin” e romanit të tij të parë, best-seller-it Il nome della rosa, i cili e bëri të njohur anembanë botës dhe më pas iu shndërrua në shenjë dalluese; si një farë kostumi i Arlecchino-s.

Haraç i pamerituar, që Eco-s iu desh të paguante, për famën e merituar edhe pse kushedi të padëshiruar.

Ngaqë kam jetuar gjatë në Itali, e kam përjetuar drejtpërdrejt rolin që luan një intelektual publik si ai, në jetën kulturore të një shoqërie moderne komplekse; madje edhe në Itali, ku kulturës i matet mosha me mijëvjeçarë.

Më pas, e kam krahasuar këtë me ndikimin dhe pushtetin e Eco-s jashtë Italisë, ose për së largu. Dy mësues thelbësisht të ndryshëm në dy role të ndryshme, edhe pse gjithnjë kam parapëlqyer ta konsideroj Eco-n si të krahut tim dhe të lagjes sime. Tek e fundit, mua ai më mësoi të lexoj!

Prandaj u jam kthyer e rikthyer veprave të tij, por edhe kam pritur që të dalë vepra e re e radhës, me përgjigje për pyetjet e veprave të mëparshme; dhe me pyetje të reja.

Dhe kështu do t’i përgjigjesha pyetjes pak më lart, në lidhje me kuptimin që merr, për ne që nuk e patëm njohur kurrë profesorin personalisht, vdekja e tij: në vend që tani të pyesim ç’mendon ai për këtë apo atë çështje, dilemë, paradoks, gjëzë, enigmë, sfidë të mendimit a të etikës, do të vrasim mendjen të gjejmë se ç’do të kish menduar.

Kalim nga dëftorja në kushtore – kështu do t’ia përkufizoja vdekjen, edhe pse kjo nuk ma lehtëson gjë pikëllimin për humbjen. Tek e fundit edhe Eco-ja vetë, me Wittgenstein-in, do të kish thënë, në këtë rast, se për çfarë nuk mundemi të flasim, atëherë bëjmë mirë të heshtim.

 

 

Kur shkruante fshehurazi Elena Luli, për Zotin e komunizmin!

$
0
0

elenaZbulohen vargjet e diktaturës, një skaner mbi internimin, burgun dhe ironia e ndërtimit të njeriut të ri. Elena Mirakaj Luli, ndarë nga jeta në vitin 2001, nuk është njohur si poete; për herë të parë kemi një botim me 22 vargje, që janë shkruar në vitet e regjimit, të mbledhur nga Eugjen Merlika, në librin “Flutura”, e shkruar fshehurazi në kohë të ndryshme. Për herë të parë botojmë edhe tri letra mes Elenës dhe personalitetit të njohur të kishës katolike, At Ambroz Marlaskaj

Ishte besimtare, e edukuar me mësimet e Zotit, duke e adhuruar atë, por kjo nuk e pengonte t’i drejtohet Atij me fjalë të ashpra, para një skene rrënqethëse të një kamioni të internuarish, në të cilin vdesin nëna lehonë dhe fëmija në bark, me kamxhik e policin kriminel mbi kokë!

“Një ngjarje në Postribë”, ka këto vargje: “Perëndi ty si s’të vjen keq – Hajt se njeri asht ba dreq – Po atij t’voglit qi i dhe jetë – N’bark t’nanës martir me mbetë”.

Kjo është klithma dëshpëruese e një poeteje të panjohur, të pabotuar, Elena Mirakaj Lulit. Një dëshmitare e persekutimit, internimit dhe e burgimit komunist, Elena na ka lënë 22 vargje që vijnë për herë të parë të mbledhura në një botim, të përgatitur nga Eugjen Merlika, që shoqëron biografinë e saj në parathënie. Është e rrallë historia e një gruaje, që ka lindur e jetuar në një shekull, ka njohur Shqipërinë e ’30-ës, dhe ka skanuar diktatura përmes një qelie të burgut, në një imagjinatë të thjeshtë, simbolike, quajtur “Flutura”.

Elena Mirakaj Luli, është e panjohur si poete për lexuesin, me “Fluturën” bëhet një kronikane e gjallë e persekutimit. Kur i ka shkruar vargjet, s’ka qenë vajzë e re, për t’u sprovuar në artë. Por një grua e që njohu dënimin e diktaturës, persekutimin e internimin, ndaj ajo që quhet poezi e Elenës, na vjen si kujtesë njerëzore. Prezantimin për këtë poete, e bën Eugjen Merlika, duke na njohur me biografinë e saj, dhe përballur me një model besimtareje ku Zoti dhe Zoja e saj, janë ngushëllimi i pafat.“Emri i saj na vjen nga një e kaluar, të cilën e kemi lënë mbrapa pa e njohur ende mirë. Është një e shkuar, e pasur në vlera e njerëz bartës të tyre, mbi të cilët një gjysmë shekulli i zi i historisë sonë, hodhi një shtresë llave përvëluese, që pati si synim varrosjen dhe zhdukjen e tyre nga kujtesa historike”, shkruan në parathënien e botimit, Merlika.

“Flutura” është shkruar në kohë të ndryshme, fshehurazi nga Elena Luli që, në këtë vit, do të kishte mbushur një shekull nga dita e lindjes, 18 marsi 1914. Elena lindi në Iballë të Pukës, në familjen e njohur të Mirakajve. Babai iu nda herët nga jeta, e rritur nga nëna e saj, Cubja, së cilës do t’i shkruajë poezinë më prekëse, mbasi ajo vdiq në kampin e shfarosjes së Tepelenës, e varri humbi nën efektin e gërryes të ujërave të Vjosës. Vëllezërit më të mëdhenj, Kola, Pashuku e Pali, u shquan në fusha të ndryshme: I pari, në veprimtarinë politike, si ministër në qeveritë e kohës së pushtimit, i dyti, në tregti, e i treti, në mbarështimin e një shtëpie të madhe, që ishte pikë referimi për gjithë krahinën.

Elena, më e vogla e fëmijëve, shkoi në shkollën e Murgeshave Stigmatine në qytetin e Shkodrës, ku kreu filloren e të mesmen, me përjashtim të një viti, në të cilin ishte nxënëse e të famshmit institut “Nana Mbretneshë” në Tiranë. Një nga mësuesit e saj ishte edhe Atë Ambroz Marlaskaj, një nga personalitetet më të shquara të klerit katolik shqiptar, me të cilin ruajti letërkëmbimin kur ai shkoi në Romë. Merlika gjatë kërkimeve të tij në Arkivin e Ministrisë së Jashtme italiane, në dosjet e Shqipërisë, ka gjetur tri letra të dërguara nga Lena Mirakaj e Gjelosh Luli, drejtuar Atë Ambroz Marlaskajt, atëherë profesor i Teologjisë në Universitetin Antonian të Vatikanit. Këto letra, faksimilet e tyre, bashkë me përkthimin në gjuhën shqipe, janë përfshirë me vëllimin e “Fluturës”. Në parathënie, përgatitësi i veprës së Elena Lulit, na njeh me faktin se ajo ka qenë një nga katër mësueset e para femra të qytetit të Shkodrës.

Në vitin 1936, ajo u fejua me Gjelosh Lulin, një pinjoll i familjes së njohur të Malësisë, asaj të prijësit legjendar Dedë Gjon Lulit. Gjeloshi ishte oficer i ushtrisë shqiptare me gradën e kapitenit të artilerisë, mbasi kishte studiuar në Modena e ishte diplomuar në Akademinë e famshme ushtarake të Torinos, në Itali. “Në vitin 1937 mësuesja dhe oficeri krijojnë familjen e re që në pak vite shtohet me dy vajza, të cilat bëhen më vonë objekti kryesor i poezisë më të zgjedhur të vëllimit, që i jep atij edhe titullin”.

Por me vendosjen e regjimit, Eleni bëhet një kundërshtare e komunizmit, duke përballuar vrasjen e bashkëshortit, të vëllait, të nipit në betejat me forcat e Sigurimit të Shtetit, duke rënë si martirë të lirisë. “Këta, ashtu si shumë të tjerë në mëdyshjen arratisje apo qëndresë, zgjodhën të dytën dhe nën drejtimin e heroit zamadh të Mirditës, Mark Gjomarkaj, qëndruan duke luftuar me armë disa vite në malet e Shqipërisë, për t’i sjellë asaj lirinë. Është një nga dukuritë më të lavdishme e më heroike të Kombit, që meriton piedestalin e vet, mbasi përbën një nga shfaqjet më madhore të vlerave shqiptare, qoftë si luftëtarë kundër diktaturës, qoftë si qëndrim i popullit që i mbajti e i ushqeu për shumë vite…”, tërheq vëmendjen Merlikaj.

Kështu u përndoq edhe Elena Luli, e cila u internua më 1945 e u lirua mbas tre vjetësh, kur në mal ishte vrarë nga forcat e ndjekjes bashkëshorti i saj. E kthyer në Shkodër me dy vajzat e vogla, vazhdoi kalvarin e “armikut të klasës”. Ajo u nda nga jeta në mars 2001, në moshën 87 vjeç, krejt e panjohur për jetën, për rezistencën dhe poezinë e saj.

Kjo histori jetësore e poetes, vargjet e së cilës publikohen për herë të parë, janë mishërim i një bote të zymtë, ku nuk e tërheq gëzimi. Vargjet e Elenës janë shina të jetës ku kaloi, ditët më të vështira, internimi, burgu, mungesat e përditshme të një diktaturë që i ngjan “Një tallazi të zi – E n’gji t’vet don me përpi – Gjithshka n’tokë quhet mirsí” (Lutje). Ashtu siç edhe Merlika e shënon në parathënie, vargjet e saj nuk ndajnë ndjesitë e rinisë, as gëzimin, as dashurinë, as ëndrrat. “Nuk dimë në i ka lëvruar ndonjëherë por, në mungesë të tyre, mundohemi të gjejmë arsyen…”, thotë Merlika. Megjithatë 22 poezitë emblematike, të shkurtra, vlejnë mjaftueshëm sipas Merlikës, për të kuptuar ndër vargje kundërshtuesen dhe denoncuesen e regjimit, një disidente e panjohur që sa ishte gjallë asnjë rresht nuk botoi dhe pse kaluan dy dekada nga rënia e diktaturës. “

Atdheu i Elena Lulit, ka ikur nga një vend nderi, i traditave, i respektimit të parimeve e normave fisnike morale e shoqërore, në një truall ku është mbjellë turpi, që njëjtësohet me koncepte, si: poshtërsia, pabesia, dhuna, padija, bimë që “po lshojnë rranjë, filiz tue qitë – kah plehnohen ditë për ditë – prej partisë që flet e pret”, – nuk kam fjalë, thotë Merlika.

“Zonja Luli i përket si formim brezit të dytë të Shqipërisë së pavarur, që ishte formuar me idenë e zhvillimit të vrullshëm në rrugën e qytetërimit, e trysnonte fort në djegien e etapave”.

Por, po të lexohet poetika e Elena Lulit kronika e jetës kalon në një bisedë imagjinare, si konvencion i mungesës për të folur, për të parë, për ta përcjellë si dëshmi. Kështu biseda e saj me “fluturën” që hyn në qelitë e burgut, ku drobitet trupi e sfilitet shpirti i poetes, e dënuar me dhjetë vjet heqje lirie me padira absurde për “agjitacion e propagandë e bisedë arratisje”…Vazhdon në 22 poezitë kjo kronike e errët e diktaturës, të shoqëruar me dhimbje e revoltë të brendshme, e cila në dëshpërim e deri në mallkim thërret simbolikisht legjendën,Vajin e Ajkunës, te rapsoditë e Kreshnikëve. Ka një mendim në këtë rast Merlika, duke menduar se si kjo poete nuk mund t’i perceptonte vargjet jashtë vetvetes, prandaj në to gjen vajin e dhimbjen për vajzat e saj të vetmuara, për gjithë të afërmit që humbën jetën para kohe, duke u pushkatuar nga diktatura.

Ka një llavë të brendshme në poezitë e Elena Lulit që shpesh herë e përballin dhe me Zotin. Ndoshta kjo përbën një nga rastet me mbresëlënëse. Ashtu siç na njeh Merlika në biografinë e saj të shkurtër, autorja është besimtare. “Shkolla që ka kryer ka plotësuar edukimin fetar e Krishti e Shën Mëria janë të pranishëm çdo ditë në lutjet e saj. Ato lutje i japin fuqinë asaj, ashtu si shumë e shumë të tjerëve, për të përballuar të keqen e jetës së përditshme, por edhe për të kapërcyer traumat e jashtëzakonshme, si humbjet e njerëzve të dashur, arrestimin, internimin, dhunën sistematike të regjimit më kundërzot të botës mbarë”. Por adhurimi për Zotin nuk e pengon t’i drejtohet Atij me një ton kritik para një skene rrënqethëse të një kamioni të internuarish, në të cilin vdesin nëna lehonë dhe fëmija në bark, nën vështrimin vrastar të përfaqësuesve të rendit kriminal. (“Një ngjarje në Postribë”) “Perëndi ty si s’të vjen keq – Hajt se njeri asht ba dreq – Po atij t’voglit qi i dhe jetë – N’bark t’nanës martir me mbetë”. Këta vargje, kjo klithmë dëshpëruese e poetes para një skene makabre, nuk janë shprehje e mosbesimit, por thirrja për ndihmë, e hasur edhe në poezitë e tjera.

“Kanë kaluar dhjetëvjeçarë nga shkrimi i këtyre poezive, por mesazhi i tyre mbetet përsëri aktual, i freskët, dëshmi e fuqisë përgjithësuese e kohëlargët të mendimit poetik të Elena Lulit”, shkruan Merlika. Brenda këtyre vargjeve ka dhe ironi të skajshme, jo vetëm për ditët e zymta të saj por përditshmërinë që prodhonte diktatura, njerëzit e saj të vegjël, si funksiononin në një sistem anakronik: Prozaizmi, cinizmi vrastar, paaftësia, mungesa e ideve etj., sidomos në poezitë: “Dhurata e Kryeministrit”, “Votimet”, “Zyrës Punës”, “Shumë janë ngjarjet”… Po ashtu kundrejt atij sistemi të ngritur autorja shkon në origjinë të problemit; luftën, krerët e saj, shpërblimet e pushtetit, si dhe fitoren e matur me lirinë e popujve të Lindjes evropiane (“Padrejtësi njerëzore”) : “Rusvelt, Çurçill dhe Stalin – Vunë përpara glob e harta – Thue se e kishin trashëgim. – Ç’merr prej Lindjes n’Perëndim – Caqe të reja ata i vunë botës.” “Kjo tufë poezish, që sot i jepet në dorë lexuesit shqiptar, shton edhe një tjetër zë në “Panteonin e nëndheshëm”, apo në “Letërsinë e dënuar”, siç i pëlqen poetit Zhiti të emërojë krijimet e mbytura nga komunizmi. Është një zë i ëmbël intelektualeje shqiptare, që përcjell nëpërmjet vargjeve, fisnikërinë e ndjenjave e qëndresën e karakterit, të shoqëruar me shijen e hollë dhe zhdërvjelltësinë e pendës, duke u bërë zëdhënëse e një Shqipërie të lidhur fort me ligjet morale të trashëguara e me vlerat e vërteta të qytetërimit Perëndimor”, e mbyll Merlika./V.Murati

 

Tri letrat e Elenës për mësuesin e saj, priftin At Ambrozin

Shumë i nderuem Atë,

Un jam mirë e shpresoj ashtu edhe për Ju.

Ka nji vjet që kena ndërpre letërkëmbimin tonë, gja për të cilën nuk kam arsye tjetër, veçse kam ndigjue e marrë vesh se jeni shumë i xanun me punë e m’u duk nji nder i tepërt me qenë në lidhje të vazhdueshme me nji njeri si Ju, vetëm për faktin e thjeshtë se kam pasë fatin me u quejtë për pak kohë nxansja e Juej. Isha në shtëpi, n’Iballe, kur ndigjova se kishit qenë në Shkodër, ndërsa Ju, më duket se keni qenë në Vlonë në mision. Digjem nga dëshira me qenë pranë Jush, po të kisha krahë në pak orë do t’isha, por jam ji vajzë e nuk kam krahë. Lus Zotin t’Ju shoh mirë me shëndet, kur ka me qenë e mundun. Së paku të kisha përsëri mësimet e këshillat e Jueja. ( e uroj, a s’asht kështu ? Kushedi sa do të qeshni.)Un, Atë, jam përsëri këtu në Shkodër, por në shkollën n. 1, ku kam qenë ma parë. Jam mirë me shëndet e me humor. Kam ba nji kapërcim e nga e para që bajsha vjetin e shkuem, në këte jam në të katërtën. E bana këte sepse desha me provue dy klasë fillore.Ju uroj, me shkrim e me zemër, tue mos mundun me i ba për s’afërmi, Krishtlindjet e Vjetin e ri, që të mund të jetoni për shumë vjet qetësisht e të mund të plotësohen të gjitha dëshirat. Ju them me pak fjalë : Jezui qoftë bujar me Ju e Ju dhantë gjithshka dëshironi. Në të njajtën kohë uroj me gjithë zemër shëndet të plotë e përfundoj. Nxansja e bija e përvujtë

Lena Mirakaj

Shkodër, 21 – 12 – 1935

P.S. Prej kohësh, nji letrës teme i keni ba nji vrejtje : “Ndryshimi në të shkruem,më thojshit, nuk nënkupton ndonji ndryshim në gjendjen”. Të shofim tash a jam ndërrue !

Dishrojsha me folë ma gjatë për të pasun këshillën e Juej, por zakonet shqiptare nuk m’a lejojnë.

Shumë i nderuemi Atë

Dr. Ambroz MARLASKAJ O.F.M.

Profesor i Teologjisë në Universitetin Antonian

ROMË (124)

Rruga Merulana (124)

II

Shumë i nderuem Atë,

Jam turpnue se jam tregue mosmirënjohës kundrejt Jush, tue mos ju kujtue as me dy rrjeshta letër.Nuk mundem me u shfajsue, por mund të Ju siguroj se vullneti i mirë nuk më ka mungue. Rrethanat kanë qenë ma të forta.Me keqardhje kam ndie prej Atë Lauros se ankoheni prej shndetit. Ah! Sikur t’ishit në gjendjen që Ju uroj me gjithë zemër.

Një lajm : atë kurajë që nuk e pati nxansja Juej, Lena Mirakaj e pata un dhe “tash pesë muej që jemi fejue siç asht vullneti i Zotit”, prandej po Ju lajmëroj. I nderuem Atë, nuk ju mërzis po t’Ju them se më ka marrë shumë malli për Ju. Do të dishrojsha me Ju pa, për me ripërtrí edhe nji herë ato ditë, kujtimi i të cilave nuk mund të shuhet kurrë.Tue u lutun me më falë heshtjen që as un nuk e kam dashtë, në shenjë dashunie atnore e kujtimi të personit Tuej të nderuem, Ju uroj shëndet të mirë e Ju përshëndes përzemërsisht.

Me mirënjohje

Gjelosh Luli

Burrel – Mat, 13 – 6 – 1936

III

I nderuem Atë

Me dëshirën me pasë një letër tuejën kam dalë disa herë tek dera, kur ka ardhë posta. Tue lanë mënjanë dëshirën që kam me bisedue me Ju, së paku prej së largti, mbasi fati i keq ka dashtë që Ju të largoheshit nga Atdheu i dashtun, them se arsyeja e parë që më shtyn me hapë veshin kundrejt çdo fjale Tuej, asht për me dijtë diçka mbi përmirësimin e shëndetit. Dashtë Zoti që shpejt të kem lajme të mira. E dini edhe Ju se nuk kam lajm tjetër veç këtij : Gjeloshi asht këtu, i sëmundë prej nji mueji e gjysëm nga tifoja e zorrëve. Tashma i ka kalue e dje kanë çue nji meshë të madhe për kushrinin që ka vdekë n’Itali.

Un do të lus Nanën e Shenjtë mrekulli base dhe Fëmijën Hyjnor, para së gjithash për kthimin e shëndetit Tuej sa ma shpejt të jetë e mundun e për plotësimin e gjithshkaje mund të dishrojë zemra e Juej bujare.

Ju puth dorën me shumë respekt.

Lena Mirakaj

Shkodër 24 . XII. 1936

Uroj nga zemra Krishtlindjet e Vjetin e ri, së bashku me përmirësimin kaq të dishruem të shëndetit Tuej.

Gjelosh Luli

I nderuem Atë

Ambroz Marlaskaj

Romë

Via Merulana 124

Aktorët e nominuar për OSCAR, që s’kanë fituar kurrë një të tillë

$
0
0

Brody-Oscar-Nominations-2015-1200Kësaj i thonë të shkosh deri te burimi dhe mos të pish dot ujë… Kjo ka ndodhur edhe me këta yje të Hollivudit, të cilët kanë qenë disa herë të nominuar për çmimet “OSCAR”, por nuk kanë arritur kurrë të kenë një trofe të tillë në duar.

Ja cilët janë disa prej tyre:

 

Leonardo Di Caprio

Është nominuar 6 herë në kategorinë për aktorin më të mirë dhe nuk ka fituar kurrë një “OSCAR”. Le të shpresojmë që “The Revenant” t’i sjellë fat këtë vit.

Leonardo DiCaprio (5 Previous Noms)

Amy Adams

Aktorja është nominuar 5 herë dhe nuk e ka ende në dorë një “OSCAR”.

Amy Adams (5 Nominations)

Deborah Kerr

U nominua 6 herë dhe nuk e fitoi kurrë një “OSCAR”. Në vitin 1994, i dhanë një “OSCAR” honorifik.

Deborah Kerr (6 Nominations)

Glenn Close

Edhe aktorja Glenn Close është nominuar 6 herë dhe ajo është ndër aktoret më të zhgënjyera të kësaj ceremonie.

Glenn Close (6 Nominations)

Richard Burton

Ish-bashkëshorti i Elizabeth Taylor ishte nominuar 7 herë për “OSCAR”, por mbeti duar bosh.

Richard Burton (7 Nominations)

Peter O’Toole

8 herë është nominuar Peter O’Toole për këto çmime dhe asnjëherë nuk arriti të merrte një trofe të artë “Grammy”.

Peter O'Toole (8 Nominations)

Alex North

Është në nominuar 15 herë derisa në vitin 1986 ka marrë një “OSCAR” honorifik.

Alex North (15 Nominations)

Kevin O’Connell

Noninohet 20 herë dhe përsëri nuk është dorëzuar. Le të shpresojmë të ketë fat këtë herë.

Kevin O'Connell (20 Nominations)

 

Viewing all 1708 articles
Browse latest View live