Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708

Krushqit janë të ngrirë, i Kadaresë, vjen si libër më vete

$
0
0

kadareShtëpia Botuese “Onufri” boton për herë të parë si libër më vete romanin e Ismail Kadaresë “Krushqit janë të ngrirë”.

Kjo vepër, dëshmia e parë dhe tepër e rrallë e masakrës serbe në Prishtinë në pranverë të vitit 1981, u shkrua fill pas saj, në vitet 1981-1983. Ndër të tjera, ajo pati si qëllim njohjen e publikut shqiptar dhe sidomos atij botëror, me terrorin e ushtruar në Kosovë. Për fat të keq, pavarësisht nga ky synim, vepra u prit fare ftohtë nga Shqipëria zyrtare, gjë që shpjegon botimin e saj tepër të vonë, më 1986, në përmbledhjen e tregimeve “Koha e shkrimeve”. Vepra nuk u botua asnjëherë si libër më vete. Përkthimi i saj më pas, në shumë vende të Europës, hodhi dritë mbi të vërtetën e tragjedisë së Kosovës.

…Në këtë angazhim të gjerë dhe gjithëpërfshirës për Kosovën, Kadareja është shfaqur i tërësishëm dhe i përplotësueshëm. Bashkësisë ndërkombëtare dhe opinionit botëror i ka folur dhe vazhdon t’i flasë me një gjuhë të qartë konotative, ndërkohë që me kosovarët herë pas here ka ditur të jetë kritik, madje i ashpër, duke kërkuar prej tyre që të përballen me sfidat dhe të jenë në nivel të çastit historik të Kosovës. Sado që kritikat e Kadaresë te disa politikanë lokalë ndonjëherë krijonin shqetësim dhe pakënaqësi, në opinion ato pranoheshin gjerësisht, si mesazhe fort të vyera dhe udhërrëfyese, shpesh edhe si kredo e angazhimit dhe e reagimit politik ndaj zhvillimeve aktuale. Edhe sot, shestimet e Kadaresë për modelet e shoqërisë shqiptare, përkundër faktit se mund të mos lidhen drejtpërdrejt me Kosovën, kanë jehonë të madhe në opinionin kosovar dhe janë kontribut i vyer për profilizimin botëkuptimor të shoqërisë kosovare, si shoqëri me vlera perëndimore. Vepra letrare e Kadaresë, shkrimet dhe analizat publicistike, intervistat dhe deklaratat, pse jo edhe mesazhet gojore, kanë luajtur rol emancipues për Kosovën dhe kosovarët. Dashuria e tij për Kosovën, angazhimi i sinqertë intelektual, qëndrimi i paluhatshëm parimor, kanë bërë që Kadareja të bëhet pjesë e identitetit kosovar. Idetë dhe mendimtaria e Kadaresë, përfshirë edhe vlerat e veprës së tij, tashmë qëndrojnë në themelet e shtetit të ri të Kosovës, si identitet i tij i qëndrueshëm, shpirtëror dhe botëkuptimor. Imazhi më i hershëm i Kadaresë për Kosovën është ravijëzuar në poezinë “Kosova”, e shkruar në vitin tashmë të largët 1966. Me këtë roman, Kadareja i jep Kosovës një mbështetje të fortë letrare, krahas mbështetjes politike. Mbështetja e tij letrare është esenciale: Kosova, në njërën nga situatat e saj më të rënda, bëhet subjekt i veprës të tij. Botimi i romanit në Tiranë, atëbotë, do të sjellë në Kosovë dy kumte diametralisht të kundërta: do të shkaktojë mirënjohje entuziaste te komuniteti letrar dhe intelektual i Kosovës, më një anë dhe, më anën tjetër, do të shtojë urrejtjen për Kadarenë te strukturat represive të pushtetit të atëhershëm serb dhe jugosllav. Ajo që i xhindoste më shumë këto struktura ishte mesazhi i veprës së tij thellësisht human, i cili shkonte në rrjedhë të kundërt me mësymjet shoviniste mbi Kosovën.

Kosova, atëbotë, kishte nevojë pikërisht për një mesazh të këtillë.

MEHMET KRAJA*

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1708