Quantcast
Channel: Kultura – Gazeta Mapo
Viewing all 1708 articles
Browse latest View live

“Shkëlzen Doli, Albanian Soul”, gjithçka gati për koncertin e së shtunës

$
0
0

“Shkëlzen Doli, Albanian Soul” është duke bërë përgatitjet e fundit për koncertin e 23 shtatorit, në sheshin “Skënderbej”. Provat sapo kanë nisur. 70 instrumentistët nga të gjitha trevat shqiptare, së bashku me maestron, që sapo ka mbërritur, po ashtu edhe korin janë duke punuar.

“Tani sapo kemi filluar provat të bashkuar dhe orkestra ka filluar, ka një kohë të gjatë që janë duke punuar. Uroj që ky koncert të jetë si një fillim i një riparimi të muzikës autoktone shqiptare”, tha Shkëlzen Doli, violinist.

Kamera e Top Channel kap momente nga “Valsi i lumturisë”, “Arbëreshës sime”, apo “Potpuri korçare”, duke sjellë edhe njëherë në vëmendje që koncerti do të jetë një larmishmëri e muzikës autoktone shqiptare të të gjitha trevave, nën shoqërinë e të ftuarve specialë.

“Do të jene dy anëtarë të Filarmonisë së Vjenës: Walter Auer, flautist, dhe Sebastian Bru, udhëheqësi i violinçelave. Do jetë edhe pianisti italian që jeton në Vjenë, Luca Monti. Do të jemi 4 solistë që do të shoqërohemi nga kjo orkestër mbarëshqiptare”, tha më tej Shkëlzen Doli.

Që prej 21 shtatorit, në sheshin “Skënderbej” po bëhen përgatitjet e fundit për një shfaqje të madhe, që pritet të shndërrohet traditë në vazhdimësi.

“Shpresojmë të na mbajë edhe koha”, tha në fund Doli.


“Ata urrejnë këdo myslimanë, homoseksualë, hebrenj, shqiptarë…”

$
0
0

“Partneri im në jetë është hebre, një nga djemtë e mi është homoseksual, tjetri është anarkist dhe unë jam një feministe e krahut të majtë si dhe një bijë emigrantësh. Nëse Agimi i Artë vjen në pushtet, problemi ynë i vetëm do të jetë se në ç’vagon do të na fusin”, kështu e nis rrëfimin e saj, pothuaj personal, regjisorja Angelique Kourounis, kur një mbrëmje më parë solli në Tiranë, dokumentarin “Agimi i Artë: Një çështje personale”, në Akademinë e filmit “Marubi”, në kuadër të edicionit të 12-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut.

Ajo është një gazetare që ka rrëmuar për vite më radhë brenda organizatës së partisë neonaziste greke “Agimi i Artë”.

Rënia financiare, paqëndrueshmëria politike dhe marrëdhëniet familjare janë vënë në qendër të vëmendjes, ndërsa dokumentari po përpiqet të zbulojë “çfarë ka në kokat e Agimit të Artë (Golden Dawners), të cilët hiqen si viktima” të sistemit. Agimi i Artë “nuk e ka fshehur kurrë” ideologjinë e tij.

Ndikimi i saj në sondazhe mund të ketë qenë pothuajse inekzistent më parë, por përputhshmëria e kësaj ideologjie me besime të palëkundshme në Greqi – kultivuar nga shumë klerikë dhe shumica e mediave, por edhe nga sistemi politik – është terreni pjellor në të cilin organizata lulëzon.

Regjisorja është duke kërkuar mbi çështjen nga një pikëpamje personale, përmes anktheve të veta, shqetësimeve dhe frikave të saj, pasi i ka kushtuar shumë vite dhe dy dokumentarë të tjerë televizivë trajtimit të partisë neonaziste, e cila ka marrë vendin e tretë në sistemin politik grek pas tre dekadash aktiviteti të errët por të përgjakshëm.

Një gazetar dhe regjisor kanë xhiruar për vite me radhë në një grup lokal të partisë neonaziste greke “Agimi i Artë”.

Regjisorja Kourounis, prezente në Tiranë, pas projektimit të dokumentarit ka mbajtur një bisedë duke ndalur sërish në të njëjtat principe si ka krijuar filmin, por duke thënë se “nuk është një film propagandistik, por një film i angazhuar”.

Dilemat e saj se nga ky film mund të parashikohej çdo gjë, edhe jetën, ajo ka rrëfyer se si është goditur nga njerëzit e “Agimit të Artë”, edhe pse kishte hyrë në zemër të këtij grupimi duke xhiruar, me lejen e kryetarit, liderit të këtij grupimi.

Regjisorja ka vënë përpara publikut rëndësinë e prezencës së çdokujt në këto situata, sidomos kur vjen puna në diskutimin: të jesh dëshmitar apo denoncues. Rasti i saj: dëshmitar, mban të njëjtën peshë, të njëjtën rëndësi.

Dokumentari nis qysh më krijimin e këtij grupimi, si fitoi zemrat e grekëve deri në hyrjen e 18 anëtarëve të saj në parlamentin grek, protestat që morën një mbështetje të gjerë nga populli grek, dënimet me burgim të krerëve kryesorë, vrasjet e rëndësishme politike por dhe ndaj emigrantëve, deri në vitin 2015 kur vazhdon të jetë akoma një lëvizje mbarëpopullore me tone të ashpra politike.

Qytetarët e zemëruar – e shpjegon Kourounis bashkimin dhe mbështetjen masive që mori lëvizja “Agimi i Artë”, duke u shprehur se po ringjallnin shpirtin e Nurembergut.

Ka mjaftuar ky dokumentar, vendosja e regjisores në kushtet e një jetese plot ankthe për të nesërmen për të shprehur para publikut shqiptar se “për shumë arsye nuk është më Greqia ime”.

Duke u ndalur në faktin se nga ato xhirime i ka qëndruar të vërtetës, Kourounis tha se përmes filmimeve donte të njihte, të hynte më thellë, se u ngrit kjo forcë politike në Greqi.

“Shumë njerëz e kanë kritikuar këtë film, sepse iu dhashë shumë vend për të folur anëtarëve të këtij grupimi. Unë i kam përzgjedhur njerëzit që kanë shfaqur opinionin e tyre. Asgjë nuk është bardhë e zi. Në anën tjetër, ne luftuam për të realizuar këtë film për pesë vjet. Unë isha mes tyre bashkë me kameramanin, më kanë goditur. Këta djem ishin vrasës… Ata urrejnë njerëzit me ngjyrë, hebrenjtë, homoseksualët, myslimanët, po edhe shqiptarët. Ata urrejnë çdo gjë, çdo njeri tjetër, që s’janë si ata”.

Ypi: Romanet e Kadaresë lexohen nga 20 milionë persona

$
0
0

Publicisti Edison Ypi reagoi ndaj sulmeve që po i bëhen shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare.

Me një status në FB, ai shkruan se librat e Kadaresë kanë miliona lexues.

“Spiunat e fëlliqur, sigurimsat vrasës, çunat e oficerave me duar të gjakosura, arrivistat ziliqarë, katunarët pa perspektivë, dështakët e pashpresë, delirantët e sëmurë, rrëshqanorët e bodrumeve, gjarpërinjtë e kënetave, nëpërkat e moçaleve, skilet e skutave, minjtë e vrimave, kriptoislamikët buxhetorë gjoja opozitarë që paguhen nga qeveria për ta mbajtur opozitën në nivele mjerane, të gjithë këta bëjnë postime në Fejsbuk që marrin nga 20 lajka.

Ismail Kadarea ka shkruar romane që lexohen nga 20 milionë lexuesa,” shkruan Ypi.

“Letërsia të ndihmon të kapësh momentin, çastin që ikën”

$
0
0

Miti i kalimtares në metropol, i çastit të rrëshqitshëm ku kërkon jetëgjatësinë në romanin eksperimental “Çast; një kolazh me histori urbane, që ka sjellë sërish në Tiranë, poeten Lindita Arapi me romanin e saj të dytë, këtë herë pa asnjë notë autobiografike, por me ngjarjen e saj, mbi rezistencën si shkrimtare, në identifikimin e egos kur ekziston një ushtri e tërë shkrimtarësh në botë, që  bëjnë një luftë të vazhdueshme për vëmendje, për lexues. Ajo e njeh mirë këtë shkrimtar.

…Ata u ndeshën me njëri-tjetrin, por pa u parë vërtet, thjesht u anashkaluan në një qytet të madh, ku përditë njerëzit ndeshen e vazhdojnë rrugën e tyre, pa e vrarë mendjen as edhe një sekondë më shumë për të panjohurin përballë, një “ignotus” pa identitet, e pastaj gjithsekush vazhdon të ecë duke tërhequr barrën e vet, që sigurisht për atë që e bart është më e rënda në botë…

Adrian Dani, shkurt Adi, një mesoburrë kaçurrels, meso i gjatë, dhe meso i talentuar, që sapo i kishte kaluar të dyzetat, po si një femër sqimatare nuk i numëronte me qejf vitet, jo për rrudhat e shtuara, por se i kujtonin malin me ëndrra të mbetura shterpë…Ai është shkrimtar, emigrant në një nga metropolet e Evropës. Për këtë personazh është e shqetësuar së fundi, shkrimtarja Lindita Arapi, duke vendosur fatin e letërsisë si përgjithësuese, dhe të autorit si fakti, urbania, ngjarja – njeriu kalimtar, konkret.

Adi, është personazhi i romanit të ri “Çaste”, (kolazhe metropolis) i autores Lindita Arapi, botimi i dytë në prozë, që më së shumti ka anën e poezisë. Romani është hedhur në treg që në fillim të këtij viti (muajin prill), kur autorja ishte prezent në Tiranë. Ndonëse prej vitesh ajo është vendosur, e jeton në Gjermani, dhe krahas letërsisë, jeta e saj e përditshme është gazetaria, moderne një emision televiziv për Europën në DË (Deutsche Ëelle).

Romani është promovuar në një mjedis miqsh, që do të thotë letrare, shkrimtarë e njerëz që e njohin letërsinë e vendit, dhe përpiqen të mbajnë frymën dhe ta bëjnë zhurmën urbane edhe pse heshtja i mbyt, si ky rast i Linditës, dhe pse ka privilegjin ta çlirojë “izolimin”e saj nga gjuha gjermane, vetëm në shqip, një vend që prapë letërsinë e ndjek heshtja, e kufinjtë mentalë, pa mundur të jetë në mes të Evropës, ku  jeton. Ky rikthim këtë sens ka, këtë fatalitet për Linditën dhe pse e mbron “Shqipëria e saj e vogël”, kur shkruan shqip, si një lloj sinergjie për të jetuar me shkrimin, letërsinë.

Si duket, pas asnjë notë biografike, në romanin “Çaste” Arapi vërtet nuk është personazhi, por ndryshe nga ç’pritet nga një letërsi “femërore”, ajo, jeta e saj tashmë ka prodhuar ngjarjen. “Ky mozaik tregimesh të vogla që lindin nga dy figura kryesore është një poetikë urbane. Gjithmonë më ka bërë përshtypje anonimiteti, vetmia – këto momentet kaq fluide dhe të rrëshqitshme të metropolit. Duket sikur ka një lloj performance urbane shumë të rrëshqitshme. Më kujtohet një moment nga poezia e Bodlerit “Lulet e së Keqes”. Më duket se ajo poezi e evokon këtë atamosferë. Ka një moment ku autorit i shfaqet një femër,  dikur e panjohur për të. I duket si vetëtimë, kur ajo femër largohet. Ai është një moment i fuqishëm që zgjon një intimitet të fortë. Në këtë tekst, është një figurë kryesore që lëviz, vëzhgon në autobus njerëz të panjohur, dëgjon histori, dhe i ndjek këta personazhe me sy, të cilët, si duket secili ka dramën e tij. Ne të përfshirë në egon, dëshirën tonë të fatit,  e injorojmë fatin e tjetrit”.

Lindita vendos kështu në ngjarjen dhe personazhin e saj, mitin e kalimtares në metropol, i atij çastit të rrëshqitshëm që kërkon jetëgjatësinë në romanin e saj eksperimental.

“Janë dy të panjohur, të huaj me jetën e vet, pas një vërtitje vetimtare e shkëmbimeve flurore në përditshmërinë anonime urbane duke u përpjekur për t’i shpëtuar tëhuajëzimit gërryes, duke iu dorëzuar ndjenjës më triviale e më të fuqishme. Kështu fluidja hedh rrënjë, çasti bëhet frymëgjatë dhe fragmentet bashkohen”, është shënimi i botuesit “Dudaj”.

Shkrimtari Agron Tufa nga të rrallët që ndjek letërsinë e Arapit, janë bashkudhëtarë të letërsisë së pas ’90-ës, në promovimin e librit, tha se leximin e librit e ka nisur qysh në embrion, në vitin 2014, dhe ka parë gjithë procesin e tij, se është ndryshuar ndjeshëm duke rritur gamën e shkrimit poetik.  “Poetika e romanit fillon e ngjitet, dhe tani sigurisht metamorfoza e tij është e fuqishme, një krijim i paparashikuar, dhe gjithmonë autori është në dyshim, por në momentin përfundimtar, kur romani botohet ndërpritet çdo gjë, dhe shpëton nga çasti fatlum, që udhëheq shkrimtarin në procesin shkruaj/fshij. Në fakt kjo është shenjë shumë e mirë”.  Për Tufën të kërkosh embrione autobiografike në një roman, që na jepet në trajtën e një imazhi, kjo ndërton një diskurs. Sipas tij dy protagonistët që përbëjnë romanin mund të ishin takuar kushedi se sa herë, por kjo është rastësia, ku përfshihet edhe koncepti i rastësisë, që në këtë rast mund të merret si diskurs më vete.

Për shkrimtarin ishujt metafizikë që shoqërojnë fatin e personazheve në roman, e bëjnë edhe më intensive ankthin e tyre, edhe pse serioziteti i tyre shkon deri në sarkazmë, në përpjekje për t’i dhënë kuptim jetës së tyre.

Lindita që jeton (ndoshta ashtu si personazhi, dhe pse është një burrë), në dy botë: shqiptare dhe gjermane, thotë se ekziston një ushtri e tërë shkrimtarësh në botë që bëjnë një luftë të vazhdueshme për vëmendje, për lexues. Ajo e njeh mirë këtë shkrimtar.

“Ky është libri i parë ku unë kam lozur me gjuhën. Është i gjithë një fiction. Ajo që më gëzon si figurë, është vetëm ajo çka është tipike për një ushtri të tërë shkrimtarësh në botë, ku bëj pjesë edhe unë. Adriani simbolizon figurën e shkrimtarit, edhe i mirë, por ende nuk e ka gjetur rrugën e suksesit, por janë miliona, si ai, që shkruajnë…Është një ushtri e tërë që duan të shkruajnë, por ky në përpjekjen e vet, të heroizmit për të mbijetuar me letërsinë, kthehet në një lloj mizantropi, pa dëshirë, që duket sikur i ka varrosur disa elementë dashurie. Por në fund të librit zgjohet dhe e kupton se ka brenda vetes atë elementin e dashurisë, vetëm se e ka fshehur”

Mes këtyre dy botëve, që shkrimtarja e zhvendos mes konteksteve të saj sidomos në këtë kolazh urban të romanit të ri, thotë se Shqipëria e bën të reflektojë herë pas herë, mbi unin tonë, të ekzistencës dhe pse vazhdon, ashtu si kolegë të saj të ketë dilemën e shkrimit, të bërit letërsi në kohën e sotme. “Shikoj këtu lajmet kryesore ku janë pak të reflektuara çfarë ndodh në botë, sikur ajo rotullohet vetëm rreth nesh. Vetëm këtu këndvështrimi është i vogël. Në një kohë të tillë kur ka një alert, një atentat në Londër, në Stokohlm, kur Evropa është shumë e tronditur vërtet në rrënjët e saj, a duhet letërsia?! Më kujtohet grupi 47 në Gjermani pas Luftës së Dytë Botërore, ata shtruan këtë pyetje: A duhet më poezia, a duhet letërsia në këto kohë? Ndoshta ne jemi të pandreqshëm, për këtë, ose lexuesi na kursen duke mos e thënë, ose sigurisht letërsia dhe artet kërkojnë të kapin kohën, të fiksojnë diçka, të gjejnë një ekuilibër në kohë të tilla”.

Violeta Murati

 

Mesoburrë dhe meso i talentuar!

Adrian Dani, shkurt Adi, një mesoburrë kaçurrels, meso i gjatë, dhe meso i talentuar, që sapo i kishte kaluar të dyzetat, po si një femër sqimatare, nuk i numëronte me qejf vitet, jo për rrudhat e shtuara, por se i kujtonin malin me ëndrra të mbetura shterpë, përfytyroi se si do të kërciste dera e apartamentit të tij kur ai ta përplaste e të dilte jashtë si rrallëherë për një shëtitje të hershme mëngjesi.

Po në të njëjtin moment diku tjetër në këtë qytet u hap një derë apartamenti, Ann Furst, një femër fjalëpakë, vetanake, që ende nuk e kish mbyllur me veten moshën e flirtit, e ambientuar, por asnjëherë e ngrohur me këtë qytet rrëmujë, hyri brenda në shtëpi për të fjetur. Ishte e lodhur, jo nga udhëtimi me tren, një udhëtim pak më shumë se një orë, por nga gjurmët e natës së kalaur në hotel, që kishin lënë si kujtim zbehjen në fytyrë. Brenda katër mureve askush nuk e shqetësonte më, bota e marrë me vete nga jashtë skërmiste pak minuta dhëmbët, por në fund zbutej dhe si një qen i bindur ulur në cep, strukej dhe priste e heshtur momentin e hapjes së derës për të dalë që aty. Sot Ann, nuk kishte ndërmend ta hapte më derën, do të flinte njëherë, pastaj do të gatiste çajin, pa devijuar as edhe një grimë nga ceremonia e natës së kaluar. Një pikëpjekje disa orëshe me të panjohurin, që kish braktisur familjen pas lindjes së fëmijës së tretë, djalë me sindromin daun. I panjohur kish gjetur qetësinë më në fund pa e pasur më parasysh djalin, kështu kish thënë ai me atë lloj toni që e kishte bërë Ann ta besonte vërtet se ai tani ishte i qetë, madje aq i qetë sa mund të shijonte aventura pa u bezdisur nga pamja e djalit të sëmurë, vetëm se djali i braktisur nuk i hiqej nga mendja, asaj, Ann Furst.

Adrian Dani dhe Ann Furst janë dy të panjohur që duan më shumë librat e i druhen njerëzve, dy beqarë të vetmuar në një metropol. E në këtë fazë vetmie të jetës, me bollëk brenda flluskës të stërmadhe ku nanuritet të kundrojë papushim botën, por sidomos të grindet me kërthizën e vet. Edhe Adrian Dani edhe Ann Furst grindeshin ca si shpesh, në mungesë të një pasardhësi që do t’ua kishte kthyer përmbys jo vetëm rehatinë e rregullit, por edhe atë egoizmin aq të ëmbël e të dashur, mikun pëshpëritës në kohë vetmie.

Adrian Dani veshur me të njëjtat pantallona xhins prej vitesh, me gjyslyke rrumbullake me xham të trashë që ia fisnikëronin dështimin e ëndrrës për t’u bërë shkrimtar i madh vazhdoi të ecë me hap të shpejtë, i mbërthyer nga ndjesia se sot, po pikërisht sot do të ishte dita, kur ai do të ndeshte mrekullinë, atë lloj që do t’i ndryshonte jetën, do t’i sillte idetë, zellin me vete për t’i jetësuar ato, fundja ç’i mungonte atij, pse të mos ishte ai i përzgjedhuri, si ata që papritur fitonin miliona në lloto dhe nuk dinin nga të strukeshin nga kaq shumë fat në lojë a në jetë, njësoj ishte.

Përditë përmbytej nga një përmallim i pakuptueshëm, në pritje të asaj diçkaje trandëse, të ëndërruar fshehtazi prej kohësh. A nuk e kishte pasur këtë ndjesi teksa shkruante nekrologjinë për veten, një shkrepje që i ishte dukur e çmendur për momentin, por që iu ngulit si gjilpërë në kokë, derisa i hodhi disa rreshta në letër. Ishte nga ato ndjesi që nuk e kishin gënjyer ndonjëherë, duke ia ndezur edhe më kuriozitetin, ende asgjë nuk kishte ndodhur, asgjë që t’i dukej e përafërt me përfytyrimin e tij për atë që priste. Të kuptohemi drejt, Adrian Dani, nuk donte të fitonte në lloto, ai thjesht donte shkundjen deri në rrënjë, donte ta ndjente diçkanë t’i depërtonte deri në palcë, nganjëherë kishte frikë prej saj, dinte vetëm se e gjithë qënia e tij thërriste pas kësaj të panjohure, sikur aty të fshihej shpëtimi i tij.

Ishte lodhur. Asgjë nuk ndryshonte në jetën e tij, ajo lëvizte ngadalë, mezi shtyhej, vetja i dukej si një ligavec i përjargur, pa muskuj (Ardian Dani nuk bënte pjesë tek burrat që vizitonin palestrat) një ligavec i ngadalshëm. Kur e pikaste ligavecin përtokë, e në këtë vend ku jetonte ata shtriqeshin bordurave të trotuareve apo monopateve në pyll si të kishte plasur ndonjë epidemic ligavecësh, Adi zbutej edhe më, qëndronte një hop, ulej në gjunjë sikur donte ta përshendeste mikun e vet, qëndronte ashtu derisa ligaveci riniste zvarritjen. Shikonte jargët që ai linte pas, a nuk ishin ato vazhda e jetës që thahej aq shpejt, e çdo gjë mbulohej paskëtaj nga harrimi? Por sigurisht, që këto pikëpjekje me ligavecin të kurorëzoheshin me një lëvizje të jargësit, duhej durim. E Adrian Dani nuk shquhej shumë për durimin, e kuptohet që edhe ato momente kur mund të lindte shkëndija e një lidhjeje mes tij dhe ligavecit ishin të rralla.

(Fragment)

 

Arapi: Ka një ushtri të tërë shkrimtarësh që duan rrugën e suksesit…

“Ky është libri i parë ku unë kam lozur me gjuhën. Është i gjithë një fiction. Ajo që më gëzon si figurë, është vetëm ajo çka është tipike për një ushtri të tërë shkrimtarësh në botë, ku bëj pjesë edhe unë. Adriani simbolizon figurën e shkrimtarit, edhe i mirë, por ende nuk e ka gjetur rrugën e suksesit, por janë miliona, si ai, që shkruajnë…Është një ushtri e tërë që duan të shkruajnë, por ky në përpjekjen e vet, të heroizmit për të mbijetuar me letërsinë, kthehet në një lloj mizantropi, pa dëshirë, që duket sikur i ka varrosur disa elementë dashurie. Por në fund të librit zgjohet dhe e kupton se ka brenda vetes atë elementin e dashurisë, vetëm se e ka fshehur”

Refuzoi pasaportën greke, aktorja shqiptare pendohet pasi shkon në Londër

$
0
0

Shumë prej shqiptarëve kanë emigruar jashtë kufinjve të vendit ku kanë siguruar dhe një nënshtetësi të dytë të vendit ku jetojnë.

Po kështu, edhe emra të njohur si aktor apo këngëtar me origjinë shqiptare kanë përfituar një nënshtetësi të dytë për të patur më tepër lehtësira. Aktorja Ornela Kapetani, e cila u vlerësua me çmimin si aktorja më e mirë protagoniste në Festivalin e Filmit në Sarajevë për filmin ‘Daybreak’ ose ndryshe ‘Dita zë fill’, në një rrëfim për veten tregon më shumë detaje nga jeta e saj artistike si dhe jeta jashtë kufinjve të Shqipërisë.

E ftuar në emisionin ‘Chic’ përballë moderatores Fjodora Fjora, Ornela Kapetani, vajza nga Saranda ndau me publikun një episod aspak të këndshëm, ku ishte ndjerë e paragjykuar se ishte shqiptare, pavarësisht se jetonte prej shumë vitesh në Greqi.

Gjithçka lidhet me një çmim ‘aktorja më e mirë’, pasi sipas ligjit grek nuk e lejonte që t’i jepej një shtetase që nuk ishte greke. Kapetani tha se në fillim refuzonte që të merrte pasaportën greke, por kur iku në Londër, e ndjeu nevojën e saj.

‘Ishte një nga momentet ku unë filloja dhe gjeja vetveten në shoqërinë greke. Ndjeva jo racizëm, por mohim. Kisha dhe një shpërthim të brendshëm dhe refuzove të flisja në konferencën për shtyp dhe thash vetëm: “Më vjen turp”. E ndjeja që të gjithë kishin nevojë që të komunikonin dhe të gjenin se çfarë është ky personazh që nuk flet. Kisha një protestë të brendshme.

Nuk doja që të jepja asgjë nga vetja tek ky forum që më mënjanon. Por pas këtij debati ndryshoi ligji. Karafil Shena ishte pas meje, me rolin tek ‘Amnistia’. Dhe mediat nisën të luftonin që ky ligj hiqej. Përderisa ne jetojmë në Greqi dhe jemi pjesë e shoqërisë, nuk mund të mënjanohemi.

E kisha marrë me inat, nuk dua. Në atë periudhë isha me atë idenë; unë jam shqiptare. Pasi shkova në Londër, e kuptova se më duhej pasaporta greke. Londra më ndihmoi që të krijoja këtë urë lidhëse, që unë të pranoj edhe jetën time në Greqi”, pohoi aktorja.

Së shpejti filmi i parë horror shqiptar

$
0
0

E vështirë të thuhet nëse regjisori australian Steven Kastrissios ka një marrëdhënie me hakmarrjen, por dy filmat kryesorë të jetës së tij shikojnë nëpërmjet saj.

 

Pas “The Horseman”, që e shpërndau fillimisht nëpërmjet tregut amerikan, ai vjen në Shqipëri me të parin film horror shqiptar.
“Bloodlands” vjen në kinema që prej së premtes, nën inerpretimin e Gëzim Rudit, Ilire Vincas, Suela Bakos e të tjerë.

“The Horseman është i gjithi një film për hakmarrjen. Bloodlands nuk eksploron hakmarrjen në vetvete, pavarësisht se e përdor atë. Është një film rreth familjes dhe traditës”, thotë vetë regjisori Steven Kastrissios.

Edhe ky film et për dhunën. Një vajzë mbetet shtatzënë dhe stigmatizohet nga banorët e lagjes së saj. Izolohet në mal edhe shndërrohet në një shtrigë të vërtetë, e cila mbledh rreth vetës një grup njerëzish, të cilët njëlloj si asaj shoqëria ua ka kthyer shpinën. Edhe më herët regjisori është shprehur rreth dhunës.

“Dhuna është diçka që e marr seriozisht dhe e konsideroj, sepse nuk duhet të futësh ide të këqija në kokën e njerëzve. Ajo që bëj është që i trajtoj historitë me shumë përgjegjësi dhe rolin e dhunës në to”, vijon ai. Ky film i ka dhënë aktores Suela Bako, në rolin e Shpresës çmimin e aktores më të mirë në “Nashville Film Festival”.

Përveç kësaj dhe origjinalitetit të filmit, regjisori ka një ftesë për publikun. “Produksioni i këtij filmi është i ndryshëm nga çdo film tjetër në Shqipëri. Postproduksionin e kemi bërë në Australi për dy vite dhe duhet t’i shohësh këta artistë të Shqipërisë në ekranin e madh të kinemasë. Me një aktrim për të cilin reagimi ka qenë se është puna me e mirë e tyre ndonjëherë”, thotë ai.

Martin Gerner: “Për shumë gjermanë integrim do të thotë asimilim”

$
0
0

Për shumë gjermanë sot integrim do të thotë asimilim. Për ta parë këtë në dritë të diellit, regjisori Martin Gerner, që ka rrahur botën mbarë me udhëtime e kulturën e tij, ka krijuar një situatë ironike me dy guerrillas kulturorë; një gjerman dhe një afgan në filmin dokumentar “Ushtria më e vogël e botës”. Për regjisorin Gerner mund të jetë një utopi, që shoqëritë perëndimore nuk e duan, por realiteti i sotëm gjerman jep një situatë konfuze për ta; cilët janë?

Hamon dhe Marcus, një gjerman dhe një afgan, të armatosur me kallashnikov dhe turban, bëjnë një udhëtim nëpër Alpe si talebanë bavarezë. Filmi ndjek lojën e tyre artistike, humoristike por edhe kritike të këtyre dy guerrilasve kulturorë dhe përpjekjen e tyre për një integrim më të mirë në kohët kur mijëra refugjatë vijnë në Europë dhe islamofobisë së re. Hamon – pas 20 vjetësh nënçmimi – lufton kundër racizmit të përditshëm në Gjermani. Marcus i kundërshton luftërat – të vogla apo të mëdha – dhe shqyrton me kujdes mbajtjen e Lederhosen bavareze. Pantallona të shkurtra prej lëkure të mbërthyera në formë H-je, të veshura tradicionalisht nga burrat në rajonet alpine si Bavaria. Që të dy e kthejnë realitetin tonë kokë-poshtë: talebanët bavarezë vijnë si gjoja punonjës humanitarë me qëllim civilizimin e Bavarisë. Por ndërsa Hamoni ballafaqohet me paragjykimin e të qenit një terrorist, veprimi i tij si taleban bavarez e inkurajon atë që të merret më me sinqeritet me sfidat me të cilat ballafaqohet. Ai kërkon klube që mbajnë pushkë tradicionale dhe vende që kanë ndjeshmëri ndaj birrës për të vënë në provë tolerancën e gjermanëve dhe austriakëve. Ajo që duket si një komedi rezulton të jetë një konflikt: Dueti bën të vetat mbrëmjet tradicionale gjermane “për atdheun” (Heimatabende) për qëllimin e tyre, duke u përpjekur të gjejnë se sa ka vend për tolerancë në mesin e të huajve në mjedise të molepsura nga nacionalistë. Duke vepruar kështu, ata reflektojnë rreth miteve gjermane të patriotizmit dhe atdheut. Takimet me popullsinë lokale të Alpeve përzihen me dëshirën e fortë të talebanit bavarez: Hamon dhe Marcus kanë një dëshirë të përbashkët për t’u stabilizuar në Gjermani. Vizioni i tyre është aq ironik, saç është edhe i vërtetë: ndërsa Europa bën thirrje për një integrim më të mirë, emigrantët janë në rrezik. Në kuadër të edicionit të 12-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, organizuar nga Marubi, regjisori Martin Gerner ka rrëfyer si realizoi këtë projekt, dhe konfuzitetin e gjermanëve të sotëm, dyshimin e tyre të vazhdueshëm tek vetja, dhe si e sheh një shtet si Gjermania problemet e integrimit, një nyjë aktuale e valës së re të emigracionit.

Si e morët idenë e këtij filmi, duke bashkë dy njerëz me kultura krejt të ndryshme, të përfshirë në të njëjtin projekt. Pse është i shqetësuar një regjisor gjerman për emigracionin?

Jam magjepsur nga këta dy njerëz pasi kishin disa pikëpamje të atilla për shoqërinë që unë nuk kisha e hasur më parë. Në fakt u magjepsa nga afgani për mendimet e thella dhe psikologjinë e tij që në një farë mënyrë po na ballafaqonte ne, gjermanëve, aq më tepër që tani kemi një dorë të re emigrantësh që po vijnë, përveç atyre të mëparshëm, të vjetrit. Ky ishte një njeri i tillë, me një status tjetër; ishte i shkolluar dhe kishte një kohë më të gjatë në Gjermani. Ishte siç e doja për filmin. Na njihte më mirë, dhe ishte i gatshëm, kishte vullnetin të shprehej: ja ky jam unë, këta jeni ju, kush jeni ju. Në fakt ne, kemi nevojë për këtë lloj ballafaqimi.

Ju rimerrni këtë temë të emigracionit, që ne, e pamë tek IHRFFA, në kontekstin e të drejtave të njeriut. Ju përmendet që emigracioni po ju kthen te pyetja: kush jemi ne, pra që ju gjermanët ia drejtoni vetes tuaj. Pse ky konfuzitet me gjermanët e sotëm?

Unë jam rritur pjesërisht në Francë, kam lindur në Holandë dhe nëpërmjet arteve, ekspozitave kam udhëtuar në gjithë botën. Nga kjo pamje, mund t’ju them se ne, gjermanët, jemi të njohur në mbarë botën, sepse vëmë shumë dyshime mbi veten, bëjmë shumë pyetjeve vetes. Kjo ka të bëjë me procesin e fortë, të rëndë, që kemi kaluar për denazifikimin e vendit, e mbase te gjermanët kjo ka ndikuar shumë. Nga ana tjetër, gjermanët janë të qëndrueshëm, por jo shumë fleksibël. Ja për shembull, autoritetet tona nuk janë shumë fleksibël kur vjen puna tek integrimi.

Në thelbin e këtij filmi që është emigracioni, ne pamë se si një shtet asimilon kulturën e tjetrit…është ky një debat?

Asimilimi, kjo fjalë është shumë e rëndësishme në këtë film. Për shumë gjermanë integrim do të thotë asimilim. Unë do të thosha, që edhe media te ne nuk bën shumë dallim. Sigurisht shumica e të huajve, logjikisht, nuk duan të asimilohen. Akoma na duhet ta debatojmë, diskutojmë këtë në Gjermani.

Më bëri përshtypje, në këtë kontekst, çallma e afganit, se si ju e “dëshironit” ta përfshinit me kostumet tradicionale gjermane. Ironi. Pse ndodh kjo?

Ai afgani, Hamoni, në momentin që bën këtë veshje, ndodhi kjo nja dy muaj në një fundjavë, pashë që ai çlirohet, ndihet i lirë. Mendoj se kur nuk është i veshur me rrobat e tij, ai nuk ndihet i lirë. Në të njëjtën kohë ka një miqësi me gjermanin. Pse ndodh kjo? Mendoj se ata jetojnë vërtet në një utopi të tyre. Kjo është bërë shumë e rrahur sot. Utopia është ka qenë diçka negative për shoqëritë perëndimore, ndërsa ata i gjejnë te vetvetja energjitë pozitive; një i huaj dhe vendali bëhen bashkë- për këtë kemi nevojë ne, pra t’i integrojmë.

Në fakt, s’po më dukej utopi, por si një subkoshiencë që njeriu e ka kur është human. Ti shikon njerëzit bashkë, të përfshirë në njëri-tjetrin përmes kulturave. Do doja t’ju bëja një pyetje, a e besoni se gjithë këto lëvizje, emigracioni konfliktin kryesor e ka me kulturën, përveç nevojës ekonomike?

Është një titull libri ky. Keni të drejtë. Në themel të kësaj është kulturor. Aspekti religjioz që ne, në Europë e nxjerrim, e shfaqim kundër identitetit mysliman. Mendoj se është e lidhur si kulturore apo ekonomike, këto lëvizjet populiste, përfitojnë nga fakti që njerëzit i kanë lënë mënjanë ekonomikisht. Por nga ana tjetër jo. Për shembull, Bavaria është një vend tepër i pasur në Gjermani. Aty ka një numër të vogël njerëzish që mund t’i ketë lënë mënjanë ekonomikisht. Kështu ne kthehemi se arsyeja kryesore është ajo kulturore. Kur i referohemi zonave malore është thjesht një simbol. Në Bavari, edhe brenda saj, ka Bavarinë jugore dhe atë të ulët, kanë dallimet e tyre. Njerëzit, banorët e vendeve të ulëta me ato të zonave malore, kanë shumë dallime. Po nuk dua të kaloj në klishe. Por në të njëjtën kohë është një simbol, ku janë këto malet që na ndihmojnë të ruajmë shikimet e papenguara.

Intervistoi: V.Murati

 

Te Marubi: Mbyll siparin edicioni i 12-të i IHRFFA

Edicioni i 12-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut u mbyll të shtunën në mbrëmje, një nga eventet më të rëndësishme të kinematografisë në Shqipëri, që zgjati një javë dhe u projektuan 39 filma të regjisorëve të huaj e shqiptarë.

Filmat u shfaqën për publikun në sheshe të kryeqytetit dhe ambiente të mbyllura si Akademia Marubi, Arkivi i Filmit, Universiteti Polis, Akademia e Sigurisë dhe Universiteti Europian i Tiranës (UET) shoqëruar me forume dhe debate mbi fundamentalizmin, radikalizmin dhe populizmin. Në mbrëmjen e fundit, Festivali solli filma që mbanin emrin e Thomas Isler, ‘Kur demokracia merr kot’ dhe Eyal Halfon me ‘Lufta 90-minutëshe’. Për Drejtorin e Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi, Kujtim Çashku, Festivali ia doli që edhe këtë vit të zgjojë interes te qytetarët e të nxisë debate mbi temat e trajtuara. Por, eventi që çdo shtator e kthen Shqipërinë në kryeqendrën e kinematografisë, shihet edhe si një shkëmbin eksperiencash mes kineastëve.

Në mbyllje, besnikët e festivalit e organizatorët e tij festuan nën tingujt e Duo Eclesio Ramos &Herin.

Përkthyesja franceze: Patër Pllumi në kujtesën time

$
0
0

Bashkë me ekspozitën me rastin e 10-vjetorit të ndarjes nga jeta të At Zef Pllumit, dje në Bibliotekën Kombëtare është prezantuar nga At Viktor Demaj botimi i plotë i veprës së At Zefit, nga “Botimet françeskane”. Kushtuar memuaristikës shqipe, si një rrugëtim i vetëdijes së dëshmimit historik e personal në kulturën shqiptare, kulmon me veprën e tij “Rrno vetëm për me tregue”. Në forumin “Át Zef Pllumi – dëshmi” ka qenë mbresëlënëse dëshmia e përkthyeses franceze Odile Daniel, si është njohur me At Zef Pllumin, çfarë kujton nga bisedat dhe takimet me fratin…

Daniel: Për At Zef Pllumin të lindte natyrshëm përshtypja se ai zotëronte të gjitha të fshehtat e historisë

Nga Odile Daniel

Në këtë kremtim përkujtimor të At Zef Pllumit do të doja të vija në dukje dhe të nderoja cilësitë që mishëron kjo figurë e madhe e historisë së Shqipërisë. Do të sjell gjithashtu dëshmi nga ana ime dhe si njohëse dhe njëherazi si përkthyese në gjuhën frënge e veprës së tij “Rrno vetëm për me tregue”. Do t’ju sjell disa kujtime të miat prej takimeve që kam pasur më At Zef Pllumin gjatë periudhës që kam qëndruar në Shqipëri.

Si u njoha me At Zef Pllumin?

Një ditë, në Paris, zoti Aurel Plasari, duke më dhuruar librin e tij, më thotë: “Do të ishte mirë që kjo vepër të përkthehet dhe të botohet në Francë”.

E nisa leximin e librit dhe nuk e ndjeva kohën që kalonte dhe vijova të lexoja deri herët në mëngjes. Mbeta e mahnitur nga madhështia, bujaria dhe fisnikëria e shpirtit të tij, cilësi që spikatnin menjëherë në rrëfimin e tij; për më tepër, një rrëfim që bartte kaq shumë të vërteta. U mahnita sidomos nga fuqia e jashtëzakonshme e qëndresës së tij, një qëndresë gati mbinjerëzore.

Pasi e përfundova përkthimin, mendova se ishte më mirë të takoja autorin dhe të mund të bisedoja drejtpërdrejt me At Zef Pllumin rreth përkthimit të disa pjesëve të librit. E ndieja të nevojshme që të shtoja disa shënime shpjeguese për lexuesin francez, i cili mund të mos e njihte mirë historinë e Shqipërisë dhe traditat e vendit. Mendova gjithashtu se duhej të shpjegoheshin disa shprehje të së folmes lokale që pasqyronin mentalitetin dhe mendjehollësinë e asaj treve. Kur At Zef Pllumi më priti në aeroportin e Tiranës, u habita dhe sapo e pashë, vura re se fytyra i shndriste nga gazi, sytë i qeshnin; ishte mbresëlënëse gëzimi që shprehnin ata sy edhe pas aq vuajtjesh që ai kishte qenë i detyruar të përballonte në jetë. Vështrimi i atyre syve përngjasonte me ato vështrime depërtuese që kisha parë në fotografitë e malësorëve të Malsisë së Madhe në fototekën “Marubi”.

Me At Zef Pllumin shkuam në Shkodër, në shtëpinë e mbesës dhe nipit të tij, te familja Shpati, të cilën e falënderoj shumë për mikpritjen shqiptare dhe për zemërgjerësinë me të cilën më pritën. Në kujtesën time, Patër Pllumi ka mbetur si personalitet i madh, që ruante të pacenuar në mendjen e tij historinë e Shqipërisë. Kur i lexoja pjesë të ndryshme të përkthimit, ai ndërhynte herë pas here për të më treguar ngjarje e të dhëna të ndryshme që njihte e që i kishte përjetuar vetë dhe që nuk figuronin në librat e historisë. Dhe lindte natyrshëm përshtypja se ai zotëronte të gjitha të fshehtat e historisë. Siç vë në dukje në librin e tij, ai kishte punuar qysh në rini në arkivat françeskane dhe kishte shfletuar letërkëmbimin e shumë personaliteteve të shquara historike. Gjatë bisedave tona për përkthimin, e dëgjoja At Zef Pllumin dhe adhuroja tingëllimin e bukur të asaj të folmeje të ruajtur me besnikëri, të asaj gegërishteje me atë nazalitet bukurtingëllues. Gjatë punës për përkthimin e veprës, nganjëherë kisha vështirësi me atë mënyrë të shprehuri, sepse Ai shprehte shumë mendime me pak fjalë dhe më duhej që në gjuhën frënge të përdorja perifraza të gjata për të shprehur të njëjtën ide. Ati shprehej në mënyrë të shpenguar me të folurën e asaj krahine malore, duke përdorur fjalë që linin përshtypje të thella. At Zef Pllumi përfaqësonte elitën intelektuale françeskane të Shkodrës. Dituria e tij ishte e pamat, gjykimi i tij gjithnjë i saktë e i përpiktë. Ai më fliste shpesh për pashallarët Bushatllinj dhe për Fratin Erasmën Balneo, për jetën e bëmat e të cilëve ai shkroi një libër. Ai më fliste për famën e tyre, për solidaritetin fetar e për pavarësinë e vendit.

At Zef Pllumi dëshmonte natyrën e shpirtit shkodran, plot humor e zgjuarsi. Një ditë, ai më tregoi se, kur bënte udhën nga Shkodra deri në Tiranë, makina u ndal nga vjedhësit që donin ta grabisnin. Me qetësi, ai u tha: “ç’dëshironi, bekim apo mallkim? E kam vuajtur një dënim të gjatë? Ata iu përgjigjën “Ohhhh, nuk të njihnim” dhe ikën me shpejtësi.

E admirova zellin e madh të Atit për punë, sepse, në vend të çlodhej mbas aq vitesh vuajtjeje, ai përpiqej të ringjallte interesimin për vendet e ngjarjet që nuk meritonin harresë, për monumentet e arkitekturës që i kishin shpëtuar shkatërrimit përgjatë sundimit osman. Pashë se sa shumë At Zef Pllumi ishte i lidhur me tokën shqiptare. Ai donte jo vetëm të shpëtonte pasurinë e vendit, por sidomos të tregonte se e kaluara kishte qenë e madhërishme.

Në kërkim të ndihmave për subvencione pranë Fondacioneve të ndryshme, ne vizituam bashkë shumë kisha dhe monumente historike, që kishin rënë pre e shkatërrimeve ose që ishin në rrënim e sipër. Ai bënte një krahasim të bukur duke thënë se duhej të qanin mbi këto rrënoja, si profet Jeremi përpara mureve të Jeruzalemit.

Për të shpjeguar merakun e tij për restaurime, bashkë me zonjën Persida Asllani, ai na çoi në Kepin e Rodonit, në një vend me bukuri natyrore përrallore, në kepin e gadishullit ku gjendet një fortesë e vogël, e restauruar nga Skënderbeu në vitin 1454. Fortesa ishte feudi a pronë e motrës së tij, Mamicë. Sipas traditës, ajo ua la me testament françeskanëve, të cilët, për treqind vjet, e patën si seli të Provincialatit. Patër Pllumi krenohej me zbulimin e afreskut në kishën e Shna Ndout, që tregonte Mamicën mbi një kalë dhe shqiponjën dykrenare.

Së bashku vizituam kishën e Rubikut në majë të malit, që i ngjante kishës së Rokamadurit në jugperëndim të Francës. Afresku mural i abacisë, i shek. XIII, gjatë atyre pesëdhjetë vjetëve të regjimit komunist kishte pësuar shumë dëmtime dhe zbehjen e ngjyrave për shkak të fonderive të bakrit që u ndërtuan atje. Ishte i domosdoshëm restaurimi i ngjyrave.

Vizituam po ashtu edhe kishën e Shën Gjonit në Vrakë, pranë fshatit Hysaj, afër Shkodrës, mbetjet e kishës ishin dikur abaci benediktine, e përmendur në dokumente të ndryshme arkivore për mbishkrime interesante. Ish–konsulli francez në Shkodër, Hyacynthe Hecquardi, u interesua për këtë monument në fund të shekullit XIX. Ishin gërmadha mbi të cilat lartohej një pjesë e kumbanares. Ati thoshte që duheshin bërë kërkime arkeologjike dhe shumë restaurime. Interesimi i Atit përqendrohej sidomos në kishën e Shenj Sergisit dhe Bakut në Shirq, ku ngrihej një mur në mes të një vendi me bukuri të rrallë, i ndërtuar në vitet 1298-1308, nga mbretëresha Elena e Anzhusë, (Helene d’Anjou) dhe ku janë varret e dy mbretërve në fillimet e mbretërisë së Rashës. Për kjo ishte lënë krejtësisht mbas dore; lumi Bunë e ka shkatërruar kishën pothuajse krejtësisht. Ne admiruam zbukurimin e dritareve që ishte i njëjtë me atë të disa kishave normane. Në fillim të shekullit XX, konsulli i Francës, Auguste Degrandi, kishte vërejtur bukurinë e monumentit dhe njëherazi dëmtimet e pësuara nga përmbytjet e lumit, por edhe lënia pas dore. Më vonë vërejta se interesi i Atit për mbrojtjen e pasurisë arkitekturore shqiptare kishte tërhequr vëmendjen e autoriteteve përkatëse.

Nga bisedat me At Zef Pllumin, vëreja vazhdimisht se ai ngulmonte në rolin e kulturës për të ndriçuar mendjen. Ai thoshte se duhet shërbim dhe jo fitim. Me gjuhën e tij të figurshme, ai thoshte se vlera e një kombi nuk numërohej me numrin e dhenve dhe deleve, por me numrin e shkollave. Ai më thoshte se kleri kishte spikatur në këtë drejtim qysh në fillimet e shkrimit të gjuhës shqipe. Ati kërkonte ta vazhdonte këtë traditë, duke u përpjekur për ringjalljen e revistës “Hylli i Dritës”.

At Zef Pllumi mbronte e kërkonte shpëtimin e kulturës, dhe kulturimin e brezit të ri; ai vetë kishte kulturë enciklopediste; pas lirimit nga burgu, ai u kujdes që të nxisë edukimin e brezave të rinj dhe të dërgojë të rinj të talentuar në universitetet europiane. Ai nuk pushonte së shprehuri dëshirën e zjarrtë që Shqipëria të gjejë vendin e merituar në Europë.

Jemi mbledhur këtu që të përkujtojmë At Zef Pllumin, duke sjellë ndërmend gjallërinë e tij të pashtershme, megjithëse kishte kaluar vuajtje pas vuajtjesh, për vite e vite të tëra në burgjet e diktaturës; jemi mbledhur këtu për të vënë në piedestalin e merituar vlerat e tij morale e intelektuale. Ai është figura e denjë e një Shqipërie që, përgjatë shekujve e përmes vuajtjeve, diti të rilindte, të ripërtërihej. Trimëria e At Zef Pllumit, e frymëzuar nga feja, por edhe nga traditat trimërore të vendit të tij, është një shembull që nuk do ta harrojmë kurrë dhe që është për ne simbol i fitores së një Shqipërie që nuk dorëzohet dhe që di si të bëjë gjëra të mira.


Shuhet Afrim Koçi: Përkthyesi i 100 titujve nga kryeveprat botërore

$
0
0

Përkthyesi legjendë i gjuhës gjermane Afrim Koçi ndahet nga jeta, me një pasuri prej 100 titujsh nga kryeveprat botërore lënë trashëgimi shqipes, në letërsi dhe gjuhë. Në moshën 79-vjeçare Koçi bëri ndarjen fizike, por duke krijuar te lexuesi një Babel gjuhësh e njohje kulturash. Ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit mbahet sot në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar

Përkthyesi legjendë i gjuhës gjermane Afrim Koçi ndahet nga jeta, me një pasuri prej 100 titujsh nga kryeveprat botërore lënë trashëgimi shqipes, në letërsi dhe gjuhë. Në moshën 79-vjeçare Koçi bëri ndarjen fizike, por duke krijuar te lexuesi një Babel gjuhësh. “Lajm i hidhur për kulturën shqiptare. Kolegu dhe miku im Afrim Koçi, punëtor i palodhur i përkthimit të letërsisë botërore, i mbaroi ditët e tij”, shkruan Aurel Plasari në rrjetin e tij social, i cili në vitin 2012 i ka dedikuar përkthyesit një ditë të veçantë për kontributin e tij në përkthimin e kryeveprave të letërsisë botërore që e motivoi këtë edhe me shënimin e 80 viteve të “Index Translationum”, një bibliografi ndërkombëtare e përkthimeve, e cila përgatitet nën kujdesin e UNESCO-s që prej vitit 1932. Me prezencën e përkthyesit në këtë takim, kemi ndoshta mesazhet më të plota që ka lënë Koçi për përkthimet e tij, ku ndër të tjera veçojmë këtë mbresë: “Sot përkthimi ka shumë defekte. E para e punës, njerëzit sot nuk përkthejnë për pasion, por për të nxjerrë jetesën, ndonëse te ne përkthimi paguhet shumë pak. Nga ana tjetër, nuk ka kritikë dhe vlerësime të punëve të veçanta për të nxjerrë në pah të mirat dhe të metat e përkthimeve. Kushdo mund të nxjerrë një libër në treg, mjafton të ketë ca para për ta promovuar dhe e bën të duket si libri më i mirë. Përkthyesit sot janë të harruar, sepse nuk ndihmohen fare nga institucionet shtetërore. Gjithçka i është lënë shpirtit tregtar të botuesit dhe duke qenë se botuesve u leverdis të marrin edhe përkthyes pa përgatitjen e duhur, mjafton t’i paguajnë më pak, kjo sjell edhe mungesën e një sistemi vlerash”. Ashtu siç Koçi ka rrëfyer, përkthimin e ka nisur nga mjedisi familjar, rritur në një shtëpi plot libra, me dy motra që dinin rusishten, gjuhë përmes të cilës kaloi edhe në letërsitë e vendeve të tjera.

“Unë nuk mendoj se kam bërë më shumë se të tjerët, por unë kam qenë nxënës i Petro Zhejit, i Sotir Cacit, i Bujar Dokos dhe kam hipur në ato shkallë që kanë ngritur ata më parë. Falënderoj ministrin Bumçi për vlerësimin që i bëri përkthimit, që në të vërtetë nuk është në vëmendjen e duhur dhe zotin Plasari për këtë iniciativë. Për mua do të thotë shumë, sepse është vlerësim i gati gjithë jetës sime”, pat thënë për mediat Koçi. Për të përkthimi ishte profesion dhe art, dhe nga ana tjetër një punë e vështirë, mbetur e pavlerësuar. I pyetur se çfarë e bën dallimin e përkthimit në dy kohë, para dhe pas viteve ’90, si dhe për librin sot, përgjigja e Koçit ishte: “Kjo është ndarja klasike që i bëhet jetës në Shqipëri, sepse në të vërtetë nuk ka ndarje, është vazhdimësi. Asgjë nuk krijohet në boshllëk. Epokën e komunizmit e dallonte një kufizim ideologjik, por nga ana tjetër kishte seriozitet profesional. Sot ka liri veprimi e zgjedhjeje, por nuk ka shumë profesionalizëm në shumicën e përkthimeve. Dua të tërheq vëmendjen te libri, sepse është një pasuri e madhe që të zhvillon moralisht dhe të jep shumë më tepër se ‘facebook’, ‘twitter’ apo këto rrjete sociale që janë mekanizma budallallepsje. Të lexosh një libër është njësoj sikur të bisedosh me një shok të mençur. Pavarësisht anëve të tjera jo të këndshme, e mira e përkthimit është se kur nis punën, të duket sikur futesh në parajsë e bisedon me njerëz shumë të mençur”.

Ndërsa Biblioteka Kombëtare dje ka përcjellë përmes medias një homazh për përkthyesin duke vënë në dispozicion gjithë informacion e të dhënave mbi këtë përkthyes. “Përkthyes dhe redaktor, Afrim Koçi, për rreth 45 vjet ka sjellë mjeshtërisht në gjuhën shqipe emrat më në zë të kulturës dhe letërsisë botërore. Bir i një babai librofil, Afrim Koçi e ka nisur karrierën e përkthimit në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” në vitet ‘60. Në fondet e BKSH ruhen mbi 90 tituj, përkthime e redaktime nga gjermanishtja, rusishtja, italishtja, anglishtja nga disiplina të ndryshme si letërsi, shkenca humane dhe sociale, histori, albanologji, filozofi duke nisur nga sprovat e tij të para “Novela amerikane te shekullit XIX” (1973); “Kthimi” (1976) i Jan Myrdal; “Kufiri i hijes” (1976) i Joseph Conrad; “Drama” (1978) i Henrik Ibsen. Për të vijuar më tej me “Farefisi” (1980) i Zhigmond Moric; “Nën rrotë” (1980) i Herman Hesse; “Drama” (1981) i Maksim Gorkij; “Reportazhet e Topgungaçit” (1984) i Robert Escarpit; “Kronikë e kohës së Karlit IX” (1989) i Prosper Merimee; “Ora e gjermanishtes” (1989) i Siegfried Lenz; “Jashtë derës” (1989) i Woflgang Borchert”. Pas viteve ’90 në gjuhën shqipe do të vijnë mjeshtërisht shkrimtarë nobelistë dhe të rëndësishëm të filozofisë dhe letërsisë botërore si “Iluminacione” (1998) të Walter Benjamin; “Abrahami nuk ka faj” (1998) të Ephraim Kishon; “Anestezi Lokale” (2000) të Gunter Grass; “Legjenda e pianistit : një monolog” (2003) i shkrimtarit italian Alessandro Bariço; “Qëndresë dhe bashkëpunim në Shqipëri : 1939-1944” (2006) i Hubert Neuwirth; antologjinë “Tregimtarë të gjuhës gjermane pas viteve ’45” (2007); “Epshi” ( 2007) i nobelistes Elfriede Jelinek; “Macja dhe miu” (2008) i Guntter Grass; “Mali magjik” (2009) i Thomas Mann; “Kasandra” (2012) i Christa Wolf; “Koha e ngrirë” (2014) i autores Anna Kim; “Portret grupi me një zonjë” (2015) i Heinrich Böll; “Haxhi Murati” (2016) i Lev N. Tolstoj; “Në gjurmët e një përralle” (2016) i Jan-Philipp Sendker etj. Krahas tyre qëndrojnë edhe vepra dhe studimet më të rëndësishme në fushën albanologjisë dhe historisë si “Studime shqiptare” të Johann Georg von Hahn; “Shqiptarët nga Mesjeta deri në ditët tona” (2008) i Peter Bartl; “Mehmet pushtuesi : botësulmuesi në kapërcyell kohe” (2005) i Franz Babinger etj. Për herë të parë në Koçi solli në gjuhën shqipe veprat monumentale të Eqerem Vlorës, “Kujtime” (2001), “Ndihmesë për historinë e sundimit turk në Shqipëri : skicë historike” (2010) si dhe “Nga Berati në Tomorr dhe kthim: ditar” (2003), përkthyer nga origjinali në gjuhën gjermane. Një vëmendjen e veçantë përkthyesi Koçi i ka kushtuar edhe përkthimit të letërsisë për fëmijë si “Veti dhe Babsi” (2000) i Christine Nostlinger, “Beni do Sarën, Sara do Timin” (2004) i shkrimtareve Carola Holland dhe Edith Schreiber-Wicke, “Beni dhe Ana” (2016) i Peter Hartling; “Aventurat e bletës Maja” (2010) i Valdemar Bonsels etj. Afrim Koçi është shpallur Fitues i Çmimit Kombëtar të Letërsisë “Fan Noli”, akorduar nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve në vitin 2010 për përkthimin e “Malit magjik” të Thomas Mann, i Shtëpisë Botuese “55”. Ndërsa Bashkia e Tiranës i akordoi titullin “Personaliteti i Tiranës për vitin 2007”, si “një përfaqësues i denjë i plejadës së përkthyesve, të cilët me punën e tyre, që prej vitit 1945, i kanë dhënë letërsisë shqiptare vepra të çmuara të shkrimtarëve të njohur në mbarë botën”.

 

Aurel Plasari: Lajm i hidhur për kulturën shqiptare

“Kolegu dhe miku Afrim Koçi, punëtor i palodhur i përkthimit të letërsisë botërore, i mbaroi sonte ditët e tij. Do t’i jenë mirënjohës jo vetëm bashkëkohësit, por edhe brezat që do të vijnë për përkthimin e një biblioteke të tërë veprash dhe kryeveprash. Ndër të tjerë autorësh si Gothe, Tolstoi, Bjelinski, Ibsen, Prosper Merimé, Joseph Conrad, Gorki, Thomas Mann, Alexis Kivi, Szigmond Moricz, Ludwig Renn, Heinrich Bol, Robert Escarpit, Günter Grass, Max von der Grün, Peter Haertling, Hermann Hesse, Siegfrid Lenz, Peter Weiss, Heinrich Mann, Ivan Olbracht, Max Frisch, Klaus Mann, Walter Benjamin, Wolfgang Borchert, Oivind Bolstad, Jostein Gaardner, Elfride Jelinek, por edhe albanologësh të rëndësishëm, si: Franz Babinger, Peter Bartl, Ekrem bey Vlora etj.”. 

Mimoza Hysa, përkthyese: Nderim të thellë për një punë murgu

“Kur shuhet përgjithnjë një përkthyes i talentuar, gjuhës shqipe i meken fjalët… përmes gjuhës së tij magjike kam dashuruar autorët e mi të preferuar: Jelinekun, Crista Wolfin apo Tomas Mannin dhe kam kuptuar se veç një përkthyes i formuar mund të kalojë lehtësisht nga përkthimi i letërsisë klasike në atë moderne, siç lehtësisht mbajnë çdo mur të spërdredhur themelet e forta.
Nderim të thellë për një punë murgu, larg dukjes dhe shtirjes, për një përkushtim të heshtur mbi 40-vjeçar në rrugën e vështirë të përkthimit, nderim të thellë për të heshturin shumëgjuhësh Afrim Koçi!”.

Shpëtim Çuçka: Afrim Koçi, një nga përkthyesit që ka punuar për kulturën kombëtare

Përkthimi, si dega e dytë e krijimtarisë artistike, për të mos thënë është i injoruar, le të themi që është i shpërfillur dhe i lënë në harresë. Përkthimi është një mision kulturor dhe këtë bënë përfaqësuesit e shkollës sonë kulturore të përkthimit, duke synuar pasurimin e kulturës kombëtare me vlerat më të qëndrueshme të letërsisë botërore të të gjitha kohërave. Afrim Koçi është një nga këta përkthyes që ka punuar për kulturën kombëtare. Le të mbetemi me besimin se studimet e ardhshme rreth historisë së përkthimit shqiptar, Afrim Koçin, do ta vënë në vendin e vet të merituar.

 

Tetori gjerman 2017: Vjeshta kulturore nën flamurin e miqësisë 30-vjeçare

$
0
0

Një përvjetor miqësie, sa diplomatike, aq politike, por edhe kulturore përkon me vjeshtën kulturore, ajo që konsiderohet prej vitesh si “tetori gjerman” në Shqipëri do të jetë me veprimtari intensive. Ambasadorja gjermane: 30 vjet miqësi intensive mes dy vendeve

Një përvjetor miqësie, sa diplomatike aq politike, por edhe kulturore përkon me vjeshtën kulturore, ajo që konsiderohet prej vitesh si “tetori gjerman” në Shqipëri. “Ky është viti i njëmbëdhjetë që organizohen javët e kulturës gjermane në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e djeshme të ambasadës gjermane, duke veçuar faktin se “kjo vjeshtë do të interesante, sepse vjen përsëri “Tetori gjerman”, vjeshta kulturore gjermane në Shqipëri. Filma dhe letërsi, teatër, muzikë, balet, diskutime dhe workshope – edhe për vitin 2017 programi i aktiviteteve ofron diçka për çdo shije”. Deri më 16 nëntor janë parashikuar veprimtari intensive që realizon dhe opusin politik: 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Gjermanisë dhe Shqipërisë. Drejtuesi i sektorit të kulturës dhe shtypit, Johannes Dietrich, u shpreh për mediat mbi programin duke thënë se do të ketë “ekspozita që sjellin në kujtesë histori të ndryshme, aktivitete operistike dhe teatrale, seminare, shkëmbime traditash.

“Aktivitetet do të jenë intensive dhe do nisin më 30 shtator me një Requiem Gjerman në

sallën e Katedrales Ortodokse në Tiranë. Koncerti do jepet në bashkëpunim me Teatrin e

Operës dhe Baletit. Do të ketë shfaqje të kërcimit Chiping në Teatrin Kombëtar, dhe do të

vijojë me premierën e teatrit “Jashtë derës” në Teatrin Eksperimental “Spahivogli”, do të

shfaqet filmi “Lamtumirë Europë” nga Mari Shchrader e më gjerë”, -tha Dietrich.

Ndërsa ambasadorja gjermane, Susanne Schutz, foli për intensifikimin e marrëdhënieve midis

Shqipërisë e Gjermanisë. “Në harkun kohor të 30 vjetëve, marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Shqipërisë hera-herës kanë qenë disi abstrakte. Ndërkohë që vitet e fundit marrëdhëniet politike janë intensifikuar ndjeshëm, ne kemi vendosur që këtë vit t’i japim më shumë ngjyrë kulturës.

Dhe në konceptin gjerman kulturë do të thotë të lëvizin njerëzit. Kjo është kultura. Përveç

aktiviteteve klasike artistike do të ketë edhe shumë tryeza, debate e seminare ku do të jetë në vëmendje mësimi dhe përdorimi i gjuhës gjermane”, u shpreh Schutz.

Mbrëmjet gjermane nisin të shtunën me koncertin “Një Requiem Gjerman”, në sallën e

Katedrales së Re Ortodokse, ku bëhet fjalë për rekuiemi Gjerman i Brahmsit, që prej shfaqjes së parë të plotë të tij në vitin 1868 në Katedralen e Bremenit, hyn në mënyrë të padiskutueshme te veprat kryesore të historisë së zhanrit oratorio. Vepra mbart një rëndësi tejet të madhe jo vetëm prej strukturës së dendur muzikore të pazakontë të saj, por dhe për shkak të tekstit, në të cilin Brahmsi përmbledh vargje kryesore nga Dhjata e Vjetër dhe Dhjata e Re, të përkthyera nga Martin Lutheri, në mënyrë të tillë që idetë qendrore “trishtim” dhe “ngushëllim” të lidhen qartas me njëra-tjetrën. Për një hapje festive të Tetorit Gjerman, Ambasada Gjermane, së bashku me TKOBAP Tiranë, sjell në skenë këtë vepër në një bashkëprodhim gjermano-shqiptar. Orkestra dhe Kori i Operës do të drejtohen nga dirigjenti gjerman Ekhart Wycik, Profesor në Shkollën e Lartë të Muzikës Weimar. Krahas sopranos shqiptare Erjona Gjyzeli dhe Eva Golemi, rolin e dytë solo e merr baritoni gjerman Henryk Bohm.

 

Shfaqje kërcimi: “Chipping”

Koreografja Anna Konjetzky për herë të parë në Shqipëri

Gjithçka vibron: Në “chipping” të Anna Konjetzkyt skena është pa pushim në lëvizje. Kuba rrëshqasin tutje-tëhu – herë ngadalë, pa u vënë re fare, herë shpejt dhe dukshëm duke u rrokullisur mbi gjithçka. Trupi duhet t’u përshtatet vazhdimisht rrethanave të reja, të kërkojë rrugën e tij në një copëz hapësire lëkundëse. Çdo hap një akt balance i ri, çdo lëvizje e rimenduar, e risjellë në ekuilibër, çdo rrugë e rigjetur. Koreografitë e Anna Konjetzkyt sillen rreth pikës lidhëse mes kërcimit, instalacionit dhe performancës, janë në limitet fizike dhe shumë shpesh të strukturuara nga një regji drite dhe skene të sofistikuar. Me ftesë të Qendrës Gëte shfaqja e kërcimit “Chipping” jepet për herë të parë në Shqipëri. Përveç kësaj, Anna Konjetzky dhe kërcimtarja Sarah Huby do të organizojnë një workshop, ku do t’u përcjellin kërcimtarëve shqiptarë eksperiencat e tyre.

AFP: Kadare mund të marrë NOBEL-in në letërsi sivjet

$
0
0

Rrethet letrare të Stokholmit pajtohen në një gjë, shkruan Agence France-Presse (AFP): Akademia pas të gjitha gjasave do të bëjë sivjet një zgjedhje konsensuale, konservatore, pas përzgjedhjes së vitit të shkuar, aq të diskutuar, që shkoi për legjendën e muzikës, kantautorin Bob Dylan.

“Ajo që ndodhi vitin e shkuar ishte krejt e pazakontë. Këtë vit mendoj se do të jetë një romanicer mashkull ose eseist me rrënjë në Europë. Mendoj se do të jetë e kundërta e Bob Dylan”, parashikon Bjorn Wiman, redaktori I Kulturës së gazetës kryesore suedeze ‘Dagens Nyheter’.

“Statutet e Shkodrës”, Lucia Nadin: Punova për Shqipërinë si një zë nga Venecia

$
0
0

Botimi i edicionit “Statutet e Shkodrës”, nga gjysma e parë e shekullit XIV me shtesat deri në 1469, prezantohet sot në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Parathënia e këtij botimi është përgatitur nga Lucia Nadin dhe Pëllumb Xhufi, të cilët kanë trajtuar gjithë historinë si ka mbërritur dhe është zbuluar ky tekst legjislativ i hartuar në gjysmën e parë të 1300, që shoqëroi ngjarjet e qytetit të Shkodrës deri në rënien e tij në duart e turqve në vitin 1479. Në fakt dorëshkrimi, i ruajtur në Bibliotekën e Muzeut Correr në Venecia, u gjet nga studiuesja Lucia Nadin në vitin 1995.

Botimi i edicionit “Statutet e Shkodrës”, nga gjysma e parë e shekullit XIV me shtesat deri në 1469, prezantohet sot në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.

Parathënia e këtij botimi është përgatitur nga Lucia Nadin dhe Pëllumb Xhufi, të cilët kanë trajtuar gjithë historinë si ka mbërritur dhe është zbuluar ky tekst legjislativ i hartuar në gjysmën e parë të 1300, që shoqëroi ngjarjet e qytetit të Shkodrës deri në rënien e tij në duart e turqve në vitin 1479. Në fakt dorëshkrimi, i ruajtur në Bibliotekën e Muzeut Correr në Venecia, u gjet nga studiuesja Lucia Nadin në vitin 1995.

Publikimi i parë u bë në Itali në vitin 2002 me kontributin e historianëve dhe gjuhëtarëve dhe përkthimin e tekstit në gjuhën shqipe. Në vitin 2003, në Shqipëri u botua një edicion i dytë me përkthimin në gjuhën shqipe të eseve hyrëse. Ky botim është një tekst legjislativ i hartuar në gjysmën e parë të 1300, që shoqëroi ngjarjet e qytetit të Shkodrës deri në rënien e tij në duart e turqve në vitin 1479. “Kemi të bëjmë me një “monument të vërtetë të Shqipërisë mesjetare” vlera e të cilit, megjithatë, shtrihet edhe në historinë e bregdetit lindor të Adriatikut dhe marrëdhënieve të tij me Venecian dhe me fuqitë e mëdha në këtë zonë, në kuadër të ekuilibrave të mëdha ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Bibliotekës Kombëtare.

Sipas BK-së, ky botim ka gjithashtu përparësinë të jetë teksti më i vjetër legjislativ i prodhuar në territorin shqiptar deri më sot dhe është një dëshmi e qartë dhe e plotë e asaj Shqipërie bregdetare dhe e qendrave urbane. Shumë prej kapitujve të tekstit janë ende çuditërisht aktualë, veçanërisht kur ata flasin, për shembull, për respektin ndaj të huajit, për moralin e nevojshëm në menaxhimin e çështjeve publike, për mbrojtjen e vlerës së Lirisë.

Lucia Nadin, veneciane, me formim humanist, Phd në italianistikë, me mësimdhënie në shkolla të niveleve të ndryshme, me detyra në universitetet e Venecias dhe Padovës, si dhe në strukturat veneciane të formimit arsimor, ka qenë, me mandat nga Ministria e Punëve të Jashtme, Lektore e gjuhës italiane në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Në të njëjtat vite të aktivitetit në Shqipëri ka zhvilluar aktivitete bashkëpunimi kulturor pranë Institutit Italian të Kulturës, Zyra e Kulturës e Ambasadës Italiane në Tiranë.

Në njëzet vitet e fundit të studimit dhe aktiviteteve kërkimore ka afruar në fushat e veçanta të letërsisë italiane dhe kulturës veneciane, tematika të historisë së çështjeve të Adriatikut dhe, në veçanti, të historisë së marrëdhënieve mes Serenissimas dhe Shqipërisë, midis Mesjetës dhe Epokës Moderne, me rezultatet e gjetjet befasuese në arkivat veneciane të faqeve të shumta historike të pabotuara mbi Shqipërinë: duke filluar nga teksti i lashtë i statutive të katërmbëdhjetës së Shkodrës, për të arritur në dokumentacionin mbi migrimin e madh të ‘400 dhe ‘500, si dhe vepra nga botues, shkrimtarë, artistë me origjinë shqiptare në tokat e Republikës së Venedikut, deri te rigjetja e një tragjedie mbi Skënderbeun e shekullit të shtatëmbëdhjetë, e cila kishte humbur. Si mirënjohje ndaj këtyre rezultateve i është dhënë, nga qyteti i Shkodrës, medalja Qytetare nderi e qytetit në vitin 2010 dhe nga Presidenca e Republikës Shqiptare çmimi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në vitin 2015.

 

Lucia Nadin nderohet me “Honoris Causa”

Studiuesja e njohur veneciane Lucia Nadin është nderuar dje nga Universiteti i Tiranës me titullin “Honoris Causa”. Me motivacionin “Për punë dhe kontribut të jashtëzakonshëm shkencor në dobi të kulturës dhe historisë së popullit shqiptar dhe forcimit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Italisë”, u shpreh Mynyr Koni, rektor UT.

“Si e huaj, gjithnjë i kam bërë kërkimet e mia me përulësi, një ndjenjë që më ka shoqëruar në çdo punë e kërkim shkencor, në çdo vend ku kam shkuar. Jam kujdesur gjithnjë të shmang gjykimet e mia personale, duke u bazuar në data dhe dokumente të marra nga burime të sakta për t’ua vënë në dispozicion studiuesve shqiptarë. Kam dashur edhe që, për Shqipërinë të punoj si një veneciane, si një zë nga Venecia, qyteti i urave që lidhin ishujt, e me këtë dëshirë kam punuar për të lidhur copëzat e historisë së Shqipërisë si respekt ndaj të vërtetës, një linjë që do ta përdor në të gjitha punët e mia të ardhshme mbi dhe për Shqipërinë”, -tha Lucia Nadin, albanologe.

Më herët, Lucia Nadin mbajti edhe një leksion të hapur në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në të cilin u vlerësua gjithashtu me certifikatë mirënjohjeje për kontributin e dhënë si lektore e gjuhës italiane për 4 vite pranë këtij fakulteti.

Kadareja në Amerikë (Urim për “Nobelin”)

$
0
0
Prof. Dr. Agron F. FICO
Shkrimtari i shquar Ismail Kadare është personaliteti i kombit shqiptar më i njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas nobelistes shqiptare, Nënë Tereza.
Pas Luftës së Dytë Botërore shkrimtari Kadare u shfaq në botën letrare shqiptare si një shkrimtari i talentuar, që u afirmua, me krijimin e një korpusi letrar, si gjeni i letrave shqipe. Merita themelore është se Kadare krijoi një metodë dhe stil të veçantë, origjinal, që ngërthen magjinë e artit dhe letërsisë klasike antike, realizmin europian dhe befasinë e letërsisë së Amerikës latine, ose siç e quan kritika profesionale europiane, “metodën kadare”.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë botuar mbi 20 libra të Kadaresë, që janë shoqëruar me artikuj kritikë vlerësues për veprën dhe shkrimtarin. Thelbi i këtyre komenteve ka qenë dhe është se, Kadare është një shkrimtar i shquar kundër totalitarizmit universal, një këngëtar i lirisë së individit dhe i shpirtit demokratik. Në përzgjedhjen e veprave të Kadaresë që përkthehen në Amerikë, kriteri kryesor ka qenë dhe është thelbi mbarënjerëzor i veprës; dhe dihet që dy fobi janë absolutisht të papranueshme për lexuesin amerikan: ideologjia komuniste dhe ideologjia naziste.
Bashkëshortja, shkrimtarja Helena Kadare, në librin “Kohë e pamjaftueshme” (Kujtime) ka folur gjatë edhe për vizitat e Kadaresë në Amerikë dhe përjetimet e shkrimtarit, për marrëdhëniet e bashkësisë shqiptare me Kadarenë dhe veprën e tij. Helena në kapitullin kur flet për marrëdhëniet e bashkësisë shqiptare me shkrimtarin Kadare nuk ka arritur, në disa raste, qoftë edhe të pakta, të jetë e plotë dhe e saktë.
Ndjehem i përulur para lexuesit po të përmend se bashkë me artistin e njohur Xhevat Limani organizuam festimin e 70-vjetorit të ditëlindjes së shkrimtarit në një ceremoni mbresëlënëse dhe që pati jehonë edhe në shtypin e Nju Jorkut.
Mbrëmja akademike për veprën dhe jetën e Kadaresë, shoqëruar edhe me një program të muzikës klasike, u organizua në një nga mjediset më të bukura në Manhattan, në restorantin e biznesmenit shqiptar Bruno Selimi. Kujtoj lexuesit se në mbledhjen e nivelit të lartë të e Diasporës, që u zhvillua në Tiranë, Bruno Selimi ishte ndër ata që u vlerësuan me “shqiponjën e artë”. Madje kjo veprimtari shkencore-artistike për ditëlindjen e shkrimtarit u vlerësua nga vetë Helena në letrën që më dërgonte, ku shkruante:
“I dashur Agron Fico, 
Të falenderojmë nga zemra për ato aktivitete që po bën edhe për fjalët e ngrohta , me të cilat po i përcjell aq bukur të gjitha.
Gjesti yt, ashtu si dhe i gjithë shqiptarëve të Diasporës, që marrin pjesë në të gjitha këto festime, na prek pa masë. Ju jemi mirënjohës të gjithëve për dashurinë, ngrohtësinë dhe mençurinë, me të cilat shoqëroni ditëlindjen e Ismailit….”
Letra mbyllet me urimin sqimatar “Meqenëse edhe unë jam bijë gjirokastrite, sikurse ju dhe Ismaili, më lejoni të përdor fjalën e bukur ‘ngalas’, që çuditërisht më solli ndër mend, mallëngjyeshëm, hallat e mia që tani s’janë më. Pra, ju ngalas së bashku me Ismailin dhe ju uroj çdo të mirë të mundshme dhe të pamundshme.”
(Agron F. Fico: “Rilindja e Shqipërisë etnike”, 2009, f. 191).
Kam pasur rastin të jem i pranishëm në takime akademike të Kadaresë me institucionet amerikane; në Princeton University dhe Columbia University. Studentët, profesorët dhe akademikët amerikanë kanë bërë vlerësime të larta dhe kanë shprehur nderim për veprën e Kadaresë.
E kam ende të freskët befasinë e bisedës së Kadaresë në sallën e universitetit të njohur Columbia, në të cilën ai trajtoi magjishëm temën: Letërsia dhe Diktatura. Salla ishte mbushur plot e përplot, ose siç thuhet nuk kishe ku të hidhje mollën. Pjesëmarrës ishin akademikë të shquar, profesorë të universiteteve të ndryshëm të Nju Jorkut, diplomatë të rangut të parë, e të tjerë.
Kadareja e shpalosi temën në thellësi dhe në gjerësi, ashtu si vetëm ai di ta bëjë. Ne shqiptarët pjesëmarrës ndjeheshim mirë, që të shmang fjalën krenarë. Heshtja solemne dëshmonte se biseda e spikerit (Kadaresë) ndiqej me dëgjueshmëri të lartë.
Siç përmenda edhe më lart, librat e Kadaresë që botoheshin në Shtetet Bashkuara të Amerikës pothuajse të gjithë shoqëroheshin me komente dhe artikuj kritikë nga specialistë dhe njerëz të njohur. Në caqet e kësaj eseje po ndalem vetëm në një ose dy shembuj.
“Dosja H” e Kadaresë tërhoqi vëmendjen e veçantë të lexuesit amerikan dhe botimi i saj në Nju Jork ngjalli debate për vlerat.
Kishte dy arsye, sipas meje, se pse ndodhi kjo vëmendje e veçantë.
Njëra ishte fakti se personazhet kryesore të romanit, shkencëtarët irlandezë Maks Roth dhe Vili Norton, të kujtojnë përvojën e dijetarëve të njohur amerikanë Milman Parry dhe Albert B. Lord, që erdhën në Shqipërinë e Veriut në vitet 30’ të shekullit të kaluar për regjistrimin e këngëve të eposit heroik shqiptar, që njihet edhe me emrin cikli i kreshnikëve.
(Shih: Agron F. Fico “Zbulimi i Eposit Shqiptar në Harvard – Albert B. Lord”, Nju Jork-Tiranë, 2016, f. 51-53).
Tjetra ishte se Kadareja kishte botuar një studim serioz dhe me teza origjinale në vitet ’80 të shekullit të kaluar për ciklin e kreshnikëve, që ishte pritur me entusiazëm intelektual.
“Dosja H” e Kadaresë pati disa shkrime kritike. Është fjala për artikullin e Ken Kalfus me titullin “Balkanizing Homer” (në gazetën prestigjoze “The New York Times”, 1 mars 1998, f. 26) dhe artikullin tjetër “A Satirical Tale with Some Memorable Lessons from Novelist Ismail Kadare” nga Alan Cheuse (në gazetën “Chicago Tribune, 1 mars 1998).
Ky vlerësim, ky nder për Kadarenë dhe “Dosjen H”, kulmoi me organizimin pranë Kombeve të Bashkuara të një diskutimi krijues nën kryesinë e ambasadorit francez, në të cilën morën pjesë 28 ambasadorë.
2-3 vite më parë u botua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës romani i Kadaresë “Muzgu i perëndive të stepës”, që u shoqërua me vlerësime, komente dhe kritika në gazeta dhe revistat më autoritare të masmedias amerikane dhe anglosaksone. Ja kronika e këtyre shkrimeve:
“The National” (31 korrik 2014) nga Malcolm Forbes; “The Times” (2 gusht 2014) nga Oliver Moody; “The Independent” (3 gusht 2014) nga Jonathan Gibbs; “The Spectator” (9 gusht 2014) nga Ranjit Bolt; “New Statesman” (19 gusht 2014) nga Robert Macquarie; “Times Literary Supplement” (12 shtator 2014) nga George Walden; dhe më 30 nëntor 2014 në gazetën më të madhe – “New York Times” në Book Review (NY Times Book Rev.) me një koment brilant nga Christian Lorentzen, e plot të tjera.
Mund të shtojmë se këto komente kaq të gjera në shtypin amerikan ua kalojnë edhe atyre të bëra shumë vite më parë për romanin “Dosja H”.
Muzgu i perëndive të stepës” u botua më 1978, më 1981 u përkthye në frëngjisht nga Jusuf Vrioni. Autori e ripunoi më 1998 dhe, siç përmendëm më lart, u përkthye anglisht nga David Bello dhe u botua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 2014.
“Muzgu i perëndive të stepës” është përkthyer edhe në spanjisht e italisht, lexuesi e gjen atë dhe në Kanada, Francë, Itali Spanjë, Indi e tani edhe në Amerikë.
Subjekti i romanit përfshin jetën e Kadaresë në Institutin e letërsisë “Gorki”, qendër e shkrimtarëve nga 16 republikat sovjetike dhe nga ish-vendet socialiste. Autori zbulon jetën e këtyre krijuesve të një letërsie që frymëzohej nga parimet e realizmit socialist, një letërsi, në thelb, propagandistike. Ja ndonjë hollësi kadarejane për këtë realitet “të lavdishëm” sovjetik: “…kemi rërat e lavdishme sovjetike dhe unitetin e pashembullt.”(f. 80). Ndërsa një shkrimtar nga një krahinë e stepave përshkruhet nga sjelljet si një maskë politike: “në fytyrën e tij kishte përherë një zjarrmi, ngazëllim mitingjesh; ai ishte gjithmonë sovjetikisht i qeshur. Buzëqeshja e tij sovjetike… (f. 78).
Po përmendim edhe një vepër tjetër të Kadaresë me titullin “Aksidenti” që i përkthyer anglisht në Shtet e Bashkuara të Amerikës u shoqërua më një shkrim kritik nga Charles McGrath në gazetën autoritare “New York Times”.(Book Review).
Ja dhe pak vlerësime të spikatura nga burimet amerikane; Bruce Bawer, i gazetës së mirënjohur “Wall Street Journal” që e quan: “Një nga romancierët më të shquar të kohës sonë, në të gjithë botën dhe në të gjitha gjuhët”.
Në “Los Angeles Times Book Review” shkruhet se “Proza e Kadaresë vezullon me realizmin magjik të Gabriel Garcia Marquez-it”.
Në fund do të theksoja që, në qoftë se Shqipëria në vitet ’70 të shekullit të kaluar njihej nga vëllezërit Belushi, në fund të shekullit XX nga Nënë Tereza, sot, në shekullin e XXI njihet nga Ismail Kadare, njohje që kulmoi edhe me ngritjen e flamurit shqiptar në Capitol të Kongresit të Amerikës për nder të Kadaresë.
Shkrimtari i madh Kadare, me personalitetin e vet kompleks si shkrimtar i shquar, erudit, studiues i pasionuar dhe gjuhëtar-krijues, ka hyrë përjetësisht në panteonin e njerëzve të shquar të kombit shqiptar.
Universi i tij krijues shumë-vëllimesh është i një standardi klasik i denjë për çmimin “Nobel”./Telegraf/

Romani i Alfred Pezës: Si rashë në gjurmët e Sara Blloshmit

$
0
0

Gazetari dhe publicisti Alfred Peza vjen me një libër artistik “Sarah”, nga “Mapo Editions”, që i ka kushtuar pesë vite punë kërkimore nëpër Arkiva, hulumtime, hapje dosjesh pothuaj 100 vjeçare, derisa u bë gati me romanin e tij të parë. Një histori e rrallë e gruas më të mistershme e të përfolur, Sara Blloshmit. Peza në gjurmim të jetës së saj, identifikon Shqipërinë mes dy luftërave botërore, atë të Lindjes dhe Perëndimit; duke e konsideruar një roman emancipues dy personazhet e tij realë: Sara Blloshmi dhe Ahmet Zogu, “flasin” për gra të lira dhe burra të vërtetë…

Intervistoi: Violeta Murati

Ju vini për herë të parë për lexuesit me një roman, që ngjan për nga kopertina, me një roman historik për një personazh pak të njohur sot, por me një të shkuar të largët të përfolur e plot mistere. Ç’është ky libër, ç’lëndë ka?

“Sarah” nuk është një roman historik, por një libër artistik, një krijim dhe trillim i pastër artistik, pjesë e krijimtarisë sime letrare. Veçoria është se ngjarjet janë vendosur në një kontekst të caktuar historik marrëdhëniesh mes personazhesh realë.

Si erdhi ideja për romanin? Nga gazetar, publicist pse hytë në këtë formë shkrimi?

Gazetaria është një letërsi në nxitim, për rrjedhojë edhe gazetari vetë nuk është gjë tjetër, veçse një shkrimtar në nxitim e sipër. Historia e letërsisë botërore është e mbushur me shumë raste shkrimtarësh që kanë hyrë në letërsi nga rruga e gazetarisë. Çdo gazetar ka fazat e veta të evoluimit në artin e të shkruarit, të cilat mund të përsosen me kalimin e kohës në formë e përmbajtje, duke krijuar premisat për të shkuar drejt letërsisë artistike. Romani është Himalaja që synojnë të arrijnë të gjithë ata që kanë botuar qoftë edhe një lajm, vjershë apo tregim të vetëm në jetën e tyre. Nuk do të ndjehesha i realizuar në dimensionin tim prej gazetari dhe publicisti, nëse nuk do ta provoja veten për të shkruar një roman.

Ju thatë se kemi të bëjmë me personazhe realë, ngjarjet që ndodhin po ashtu. Cilët janë këta personazhe, ç’është kjo histori?

Bëhet fjalë për Shqipërinë mes dy luftërave botërore. Personazhet kryesorë janë Ahmet Zogu, kryeministri-President dhe më pas Mbret i Shqipërisë. Sarah, bashkëshortja e Selahudin Blloshmit, deputetit të Parlamentit të Shqipërisë dhe mbesa e Ismail Qemalit. Rreth tyre ka edhe shumë personazhe të tjerë realë ose të trilluar, të një Shqipërie që sapo kishte dalë nga nata Osmane, në kërkim të një identiteti të ri, në fillim të një shekulli të trazuar. Ka brenda tij intrigën e pashembullt të pushtetit, pasionin e fshehtë përvëlues dhe enigmën e madhe të një vrasjeje. Eshtë një libër emancipimi, për gra të lira dhe burra të vërtetë.

Përmenden dy personazhe, njëri i njohur, që i përket një periudhe të historisë që drejtoi vendin, pra Ahmet Zogu, dhe tjetra pak e njohur por me një histori shumë interesante, me një dosje pothuaj 100- vjeçare, Sara Blloshmin. Kur flisni për gra të lira dhe burra të vërtetë, këta tëdy keni parasysh? Si shkuat tek këta personazhe?

Sara Blloshmi ka qenë femra më e bukur e Shqipërisë e shekullit të XX. Në festën e vitit të ri 1925 në ambasadën amerikane në Tiranë, ajo guxoi e para që ta sfidonte ligjin, rregullat dhe normat e atëhershme, duke kërcyer e zbuluar pa ferexhe e burka dhe me fustan të shkurtër, në një ambient publik. Ishte një akt i pashembullt revolucionar në një shtet ku ende sundonte Kanuni dhe ligji islamik, për të cilin u vunë në dijeni të gjitha kancelaritë e perëndimit, nga Shtëpia e Bardhë e deri në Ministrinë e Jashtme gjermane. Ishte hapi i parë nga ku nis e ndryshon njëherë e përgjithmonë ky vend. Ahmet Zogu e kishte të pashmangshme të qëndronte jashtë kësaj sfide. E krahasoj efektin e këtij kërcimi të Sarah Blloshmit për historinë e Shqipërisë, me atë të hapit të parë të Neil Armstrongut në Hënë, për njerëzimin.

Si ratë në gjurmët e Sara Blloshmit?

Donika Bardha, një personazh i njohur në Tiranën e dekadës së parë të pluralizmit, koleksiononte, veç të tjerash, edhe kapele femrash të viteve ’20-’30. Ishin shumë moderne, të njëjta me kapelet që kishin qarkulluar ato vite në Parisin e Coco Channel-it. Historia e tyre, vërtitej rreth emrit të Sarah Blloshmit dhe mikeshave të saj, pjesë e elitës që pati një ndikim të jashtëzakonshëm në modernizimin dhe oksidentalizimin e jetës së qytetit. I mrekulluar nga ky lloj tregimi, rihapa librat. Tek romani i Ismail Kadaresë, “Nëntori i një kryeqyteti” (filmi “Radiostacioni), Sara Blloshmi përmendet shumë shkarazi, si një grua që merrte pjesë në ballot e Mbretit. Nisa të kërkoja në shtypin e kohës së Zogut, në librat e komunizmit ku Dhimitër Karaguni kishte shkruar për të në librin “Agjenti 333”. Më pas arkivova dalëngadalë çdo detaj, çdo lajm, çdo gjë që shkruhej në gazetat e revistat tona për Sarah Blloshmin dhe seleksionoja informacionin që kishte për të në internet. Kur shkova në Londër për studime, pata fatin që të zbuloja më nga afër në gjurmët e saj, sepse pas Luftës së Dytë Botërore e kaloi pjesën tjetër deri në fund të jetës, në Angli. Martesën e dytë e pati me Vandaleur Robinson, atasheun e shtypit të misionit ushtarak britanik në Shqipëri, gjatë e pak pas luftës. U largua në vitin 1945 së bashku me vajzën e vetme, Vera, e cila u bë piktore. Në ambientet e ambasadës sonë në Londër, kam parë disa nga punët e saj. U interesova dhe kërkimet më çuan tek studiuesi i njohur Ferid Hudhri, i cili e kishte takuar dy herë Vera Blloshmin, në shtëpinë e saj në Londër. Mësova shumë detaje të tjera e informacione që janë shfrytëzuar më pas si lëndë për librin. Robert Elsie ka qenë një tjetër burim, pasi ka hedhur dritë mbi koleksionin e fotove të jashtëzakonshme të bashkëshortit të Sarah Blloshmit, gjatë kohës që ishte me mision në Shqipëri. Sa për kujtesë, ai është autori i imazheve të hyrjes së komunistëve si fitimtarë në Tiranën e çliruar dhe të udhëheqësit të tyre Enver Hoxha me uniformë ushtarake, në ditën e parë të lirisë. Kërkimet më pas u thelluan në Arkivat e Ministrisë së Brendshme, ku gjeta dosjen e Sara Blloshmit. Një minierë e vërtetë me material voluminoz, shumë interesant për ndjekjen që i ka bërë hap pas hapi Sigurimi i Shtetit në vitet 1944- 1946, para se të largohej në Britani dhe pasi u rikthye edhe njëherë, për t’u larguar përfundimisht. Kërkimet vijuan në Ministrinë e Drejtësisë, sepse ajo ka pasur (reflektohen edhe në libër), një histori gjyqesh e procesesh të jashtëzakonshme. Arkivi i Shtetit dhe Biblioteka Kombëtare kanë materiale shumë të vlefshme gjithashtu. Kam shfrytëzuar rrëfimet e studiuesve, historianëve dhe akademikëve të një brezi që ruante apo ruan ende kujtimet e epokës së Sarah Blloshmit, të cilët i kanë dhënë një tjetër dritë dhe shkëlqim romanit, për ta bërë atë sa më të gjallë e të vërtetë. Jam ballafaquar me studimet më serioze për qytetin e asaj periudhe nga historianë, arkitektë, urbanistë, kërkues të folklorit, të jetës së familjeve të mëdha, duke u njohur me detaje që direkt ose indirekt, i japin një frymë dhe pamje besoj realiste Tiranës së viteve të Ahmet Zogut.

Në shkrimin e një libri artistik, duket sikur shumë peshë kanë hulumtimi, dosjet, historia ndërkohë që është një personazh që na krijon një imazh. Sa i keni kushtuar kësaj, në një përfytyrim për Sara Blloshmin, që duket sikur me të mund të bëhet një film?

Romani është në të shumtën e herëve, vetvetiu edhe një projekt për skenar filmi. Kushdo që do të lexojë “Sarah”, besoj se do të jetë duke parë ndërkohë edhe një film. Në kuptimin figurativ teksti i romanit janë titrat dhe ajo çfarë përshkruhet brenda tij, është filmi që lexuesi mund ta shikojë me sytë e mendjes. Është “filmi” i një Shqipërie të jashtëzakonshme, në një periudhë të jashtëzakonshme dhe me personazhe të jashtëzakonshme, që do të na mungojë. Besoj se kemi tani edhe një mundësi të re, për ta shpëtuar këtë pjesë të historisë. Për fat të keq letërsia shqiptare, edhe për shkak të kufizimeve të periudhës ideologjike komuniste, nuk është bazuar shumë tek ky lloj zhanri që e shfrytëzon historinë për letërsi dhe art. Kjo bën që jeta reale në Shqipëri të jetë shumë më artistike dhe më dramatike, se sa ajo që mund të gjejmë në veprat letrare.

Pak më lart, ju thatë se veç të tjerash, ky është një libër për identitetin dhe vetvetiu duket se mund të nxisë një debat të ri me këtë temë.  Pse vazhdon të jetë për ju kaq e prekshme, e ndjeshme dhe kaq kontradiktore? Ç’është kjo Shqipëri pas një personazhi gruaje, pas Sara Blloshmit?

Është historia jonë që na ka shoqëruar edhe përpara shpalljes së pavarësisë, edhe përgjatë këtyre 105 viteve të shtetit, e që do na shoqërojë edhe më pas. Një histori ciklike që përsëritet në forma të ndryshme pavarësisht nga regjimet, sistemet, pushtimet dhe raporti me lirinë. Debati për identitetin tonë kombëtar, për shkak të specifikave historike, ka ekzistuar dhe do të vazhdojë edhe pasi Shqipëria të jetë pjesë me të drejta të plota e BE. Pavarësisht teprimeve, ekseseve, banaliteteve e vaniteteve që e kanë shoqëruar atë herë pas here, ai është një debat i shëndetshëm, pozitiv, vetëpastrues dhe vetëkorrigjues. Në roman, unë e kam ndarë Shqipërinë në atë përpara dhe pas Sarah Blloshmit. Për mua ajo simbolizon dallandyshen e parë të asaj Shqipërie që kemi ëndërruar brez pas brezi, e që fatkeqësisht, do të duam edhe shumë kohë të tjera për ta arritur.

Folët për një udhëtim në histori, kërkime për të përmbushur lëndën e këtij libri. Ju keni qenë, dhe vazhdoni në konstruktin tuaj si gazetar, publicist, pse nuk e bëtë një libër me gjithë dokumentacionin, ndoshta do ishte më afër natyrës tuaj, më afër Alfred Pezës?

Ndihem më afër shkrimtarit sesa historianit, pavarësisht se studimet për Doktoraturë, po i përfundoj për histori arti. Vetëm letërsia artistike nëpërmjet gjinisë së romanit, ma ka dhënë deri tani hapësirën, lirinë dhe mundësinë për t’i shprehur ashtu siç duhet idetë dhe gjykimet e mia. “Sarah” nuk është thjesht një histori për disa personazhe të jashtëzakonshëm. Ai është një libër ku çdo shqiptar, çdo lexues do ta kuptojë se është edhe vetë një personazh. Jam munduar që të harmonizoj sa më mirë traditën me romanin modern, që është sot në trendin e letërsisë më të mirë bashkëkohore. Pres të mësoj nëse ia kam arritur. Hulumtimet e mia kanë zgjatur 5-6 vite dhe romanin e kam shkruar për 8-9 muaj. Takimi im me letërsinë sapo ka filluar.

Thuhet se është një roman që do na befasojë, kujt ja keni besuar vlerësimin e parë ndonjë kritiku, njerëz të letrave…?

Libri do edhe disa dite të dalë në treg dhe nuk ia kam besuar ende ndonjë kritiku apo shkrimtari. E kanë lexuar deri tani një numër shumë i kufizuar dashamirësish, bashkëpunëtorësh të afërt. Mes tyre sigurisht që është edhe bashkëshortja ime Mirela, e cila ka qënë e para që e ka ditur edhe sekretin tim të madh, për tundimin e madh që t’i qasesha letërsisë. Një shteg sa ndjellës aq edhe i rrëzikshëm, që e kisha kundruar nga larg me adhurim, por nuk pata asnjëherë guxim që t’i afrohesha. Gjatë 2017, kuptova se isha gati.

Takimet Muzikore të Dy Botëve: Aty ku muzika klasike takohet me traditën!

$
0
0

Edicioni XI i Festivalit Ndërkombëtar “Takimet Muzikore të Dy Botëve” këtë vit u hap në Dropull, në mbrëmjen e së shtunës me “Ngjyra Muzikore nga Greqia”. Edhe në këtë edicion XI, organizata Argjiro synon në ndërthurjen e dy botëve, të muzikës klasike me atë tradicionale. Aty ku tradita takohet me klasiken

 Edicioni XI i Festivalit Ndërkombëtar “Takimet Muzikore të Dy Botëve” këtë vit e hap siparin në Dropull ditën e shtunë, 30 shtator 2017 me “Ngjyra Muzikore nga Greqia”.

Edhe në këtë edicion XI, organizata Argjiro synon në ndërthurjen e dy botëve, të muzikës klasike me atë tradicionale. Aty ku tradita takohet me klasiken! Tingujt dhe tradita muzikore greke do të përcillet nga dy artistë të njohur greke Nantia Patera dhe Dimitris Llapas. Një ndërthurje e jazzit klasik me traditën e buzukut. Nantia Patera, këngëtare, e cila e ka nisur karrierën e saj përkrah emrave të mëdhenj të muzikës greke si Kokkinou, D. Vandi, G. Mazonakis, L. Pantazis. Me një karrierë të pasur ndërkombëtare ajo do të sjellë në këtë koncert pjesët më të bukura të muzikës tradicionale greke dhe asaj kontemporane në stilin e xhazit. Dimitris Lappas, kitarist i famshëm në Greqi, anëtar i disa formacioneve të njohur si Cafe Aman Istanbul dhe alternative bulgarian orchestra. Nantia dhe Dimitri për afro një orë e gjysmë ftuan në një udhëtim në zemër të Greqisë, një muzikë emblematike ku takohet Lindja dhe perëndimi, me kompozitorë të famshëm grekë, si: Haxhidhakis, Theodorakis, Tsitsanis, Zambetas etj., që kanë ditur të ndajnë me të tjerët identitetin e tyre muzikor, po nuk do të reshtin së joshuri dashamirësit e muzikës greke. Jo rastësisht nata e parë e festivalit u zhvillua në Dropull, në zemër të minoritetit grek të Shqipërisë.

Në natën e dytë: «Aty ku tradita takohet me Klasiken» do të mbahet në Shkodër në Teatrin Migjeni në 12 tetor. Këtë radhë përballja e muzikës tradicionale shkodrane dhe muzika klasike do të sjellë një atmosferë të veçantë në skenën mitike të Shkodrës.

Artistë të trupës të teatrit Migjeni do të performojnë për publikun këngë qytetare shkodrane, e më pas orkestra e klubit të artit të Sigalit në drejtimin e Ermir Dizdarit do të sjellë traditën operistike shqiptare e me pas atë europiane.

Pas natës greke dhe shqiptare vjen nata franceze, koncerti i tretë “Aromë Parisi” që do të mbahet në Tiranë, në Universitetin e Arteve në mbrëmjen e 19 tetorit. “Një natë në partneritet me Aleancën franceze në Tirane do të sjellë një copëz Parisi në Tiranë. Kjo falë sopranos Blerta Zhegu, një yll në ngjitje në skenat franceze dhe Frederic Isoletta, pianist e organist, me një karrierë të dendur në skenat franceze e europiane, pjesëmarrës në shumë festivale si ai i Aix en Proncence etj. Repertori i tyre përmban ariet më të famshme te kompozitoreve franceze”. Nata e katërt: aty ku tradita takohet me klasiken. Një duo piano dhe violinë, do të bashkojë në natën finale të Festivalit pianisten shqiptare Silva Skënderi dhe violinistin Miran Begiç në Tiranë. “Qëllimi i Argjiros me këtë Festival në 10 vjet të ekzistencës së saj ka qenë promovimi i trashëgimisë materiale dhe jomateriale shqiptare dhe asaj europiane, në ndërtimin e urave të dialogut kulturor mes popujve, në ndërgjegjësimin e opinionit publik për mbrojtjen dhe transmetimin e kulturave të ndryshme si pjesë e trashëgimisë kulturore, në rivitalizimin e qendrave historike nëpërmjet eventeve periodike muzikore. Muzika qoftë ajo klasike apo tradicionale, na shoqëron në çdo moment të jetës sonë, në momentet e lumtura dhe të hidhura që ne kalojmë. Të ndërthurësh të dy botët në një, të gërshetosh traditën dhe identitetin me klasiken dhe modernen, ndërsa mbetesh besnik ndaj identitetit tënd, do të thotë të kthehesh nga e ardhmja dhe jo nga e kaluara. Emanuel Kant thosh se “Muzika është gjuha e emocioneve”, shprehet drejtuesja e organizatës, Ilda Mara. Më tej ajo ka vazhduar se “kemi përzgjedhur ndërthurjen e traditës me klasiken për arsyen se në Europë ekzistojnë disa zhanre muzike sipas shtratit të tyre gjuhësor apo kulturor, që i përkasin më saktë përhapjes historike të një qytetërimi të një populli. Të ndërthurësh të dy botët në një, të gërshetosh traditën dhe identitetin me klasiken dhe modernen, ndërsa mbetesh besnik ndaj identitetit tënd, do të thotë të kthehesh nga e ardhmja dhe jo nga e kaluara”.

 


Shuhet Robert Elsie, amaneti: Dua të prehem në Shqipëri

$
0
0

Shkrimtarja dhe poetja Flutura Açkla sjell lajmin e hidhur, atë të ndarjes nga jeta të albanologut të shquar Robert Elsie.

Njëherësh ajo i dërgon një letër Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, dhe Kryeministrit, Edi Rama, për amanetin e tij: “Dua të prehem në Shqipëri”:

“Zonja Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës,
Zoti Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

Robert Elsie dëshironte të prehej në Shqipëri, bëjeni të mundur këtë! Dhe me të gjitha nderimet që meriton.

Miq! Ikja sot e albanologut, studiuesit, përkthyesit, hulumtuesit, njeriut të të gjitha përmasave të letrave, njeriut që e dashuroi Shqipërinë si asnjë i huaj tjetër, Robert Elsie, është një nga humbjet më të mëdha për kulturën shqiptare. Një akademi që ecte, një nga njerëzit që punoi i vetëm aq sa institute nuk mundën dot, e la në mes e të pakryer kështjellën letrare të tij ku strehonte kultur;en shqiptare. Ai la pas një vepër të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme. Ne shqiptarët e sotëm mbase nuk do ta dimë mjaftueshëm kush është Robert Elsie, letrat shqipe sot mbase prej shkujdesjes, nuk e kanë patur vëmendjen e duhur ndaj këtij titani letrash, por brezat që do të vijnë, do ta kuptojnë që ky njeri i thjeshtë dhe jashtëzakonisht punëtor – një nga njerëzit më punëtorë të letrave që kam njohur – i ka bërë të tillë shërbim kulturës shqiptare, që ajo sot duhet të ndihet në zi. Kultura shqiptare është sot në zi. Vepra e këtij njeriu modes në natyrën e tij njerëzore, por e papërmasë si pasuri për ne, ka qenë engjëlli i vërtetë mbrojtës dhe i pazëvendësueshëm për kulturën shqiptare.

Si shkrimtare shqiptare, si mike e tij, si shqiptare do të isha e lumtur që Atdheu im do të bëjë një vend për këtë njeri të pazëvendësueshëm, dhe shqiptarët të kenë mundësi ta kenë plotësisht të tyrin Robert Elsien. Pushofsh në paqe mik i vyer!”

Robert Elsie u nda nga jeta në moshën 67-vjeçare.

Ai ishte një nga studiuesit e palodhur, i specializuar në letërsinë dhe folklorin shqiptar, një albanolog i shquar, kontributi i të cilit është mjaft i vyer.

Vdekja e tij është vërtet një humbje e madhe për albanologjinë.

Kryepiskopi Janullatos restauron kishën e Shën Joan Vladimirit në Elbasan

$
0
0

Kisha e Shën Joan Vladimirit e manastirit po me të njëjtin emër, në perëndim të qytetit të Elbasanit, i është nënshtruar një restaurimi të pjesshëm.

Në një postim në rrjetin social “Facebook” të Metropolisë së shenjtë të Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit bëhet e ditur të hënën se “kjo kishë restauruar vite më parë, këto dy vitet e fundit kishte filluar të shfaqte problematika të funksionimit te çatisë. Si pasojë e dëmtimit të tjegullave të vjetra të qeramikës dhe të shtresës izoluese nën të”.

Në çati dhe në tavanin dekorativ të kishës u shfaqen në disa vende shenja të lagështisë. Kontrolli i përhershëm i priftit të kishës At Irineut dhe kujdesit të Hirësi Andonit Mitropolitit i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, të cilët në koordinim me Bërthamën e Trashëgimisë Kulturore pranë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, i kërkuan Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë Imzot Anastasit, mundësinë e gjetjes së financimit të punimeve emergjente restauruese.

Pas miratimit të së drejtës për kryerjen e këtyre punimeve në I.M.K., Kryepiskopi Anastas, i cili gjithmonë i ka kushtuar dhe i kushton rëndësi të veçantë Trashëgimisë Kulturore, akordoi fondin 1 998 084 lekë të reja të kërkuar për këtë qëllim, shkruan “ata”.

Punimet po kryhen nga një kompani e liçencuar restaurimi dhe drejtohen nga Bërthama e Trashëgimisë Kulturore pranë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Më pas do të bëhet përzgjedhja e tjegullave të mira dhe pastrimi dhe sistemimi i tyre. Hidroizolimi i çatisë do të bëhet me dy shtresa letër katrama. Shtrimi i poshtëm i tjegullave do të bëhet me tjegulla të reja dhe sipër vendosen me llaç, tjegullat e pastruara të vjetra dhe të përzgjedhura.

Në një fazë tjetër do të bëhet i mundur rindërtimi i këmbanores, si dhe rregullime të tjera ne ambientet e këtij manastiri kaq shumë te njohur, jo vetëm brenda vendit, por edhe ne rajonin e Ballkanit.

Mbarë bota shqiptare: Lamtumirë albanologut Robert Elsie

$
0
0

Për herë të parë një albanolog, dijetar i shqipes, një i huaj, bëri bashkë botën shqiptare sa qe gjallë me kontributin e jashtëzakonshëm për kulturën dhe historinë, ndërsa tani i jepet lamtumira e përbashkët. Ai është gjermano-kanadezi Robert Elsie, në këtë ikje të papritur duke na lënë trashëgimi me mbi gjashtë libra, artikuj, përkthime kushtuar studimeve shqiptare. Njoftimi për ndarjen nga jeta të albanologut është dhënë dje në mesditë në faqen e tij zyrtare online

Për herë të parë një albanolog, dijetar i shqipes, një i huaj, bëri bashkë botën shqiptare sa qe gjallë me kontributin e jashtëzakonshëm për kulturën dhe historinë, ndërsa tani i jepet lamtumira e përbashkët. Ai është gjermano-kanadezi Robert Elsie, në këtë ikje të papritur duke na lënë trashëgimi me mbi gjashtë libra, artikuj, përkthime kushtuar studimeve shqiptare. Njoftimi për ndarjen nga jeta të albanologut është dhënë dje në mesditë në faqen e tij zyrtare online, nga partneri i jetës së tij, Stephan Trierweiler, dhe miku i tij i ngushtë, Artur Metani. Në këtë njoftim thuhej: “Ju njoftojmë vdekjen e parakohshme të Dr. Robert Elsie, më 2 tetor 2017, nga sëmundja e rrallë e neuroneve motorike”. Elsie është raportuar të ketë vdekur të hënën në Bon, Gjermani, në moshën 67-vjeçare, në një vdekje të parakohshme, që për botën shqiptarë është një humbje e madhe jo vetëm për studimet e tij, por dhe promovimin e tyre në Europë. I lindur në Kanada, Elsie ka studiuar e punuar në Gjermani, ndërsa kontaktin e parë më Shqipërinë e ka patur në vitin 1970. Në atë kohë Instituti i Gjuhësisë i Universitetit të Bon-it kishte kontakte të rralla me studiues nga “Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë” dhe nëpërmjet këtyre kontakteve, ai dhe disa studentë dhe studiues të tjerë patën mundësi të vizitonin Shqipërinë disa herë në kuadër të ‘takimeve shkencore’ midis Institutit gjerman dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai ka marrë pjesë gjithashtu në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Kosovë për disa vite me radhë. “Këto udhëtime në fund të viteve ‘70 dhe në fillim të viteve ‘80 i gjallën një interes të veçantë për Shqipërinë e mbyllur dhe për kulturën e saj të panjohur në botë”. Pasi mësoi shqip dhe i thelloi njohuritë e tij në këtë gjuhë, Robert Elsie vendosi t’i kushtohej albanologjisë, fushë në të cilën ai më vonë do të bëhej një ndër ekspertët më të njohur. Elsie është tani autor i më shumë se gjashtëdhjetë librave si dhe të artikujve të panumërt, kryesisht në fushën e albanologjisë. Në mes të viteve ‘80, Robert Elsie punoi si përkthyes dhe interpret për Ministrinë e Punëve të Jashtme gjermane në Bon. Qysh nga vitet ‘90 deri në fillim të shekullit të 21-të ai ka punuar me profesion të lirë si interpret i shqipes dhe ka marrë pjesë në negociata të nivelit të lartë për qeverinë gjermane, Bashkimin Europian, Kombet e Bashkuara, NATO-n, Këshillin e Europës etj. Që nga viti 2002, ai ka punuar kryesisht për Tribunalin e Hagës ku, ndër të tjera, ka qenë interpret simultan në procesin gjyqësor të Sllobodan Millosheviqit. Në fushën e albanologjisë, Robert Elsie i është kushtuar fillimisht letërsisë shqiptare. Ndër botime të hershme të tij janë: Dictionary of Albanian Literature (Fjalor i letërsisë shqiptare), Uestport (Westport), Konektikat 1986, dhe History of Albanian Literature (Histori e letërsisë shqiptare), Boulder, Colorado 1995, në dy vëllime.

Kritika e tij e letërsisë shqiptare u mblodh dhe u botua në vëllimin Studies in Modern Albanian Literature and Culture (Studime për letërsinë dhe kulturën bashkëkohore shqiptare), Boulder, Colorado 1996, i cili doli në shqip me titullin Një fund dhe një fillim, Tiranë & Prishtinë 1995.

Duke marrë parasysh gjendjen jashtëzakonisht të rëndë në Kosovë, gjendje kryesisht të panjohur në botën e jashtme, ai përpiloi antologjinë e parë të madhe me shkrime për temën e Kosovës në vëllimin 600-faqesh Kosovo: In the Heart of the Poëder Keg (Kosovë: në qendrën e fuçisë së barutit), Boulder, Colorado 1997. Pas viteve 2000, Elsie u përqendrua më shumë në fushat e tjera të albanologjisë, si kultura popullore dhe historia. Një ndihmesë e madhe për antropologjinë shqiptare ishte libri i tij Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture (Fjalor i fesë, mitologjisë dhe kulturës popullore shqiptare), Londër 2001, i cili doli në gjermanisht në vëllimin Handbuch zur albanischen Volkskultur (Doracak i kulturës popullore shqiptare), Visbadën (Wiesbaden) 2002, dhe në shqip në vëllimin Leksiku i kulturës popullore shqiptare, Tiranë 2005. Ai botoi gjithashtu Kanunin në gjermanisht, Kanuni: E drejta zakonore shqiptare sipas të ashtuquajturit Kanuni i Lekë Dukagjinit, Pejë 2001. Elsie ka botuar dorëshkrimin e hershëm në gjermanisht të shqiptarit Bajazid Elmaz Doda (rreth 1888-1933), Jeta fshatare shqiptare në Rekën e Epërme pranë Dibrës së Maqedonisë, Vjenë 2007. Në fushën e historisë, me të cilën është marrë më shumë gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të njëzetë, Elsie ka botuar – në bashkëpunim me Robert Dankoff (Universiteti i Çikagos) – dhe ka përkthyer nga osmanishtja pjesët e veprës Sejahatname të udhëtarit osman Evlija Çelebi (1611-1683) që flasin për trevat shqiptare: Evlija Çelebi në Shqipëri dhe në viset fqinje, Lajdën 2000, libër që doli edhe në shqip në vëllimin Evlija Çelebiu në Shqipëri dhe në viset fqinje, më 2008. Përveç kësaj, ai zbuloi dhe botoi dorëshkrimin e historisë së parë të Shqipërisë, të shkruar prej priftit llazarist francez, Jean-Claude Faveyrial (1817-1893), Histoire de l’Albanie (Histori e Shqipërisë), Pejë 2001, që doli në shqip në vëllimin Historia – më e vjetër – e Shqipërisë, Tiranë 2004. Elsie zbuloi dhe botoi gjithashtu dorëshkrimin në gjermanisht të albanologut hungarez, baronit Franc Nopça (Franz Nopcsa, 1877-1933) që doli shqip në vëllimin Udhëtime nëpër Ballkan, Tiranë 2007. Në bashkëpunim me Bejtullah Destanin (Londër), ai botoi ditarin e poetit dhe piktorit të njohur anglez, Edward Lear (1812-1888), në vëllimin Edward Lear in Albania: Journals of a Landscape Painter in the Balkans (Edward Lear në Shqipëri, ditari i një piktori pejsazhesh), Londër 2008, që doli shqip në vëllimin Edward Lear në Shqipëri: ditar udhëtimesh, 1848-1849, Tiranë 2008. Duke qenë se Shqipëria dhe Kosova vazhdonin të ishin relativisht të panjohura nga masat e lexuesve perëndimorë, Elsie botoi dy manualë informativ për këto vende: Historical Dictionary of Albania (Fjalor historik i Shqipërisë), Lanham, Maryland 2004; dhe Historical Dictionary of Kosova (Fjalor historik i Kosovës), Lanham, Maryland, 2004, të cilët, me gjithë titullin ‘historik’, janë vepra informative të përgjithshme. Ai ka bërë edhe përkthime të tjera letrare, prapë me Janice Mathie-Heck: vepra të zgjedhura të këngës epike të veriut në vëllimin: Këngë Kreshnikësh, poezia epike shqiptare, tregime të shkrimtarëve të veriut, Ernest Koliqi dhe Migjeni, në vëllimin Rrëfime nga Shkodra e vjetër: tregime të hershme shqiptare, Pejë 2004; vepra të përmbledhura poetike të Visar Zhitit; romanin e Fatos Kongolit, I Humburi, 2007; veprat poetike të Azem Shkrelit, romanin e Ornela Vorpsit etj. Projekti më ambicioz letrar i Robert Elsie-t është sigurisht përkthimi në anglisht (në bashkëpunim me Janice Mathie-Heck) nga gegnishtja i eposit të madh letrar të Atit Gjergj Fishta (1871-1940), The Highland Lute: The Albanian National Epic (Lahuta e Malcis: eposi kombëtar shqiptar), Londër 2005, një vepër me 30 këngë dhe 15,613 rreshta. “Rishfaqja në dritë e këtij eposi, të ndaluar për vite me radhë nga regjimi komunist në Shqipëri, u prit me gëzim, sidomos në veriun e vendit”. Ndërsa Robert Elsie e ka mrekulluar edhe bota e fotografisë së hershme shqiptare. Në këtë fushë ai ka botuar dy albume të mëdha: Dritëshkronja: Fotografia e hershme nga Shqipëria dhe Ballkani, Prishtinë 2007, i cili përfshin fotografitë e para të bëra ne Shqipëri (pesëdhjetë fotografi të fotografit vjenez Jozef Sékeli (Josef Székely) nga viti 1863), dhe koleksionet e baronit Franc Nopça, të Bajazid Elmaz Dodës, të albanologut austriak Maksimilian Lamberc (1882-1963), dhe të ushtarakëve të misionit ushtarak holandez të viteve 1913-1914. Ai ka botuar gjithashtu në një vëllim trigjuhësor – anglisht, frëngjisht, shqip, të fotografive të para me ngjyra në Shqipëri dhe në Kosovë, që janë autokromat e koleksionit Albert Kan (Albert Kahn) në Paris, me titullin Shqipëria dhe Kosova në ngjyra 1913, Tiranë 2010. Vendi që zë Robert Elsie ndër radhët e albanologëve është rritur edhe më shumë pas viteve 1990-të me faqet e tij të njohura të internetit, të cilat i japin botës të dhëna të hollësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në vitin 2013, ish-Presidenti shqiptar Bujar Nishani i dha Elsie “Medaljen e Mirënjohjes” si një nga personalitetet më të shquar të cilët për më shumë se 30 vjet kontribuan në promovimin ndërkombëtar të kulturës, gjuhës, letërsisë dhe historisë shqiptare. Në një apel publik pas vdekjes së shkrimtarit, shkrimtarja shqiptare që jeton në Holandë, Flutura Açka ka folur për vullnetin e albanologut për t’u prehur në tokën shqiptare, por ende asgjë nuk është konfirmuar nga njerëzit e tij të afërt. Megjithatë Açka i ka bërë thirrje kryeministrit, Edi Ramës si dhe ministres së kulturës, Mirela Kumbaro për ta plotësuar këtë dëshirë të tij të fundit.

Përgatiti: V.M

 

Visar Zhiti: Elsie, biri shpirtëror i Shqipërisë

“Shuarja e albanalogut më të madh në botë sot, Robert Elsie, është një humbje e madhe për kulturën shqiptare, për historinë dhe për vlerat shekullore të saj, për antropologjinë, gjuhën e përkthimin, për studimet letrare e letërsinë, për kritikën letrare, për fotografinë historike

etj. etj. Robert Elsie është poliedrik, i shumëplanshëm, hulumtues pasionant, zbulues i rëndësishëm, me një Shqipëri ideale që e deshi shumë e i kushtoi jetën. Robert Elsie guxonte si një intelektual i lartë, Ai e mbrojti Shqipërinë në botë, “Çështjen Shqiptare” dhe e bashkoi në veprën e Tij me Kosovën dhe Çamërinë, pa u tërhequr nga kërcënimet ballkanike e mosmirënjohja dhe i dha zë Shqipërisë, të flasë anglishten e Tij. Ai dukej sikur e deshi çdo shqiptar dhe bëri për ta, i mbështeti kudo, deri dhe në Tribunalin e Hagës, botoi antologji shqiptare, folklor, poetë nga të gjitha trevat, tregime, romane, nga letërsia jonë e ndaluar e shkrimtarët e burgosur, studime, albume, guida etj. etj., deri dhe te botimi i “Lahutës së Malcisë” së Fishtës në anglisht, një kryepunë duke arritur kështu, siç thotë dhe vetë, të përplotësonte eposin europian. Kështu bëri dhe me Kanunin e lashtë të shqiptarëve, të Lek Dukagjinit. Pelegrin i tempujve të Shqipërisë, shtegtar i maleve tona, adhurues i bregdetit, qytetar i Tiranës, mik i mrekullueshëm me ne. Mungesën e Tij të dhimbshme e mbush vepra e Tij e madhe, sa enciklopedike, po aq dhe akademi e shkollë, rilindase dhe moderne, e qëndrueshme dhe frymëzuese për vazhdimësi. Është nder që Shqipëria ta shpallë bir të vetin dhe ta mbajë si të tillë”.

Homazh Robert Elsies e kontributit në pasurimin e fondit të BKSH

Robert Elsie, krahas kontributit të tij të çmuar si albanolog, studiues e përkthyes do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje nga publiku shqiptar edhe për vetëdijen dhe kujdesin e veçantë që tregonte për pasurimin e arkivave të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë me dhurimet e veprave e artikujve të tij të shumtë studimorë. Ato përbëjnë sot një fond të vyer në fushën e albanologjisë dhe studimeve mbi letërsinë e kulturën mbarëshqiptare. Në fondet e Bibliotekës Kombëtare ruhen mbi 150 libra dhe artikuj shkencorë, kryesisht në fushën e albanologjisë, antropologjisë, përkthimeve nga thesaret e folklorit shqiptar, por edhe përkthime të autorëve të letrave shqipe, ku spikat kontributi i rëndësishëm përmes përkthimit të veprës epike të Gjergj Fishtës “Lahuta e Malcisë”. Tashmë Biblioteka Kombëtare, në homazh të këtij personaliteti të shquar, ka çelur një ekspozitë me kontributin e tij të jashtëzakonshëm.

Roland Tasho, fotografitë e panjohura të Elsie

Vdekja e albanologut Robert Elsie, preku të gjithë shqiptarët duke pasur parasysh kontributin e tij për Shqipërinë dhe jo vetëm. Ndër reagimet që u bënë dje, ishte edhe ai i fotografit Roland Tasho, i cili po ashtu shpalosi dy fotografi të panjohura më herët të albanologut tashmë të ndjerë. Përveç fotografive Roland Tasho, ka treguar edhe një histori të shkurtër të Robert Elsies, i cili kishte pasur dëshirë të fotografohej tek Ura e Mesit, me kostumin e zonës. “Megjithëse e kisha fotografuar në Tiranë donte të fotografohej në një vend ku patën udhëtuar dhe studiues të tjerë të huaj. Shkuam tek Ura e Mesit dhe u vesh me kostumin e zonës. E pëlqente projektin me të huajt që kanë veshur veshje shqiptare dhe donte të shkruante për të. E donte shumë Shqipërinë..respekt për Robert Elsie…”, ka shkruar Tasho.

 

Preljocaj në “still life”: Jeta dhe kotësia në një vepër karriere

$
0
0

Koreografi Angjelin Preljocaj kthehet për herë të dytë në Tiranë, me krijimin e ’89, duke dëshmuar se si mund t’i jepet jetë një baleti, si rikrijohet në çdo rivënie. Sonte në Pallatin e Kongreseve prezenca e koreografit është e lidhur jo vetëm me turin që do organizojë në Ballkan, por si shprehet, me kthimin e tij në “burimin e shpirtit”, ndërsa Franca i dha emër

Këtë herë që mbërriti në Tiranë, koreografi Angjelin Preljocaj nuk bëri zhurmë, as nuk e priti njeri me ceremonialitet si herën e shkuar, kur erdhi për herë të parë. Përkundrazi, pothuaj një konferencë për mediat e improvizuar në sallën e pallateve të Kongreseve, ulur në bordurën e platesë, bashkë me dy kërcimtarë të rinj, e ka shndërruar këtë në një bisedë prezantuese për veprën e re që do të vihet sonte në skenë.

Dihet që Shqipëria për Preljocaj tashmë është bërë një destinacion, çështje rrënjësh, dhe në këtë rikthim është shprehur se: “unë adhuroj të vij këtu, është sikur kthehem gjithmonë në shtëpi. Edhe kur kthehem në Francë jam shumë i gëzuar, është shtëpia ime më ka dhënë shumë, më dha emër. Por kur kthehem këtu, është diçka e rrënjosur shumë thellë, është sikur kam dy burime brenda: një burim të mendjes që e gjej atje në Francë dhe një burim të shpirtit tim që e gjej këtu”.

Spektakli ka dy pjesë: “Un trait d’union”, një krijim i vitit ’89 ku duoja mashkullore vjen në një dialog trupor, për të cilin Preljocaj ka treguar se “është një balet që e kam krijuar në vitin 1989, kështu që është diçka e vjetër. Por vijmë këtu me një krijim të ri, mjaft të ri, pasi e provuam për herë të parë, para një jave. Jam shumë i lumtur dhe i prekur që hera e parë që ky krijim do të shfaqet jashtë pavijonit tim, i cili është vendi im i krijimit në Francë”.

Koreografi e ka quajtur këtë balet “Still life”, që zgjat 50 minuta. Duke zbërthyer konceptin e kësaj pjese, Preljocaj tha se e ka tërhequr loja e fjalëve: still life, natyrë e vdekur, e në shqip, natyrë e qetë, që vjen nga kërcimtarët, që lëvizin, i japin jetë skenës. Fjala “jetë”, çfarë është brenda saj, e mban kjo pjesë.

Arsyeja pse ky balet ka jetuar aq gjatë, Preljocaj shpjegon: “Si krijim, mund t’i japim jetën që duam një baleti, dhe varet nga vullneti dhe dëshira jonë për t’ia dhënë këtë jetë. Ky është balet që më ka pëlqyer dhe më ka prekur shumë, dhe kam dashur të jetojë për t’ju përcjellë gjeneratave të reja atë emocion që ndjej unë brenda, përmes këtij baleti. Prandaj e kam rimarrë dhe rishfaqur disa herë. Është një balet që e kam vënë në kundërpeshë me baletin “Dasma” me muzikën e Stranviskit, që është vënë në Tiranë, është në repertorin e TOB”.

Duke folur se si kjo jetë risillet në skenë, koreografi thotë se çfarë ka dashur të përcjellë përmes lëvizjeve dhe jetës në skenë është pikërisht vaniteti që ne kemi, të tregojë se sa të vegjël jemi ne, në univers, dhe sa e vogël është jeta jonë brenda kësaj jete të madhe. Për Preljocajn ky është një balet për kohën që kalon, jetën, vdekjen dhe pasionin…Dhe të realizosh këtë në kërcimin kontemporan, çfarë është punë e gjithë stilit të Preljocajt, ka të bëjë me “punën shumë të madhe, mjaft të vështirë për të arritur virtuozitetin në kërcimin kontemporan”.

Preljocaj ka folur edhe për balerinin e vetëm shqiptar që ka në trupë, Redi Shtylla, duke thënë se “ishte një kërcimtar shumë i mirë dhe kur më tha se ishte shqiptar mendova se duhet ta marr patjetër”. Ndërsa në mbresën e tij, Shtylla tha: “Është kompania e parë që punoi si balerin profesionist, është diçka e re për mua sepse punon më shumë me Angjelinin si koreograf dhe e njeh më shumë jo vetëm si koreograf por edhe si njeri”.

Premiera e Preljocaj do të bazohet te një duo mashkullore e ‘89-ës “Trait d’union”, e shkruar mbi muzikën koncertore të Bachut dhe e interpretuar nga Glenn Gloud. Baleti i Preljocaj do të çelë edhe edicionin e 12-të të Festivalit të Dansit Kontemporan të organizuar nga Gjergj Prevazi. Preljocaj ka lindur në Francë në vitet ‘50 në një familje emigrantësh të arratisur nga Shqipëria. Pas Shqipërisë, koreografi do shfaqë krijimin e tij në Kosovë e më pas në Serbi, por gjithashtu edhe në Europë. “Gjëja e parë që mendova, për ta shfaqur për herë të parë në Shqipëri, dhe vazhdimin e turneve në Kosovë dhe Serbi”.

V.M

“Kultura dhe mentaliteti shqiptar, të forta si emocione…”

$
0
0

Regjisori boshnjak me origjinë shqiptare, Dino Mustafiq, rikthehet në Tiranë me një projekt të ri teatror. Pas “Equus” vënë në Teatrin Kombëtar, interesat e regjisorit, sërish në kërkim të çështjeve të forta sociale siç është tani marrëdhënia mes brezave, me tekstin e një prej autorëve më të spikatur në Europë, Jon Fosse, “Nëna dhe fëmija”. Mustafiq, për herë të parë flet për perceptimin e tij mbi teatrin, aktorin dhe skenën shqiptare, si regjisor i angazhuar e pa kufij mentalë 

Intervistoi: Violeta Murati

A është e vështirë për ju të ndërtonit një marrëdhënie me teatrin shqiptar? Për këtë i referohemi shfaqjes tuaj, Equus, dhe tani nuk jeni këtu për ndonjë projekt në TK, por në një skenë tjetër të pavarur. Cila ka qenë kjo ndjesi?

Jo, nuk ka qenë e vështirë. Unë jam ndjerë shumë mirë dhe natyrshëm me teatrin shqiptar. Ka dhe teatro të tjerë shqiptarë, jashtë Shqipërisë, kjo ishte në Maqedoni, në Shkup teatrin nacional, pak kohë në Prishtinë në teatrin nacional, në Kosovë. Unë kam qenë këtu para se të punoja për projektin e Equus-it, nuk ishte e para herë që punoja në gjuhën shqipe. Sigurisht unë isha këtu pas produksioneve të mia nga Maqedonia, që prezantova punën tonë, një produksion shqiptar po ashtu. Për mua kjo do të thotë që kam pasur lidhje e marrëdhënie me teatrin shqiptar para se të vija këtu për Equus-in. Dua të përmend këtu edhe bashkëpunimin tim në Beograd, në co-produksion mes aktorëve serbë e shqiptarë, kujtoj aktoren Ema Andrea, dhe pjesëmarrjen e Gjergj Prevazit si koreografi, ku u dha shfaqja “Patriotic hipermarkets”. Kjo do të thotë se kam pasur marrëdhënie shumë dinamike dhe intensive me teatrin shqiptar, por sigurisht Equus-i ishte prezantimi im i parë këtu, në këtë kohë të dytë, dhe kam mbetur mjaft i kënaqur. Ishte një eksperiencë e shkëlqyer, një aventurë artistike por në të njëjtën kohë unë zbulova shumë njerëz të talentuar rreth meje. Unë gjithashtu isha shumë i lumtur që shfaqja jonë nuk ishte vetëm një ngjarje teatrore, shfaqja jonë u bë ngjarje sociale. Unë gjithmonë preferoj këtë lloj pune në teatër, që do të thotë se teatri ka për të qenë gjithnjë refleksion i shumë përplasjeve të problemeve sociale. Teatri për mua është hapësira për dialog shoqëror ku ne paraqesim, bëjmë të njohur mendimet, opinionet tona të ndryshme, përballë vetvetes dhe botës rreth nesh. 

Kur ju flisni për aventurën artistike, çfarë nënkuptoni?

Kjo do të thotë se gjithmonë fillon nga zero. Në fillim nuk ekziston asgjë. Ekziston vetëm hapësira boshe, hapësira e skenës: aktorët dhe ju, imagjinata dhe emocionet e tua. Aventurë artistike është gjithashtu diçka e llojit të udhëtimit me njohuri të reja, sepse pas çdo udhëtimi ju jeni më i pasur me përvoja të reja. Në çdo projekt të ri, ka një aventurë artistike. Unë argëtohem me këtë lloj ndjesie, sepse natyra ime është shumë kurioze, dhe gjithashtu, kjo është arsyeja pse puna jonë është e papritur. Ti nuk e di kurrë çfarë do të zbulohet rreth teje, dhe gjëja më e rëndësishme është se çfarë do të zbulohet brenda teje.

Lëvizjet e tua janë midis Shkupit, Tiranës, dhe Prishtinës, një dinamikë brenda teatrit shqiptar, kjo ndodh sepse ju keni origjinë shqiptare apo keni zbuluar diçka që i përket interesave tuaja për teatrin shqiptar, si konstruksion, ç’është pra, kjo përvojë?

Nuk është arsyeja e origjinës sime si shqiptar. Kur më thërritën në Shkup rreth 8 vite më parë, për skenimin e veprës “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë , ata nuk e dinin origjinën time. Për mua është e natyrshme të punoja kudo, kam punuar duke nisur që nga vendet e Ballkanit, jashtë në Europë, Francë, Itali apo Sllovaki…etj. Për mua është normale të punoj në një gjuhë tjetër, apo në një kulturë tjetër. Por kur vjen puna për të folur për teatrin shqiptar, përvoja ime është shumë intensive. Për punën time nuk është aq e shpeshtë kjo, flas si regjisor sepse disa nga produksionet e mia më të mira i kam me aktorët shqiptarë. Unë nuk e di pse. Por mendoj se gjuha metafizike është e tillë mes meje dhe aktorëve shqiptarë. Unë e dua këtë mentalitet dhe kulturë, që është shumë e fortë dhe mjaft intensive si emocion. Në të njëjtën kohë, si vende të Ballkanit që jemi, ne kemi shumë interesa të përbashkët të cilët duhet t’i ndajmë, siç janë vlerat tona. Gjithmonë përpiqem të sjell gjëra të reja si shprehje të artit në gjuhë, sepse mendoj se është shumë e rëndësishme të bëhen kërkime teatrore, të zbulosh çfarë është e mundur në teatrin shekullin e 21-të. Për këtë kam punuar shumë, jo vetëm për të krijuar një histori të re, një vështrim të ri rreth subjektit, por jam përpjekur të zbuloj një gjuhë të re, që ka shërbyer si një test për mua si regjisor. Dua të ndërtoj një domethënie, një impuls të ri në skenë. Ky impuls, kjo energji është shumë e domosdoshme në teatër për t’u trajtuar në mënyrë të veçantë. Pikërisht ky impuls do të krijojë një subkoshiencë të saktë, që ndërton mjaft nga asociacionet tona që ne, mund t’ia njohim vetes, siç është së pari, identiteti ynë, memoria që do të zgjojë emocionet tona. Për këtë arsye, prandaj njerëzit duan të shkojnë në teatër, sepse vetëm teatri mund të të përfshijë, të të bëjë pjesëmarrës në emocione, vetëm marrëdhënia mes aktorëve dhe audiencës e shkakton këtë. Vetëm teatri e di saktësisht çfarë do të thotë ky reagim, që krijon atmosferën në një shfaqje. Audienca është gjithashtu partner në një shfaqje. 

Pse ju besoni në teatër?

Sepse teatri është feja ime. Teatri është shpresa, utopia ime. Teatri mund të krijojë një botë të re, është vëllai im shpirtëror. Unë besoj në vlerat që mbajnë botën, besoj te humanizmi, në një drejtësi sociale, në ndjeshmërinë e shoqërisë. Prandaj është një mundësi për të gjetur veten në teatër. 

Po përgatisni një projekt të ri, një vepër të Jon Fosse me aktorët shqiptarë, pse u kthyet sërish në Tiranë?

Para së gjithash, kjo është ëndrra ime që Ema Andrea, pak vite më parë, më përmendi këtë tekst për ta vënë në skenë. Kur unë ëndërroj diçka, kam dëshirë që këtë ta konkretizoj. Kjo është arsyeja. E dyta, unë vërtetë vlerësoj shumë punën e Ema Andreas në produksionet e pavarura në teatër. Unë besoj në produksionet e pavarura. Unë jam rritur me këtë formë pune. Kam zbuluar mjaft gjëra të bukura në teatrin alternativ, sepse këto lloj produksionesh shërbejnë për të korrektuar diçka kundra rrymë, ndryshe nga çfarë prodhon një institucion teatri. Gjithnjë kam dëshirë të rikthehem kur kam ide, dhe të ndaj emocione të reja, me një audiencë të re. “Nëna dhe fëmija” është një tekst psikologjik, mjaft i njohur, që është luajtur kudo në botë. Jon Fosse është një autorët më të spikatur për regjisorët në Europë. Është një mundësi e mirë për spektatorët në Tiranë që në hapësirën kulturore shqiptare të prezantohet një autor i ri. Lënda e kësaj pjese që flet për marrëdhënien komplekse mes dy brezave, fëmijëve dhe prindërve mund të jetë mjaft provokativ për të hapur një debat mbi këtë temë. Plani i dytë është statusi i shoqërisë sonë. Kjo do të thotë se për shumë tema ne jemi të hapur, dhe një prej tyre është shumë e rëndësishme për mua, që është ndjenja e lirisë. Është diçka konfliktuale mes traditave tona morale që përballen me botën e re, që aktualisht është shumë intensive, burokrate, shumë brutale, nuk kujdeset për familjet, dashurinë… etj.

Cili është vlerësimi juaj për aktorët, profesionin e aktrimit?

Aktorët për mua nuk janë vetëm performues, por bashkëpunëtorë. Aktorët janë artistë, çdo gjë që vjen në skenë në procesin tonë artistik, që do të thotë dialog, këmbehet me frymëzimin e idesë. Kjo është puna ime konkrete. Aktorët janë imagjinativë, bashkëpunëtorë, intelektualë dhe duhet të jenë me të vërtetë mendjehapur për të kërkuar mbi lëndën. Nëse aktorët nuk shqetësohen për këto, për mua nuk bëjnë, s’janë aktorë. Aktori është një prift në skenë, sjell shpirtin e tij në skenë. Aktrimi është përkushtim, është punë e vështirë sepse aktori ndaj shpirtin e tij, emocionet e tij me ne, në distancë dhe nuk ka rezerva për të shfaqur, për të zbuluar gjithçka nga vetja në skenë. Në këtë kuptim unë vlerësoj deri në qiell punën e aktorit. Për mua aktrimi është puna më e vështirë artistike. 

Është diçka interesante në punën tënde, kur vendosni një raport mes etikës dhe estetikës në teatër. Kam parasysh punën tuaj me Equus-in, dhe tani me Fosse-në, me dy personazhe djem të rinj. Ka diçka paralele me konceptet dhe kërkesat tuaja për skenën?

Për mua etika krijuese në teatër është pjesë e estetikës. Unë nuk i ndaj këto. Gjithmonë ngre dyshimet e mia, konfliktet e mia të brendshme, frustrimet e mia…unë gjithmonë dua të shoh si njerëzit reagojnë ndaj këtyre. Nëse ne do flasim për koncepte paralele mes Shafferit dhe Fosse-së, ata kanë totalisht materiale të ndryshme, por që të dy, në fakt, prekin disa tema universale. Një prej tyre, është se çfarë e krijon identitetin tonë, konfliktin e identitetit tonë. E para përgjigje na vjen nga fëmijëria. E dyta, është sistemi shoqëror, mënyra se si jemi rritur, ku kemi lindur. Ne nuk mund të zgjedhim asgjë kur vijmë në këtë botë, as datën, as vitin. Sartri thotë saktësisht se: “dikush na shtyn në këtë botë”, pra, ne nuk mund ta zgjedhim këtë botë. Është gjithmonë një pyetje interesante që shtrohet: Pse ne kemi lindur, p.sh. në Ballkan dhe jo në një shoqëri me paqe, apo të pasur?! Mendoj se teatri është një mundësi e jashtëzakonshme për të menduar rreth këtyre çështjeve, për t’i konsideruar këto tema. Për këtë arsye, unë gjithmonë, kujdesem dhe merrem me disa tema sociale, ekonomike, politike…çështje që janë pjesë e estetikës sime, por sigurisht për arsye etike. Secila nga shfaqjet që kam bërë i kushtohet angazhimit për vendin, shoqërisë sonë dhe kohës kur ne jetojmë. Teatri nuk mund të jetë jashtë këtij realiteti. Teatri duhet të jetë brenda, në thellësi të këtij realiteti, ku ne mund të zbulojmë shumë gjëra që nuk mund t’i shikojmë. Kjo do të thotë se është një perceptim i jashtëzakonshëm dhe krejt i ndryshëm kur e shikojmë në teatër. Sepse teatri merret me detaje të disa momenteve të realitetit, për të sjellë totalisht ndjenja të reja të shpirtit dhe në të njëjtën kohë zbulon atë.

Viewing all 1708 articles
Browse latest View live